SHBA, pezullohet nga puna redaktori që kritikoi Radion Publike Kombëtare për pikëpamje liberale
Radioja Publike Kombëtare ka pezulluar një redaktor veteran, i cili publikoi një ese në një media tjetër, ku kritikonte punëdhënësin e tij për gazetari që pasqyron një këndvështrim liberal, me pak tolerancë ndaj opinioneve të kundërta.
Uri Berliner, redaktor në seksionin e biznesit të radios NPR, u pezullua pesë ditë pa pagesë, sipas një artikulli të postuar të martën nga korrespondenti për mediat i Radios Publike Kombëtare, David Folkenflik. Sipas artikullit, Berliner ishte pezulluar për shkelje të rregullit për miratim paraprak të publikimeve në mediat jashtë Radios Publike Kombëtare.
Berliner i tha Radios Publike Kombëtare se ai nuk do ta apelonte vendimin për pezullimin e tij. Një zëdhënëse e Radios Publike Kombëtare tha se kompania nuk komenton për çështje individuale të personelit.
Ai e publikoi esenë e tij javën e kaluar në platformën “The Free Press” (Shtypi i Lirë). Berliner shkroi se NPR ka pasur gjithmonë një prirje liberale, por për pjesën më të madhe të punës së tij 25-vjeçare kishte pasur një kulturë mendjehapur dhe kurioze.
“Megjithatë, në vitet e fundit, kjo ka ndryshuar”, shkroi ai. “Sot, ata që dëgjojnë emisionet e radios NPR ose lexojnë lajmet e tyre në internet, gjejnë diçka ndryshe: botëkuptimin e distiluar të një segmenti shumë të vogël të popullsisë amerikane.”
Shkrimi i tij u përhap menjëherë nga aktivistët konservatorë, të cilët kanë bërë kritika të ngjashme ndaj Radios Publike Kombëtare. Ai kritikoi punëdhënësin e tij veçanërisht për mbulimin e çështjeve të lidhura me ish-Presidentin Donald Trump, akuzat kundër djalit të Presidentit aktual, Hunter Biden dhe pandeminë e koronavirusit.
Pas publikimit të esesë, kryeredaktorja e Radios Publike Kombëtare, Edith Chapin, tha se ajo nuk pajtohet plotësisht me përfundimet e kolegut të saj Berliner dhe është krenare për punën e Radios Publike Kombëtare.
Një nga kolegët e tij në NPR, bashkë-prezantuesi i emision të mengjesit “Morning Edition”, Steve Inskeep, shkroi të martën në platformën “Substack” se eseja e redaktorit Berliner në platformën The “Free Press” ishte e mbushur me gabime dhe hamendje.
“Nëse ‘qëllimi kryesor’ i Urit ishte se gazetarët duhet të kërkojnë perspektiva më të gjera, dhe jo vetëm të shkruajnë histori që konfirmojnë opinionet e tyre të mëparshme, artikulli i tij është i dobishëm si një shembull i asaj që duhet shmangur”, shkroi gazetari Inskeep.