Foto ekskluzive/Kur Pitkini (Norman Wisdom) vizitonte Shqipërinë
Pitkini, emri i vërtetë i të cilit është Norman Wisdom, ka mbërritur në Tiranë së bashku me disa anëtarë të një televizioni anglez. Qëllimi i mbërritjes së tij është realizimi i një dokumentari televiziv, ku protagonistët kryesorë do të jenë Pitkini dhe shqiptarët. Siç dihet, mes artistëve që shqiptarët kishin mundësi të njihnin më tepër me anë të filmave që transmetonte ekrani i televizionit, ishte dhe Norman Wisdom, Pitkini. Pikërisht duke u nisur nga kjo dhe duke u përpjekur t’i japin një lloj shpjegimi faktit se si Pitkini kishte arritur t’i shpëtonte rrjetës censuruese të asaj kohe dhe të shndërrohej në një nga artistët më të preferuar për shqiptarët, përbën dhe boshtin e filmit në fjalë. Ardhja në Shqipëri, sipas grupit realizues të filmit, së bashku me Pitkinin, ishte rruga më e drejtë për ta zbuluar këtë. Gjatë këtyre ditëve të qëndrimit të tij në Shqipëri, Pitkini ka bërë disa vizita. Mes vendeve që ai ka vizituar janë Kruja, amfiteatri i Durrësit si dhe disa institucione brenda Tiranës. Një prej këtyre institucioneve kanë qenë dhe ato brenda Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës (QNK), mes të cilave dhe televizioni Top Channel.