“Vetingu”, Komisioni nuk mblidhet, mungon opozita, Xhafaj: PD i prishi vizitën Metës në SHBA
Top Channel raportoi të martën se anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi u njoftuan për mbledhjen që do të zhvillojë komisioni të mërkurën. Objektivi është i qartë: miratimi i vetingut.
Mbledhja dështoi pasi pas mesditës së të mërkurës vetëm përfaqësuesit e mazhorancës u shfaqën në ambientet e Kryesisë dhe asnjë anëtar nga opozita.
Kryetari i këtij Komisioni, Fatmir Xhafaj, duke folur nga Kryesia e Kuvendit, lidhi mungesën e opozitës me ndërprerjen e vizitës së Ilir Metës në SHBA.
“Më vjen keq që Partia Demokratike i prishi vizitën Ilir Metës në Shtetet e Bashkuara. Përfaqësuesit e opozitës duhet të kishin ardhur në komision dhe të mos e kishin bojkotuar atë”, tha ai.
Hapi i parë i reformës është ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, pasi seanca do të jetë brenda kësaj jave dhe Xhafaj tha se kalimi i këtij ligji i hap rrugë gjithë reformës.
“Ligji për vetingun është një nga 7 ligjet kryesore të paketës dhe bën të mundur zbatimin e asaj që kemi miratuar. Vetingu bën të mundur ngritjen e institucioneve të reja dhe fillimin e reformës në drejtësi”, deklaroi deputeti socialist.