Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: 10 vjet pa ty o dr. Pjetër Pepa!

 Pjetër Pepa (1942 – 2014)

 Pritja me buzqëshjen Tuej dashamirse në kliniken dentare të Shkodrës, s’ na lejon me kalue pervjetorët pa Ju kujtue, o i Nderuemi Doktor Pepa!

Ju ishi një tubë vllazën të paharrueshem në Arrën e Madhe të Shkodrës plakë, që keni trashigue vetitë mikpritëse dhe burrnore të njenës ndër lagjet ma të vjetra dhe të nderueme të qytetit tonë të bukur të Veriut!

E Shkodra, nuk i harron kurr Bijtë e Saj të shtrenjtë e të nderuem! Ajo me kujtesën e Saj të skalitun ndër Gurt’ e Rozafës, kujton me respekt Mikpritjen Tuej vllaznore gjithmonë të haptë e bujare si vetë Shkodra!

E pra, Ajo Shkodërlocja të lindi, të rriti edhe të Burrnoi o Pjetër Pepa!

Jo larg nga kryqzimi i rrugve të Arrës së Madhe në Shkodër, ku asht edhe Kisha e Kuvendi i Françeskanve të vjetër të Shkodrës, nën tingujt shumë të bukur t’ atyne kumonve asht le më 18 Dhetor 1942, Pjetër Pepa. Jo larg shtëpisë edhe asht shkollue në tetëvjeçaren e asaj lagjes së tij të vjetër. Në vitet 1960-1965 ka krye Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji, ku asht kenë student i dalluem në të gjitha drejtimet. Asht emnue në klinikën dentare në Shkodër në vitin 1965. Ishte i prirun për studime e ajo asht arsyeja që s’ asht shkëputë asnjëherë prej librave. Dr. Pjetër Pepa ishte ndër dentistët ma të përsosun dhe të preferuem të Shkodrës. Kujtoj shumë mirë kur botimet e para shkencore i ka fillue në vitin 1966 në revistat periodike: “Shëndeti”, “Shëndetësia Popullore” , “Buletini Shkencave Mjeksore” , “Buletini Stomatologjik” dhe në organet e shtypit periodik, ku ka botue edhe artikuj të karakterit historik dhe kulturor.

Në vitet 1969-70 Dr. Pjetri, ka shërbye në Lokalitetin e Dukagjinit, ku ka vazhdue me mbledh materiale studimore nga ajo krahinë. Në vitin 1972 ka krye kursin 3 mujor në Universitetin Shtetëror në Tiranë dhe ka dhanë disa provime në Fakultetin e Histori-Filologjisë mbas-universitare edhe për gjuhët italisht, frëngjisht e gjermanisht që kishte prirje për ato. Në vitin 1974 asht specializue prap pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti. Gati dhjetë vjet, ka drejtue repartin e Shërbimit të Fëmijëve në kliniken dentare në qytetin e Shkodreës, ku dallohej për kujdesin e madh që tregonte për shndetin e tyne, gjithmonë i qeshun dhe i gatshëm.

Në periudhën 1990–1996 asht angazhue në proçeset demokratike, e asht kenë zgjedhë Deputet i Kuvendit Popullor për dy legjislatura rradhazi.

Dr. Pjeter Pepa ka krye edhe detyrën e Ambasadorit të Shqipnisë pranë Selisë së Shenjtë – Vatikan, gjatë vitit 1997, kur aty drejtonte Papa Gjon Pali i II dhe kujtohet mirë nga qytetarët e Shkodrës komunikimi i tyne.

Ishte viti 1998 kur asht kthye në profesion të lirë si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Mjekësisë. Dr. Pepa mbante detyren e Shefit të Shërbimit të Pedodontisë pranë Albanian – University e Shefi i Sektorit Shkencor të Departamentit të Stomatologjisë pranë Universitetit.

Ishte Anëtar i Komisionit Historik për Kanonizimin e Martirëve Shqiptarë për Vatikanin. Asht i dekoruem nga Presidenti i Republikës i asaj kohë me “ Medaljen e Trimërisë” dhe ishte i zgjedhun nga Kuvendi Popullor me detyren e Anëtarit të Bordit Drejtues të “Institutit Studimor per Krimet e Komunizmit në Shqipni”. Ka shumë vlerë saktësia historike!

Dr. Pjetër Pepa asht autor i shumë botimeve shkencore, kulturore dhe politike, ku përfshihet edhe libri “Dosja e Diktaturës”, Tiranë 1995, Ndër botimet ma të randsishme të Dr. Pjetrit mbeten ata historiko – fetare të vitit 2007, me titull “Tragjedia dhe lavdia e Kishës Katolike Shqiptare”, ndër dy vllime, e “Familje Martire për Fe e Atdhe”, ku spikat mjeshtria e autorit në paraqitjen e saktë e, gjithshka e dokumentueme historikisht.

Më datën 23 Mars 2014, plot 10 vjet ma parë, Dr. Pjetër Pepa u nda nga kjo jetë papritmas për ne që ishim larg nga Shkodra.

Qyteti i Shkodrës humbi një nga qytetarët e përgaditun si mjek dhe një nga dijetarët e njohun e të pazëvendsueshëm në fushën historike.

Institucionet e interesueme të Shkodrës për veprat e Dr. Pjeter Pepës, asht mirë që të ribotojnë prej thesareve të tij kryesisht ato vepra që janë aq të doemosdoshme për edukimin atdhetar të Rinisë Shqiptare. E mos harroni se veprat e Tij historike kërkohen edhe n’ Australinë e largët!

Mjerisht qytetarët si Dr. Pjetër Pepa, nuk vijnë shpesh qytetit Shkodrës!

Kujtimi i Dr. Pjetrit kjoftë i Përjetshëm!

  Melbourne, 21 Mars 2024.

  

Please follow and like us: