Mediat pranë PD nisin sulmin ndaj Bregut
Deputetja demokrate Majlinda Bregu duket se është kthyer në një objekt sulmi nga mediat. Çudia është se ligjvënësja demokrate po sulmohet nga mediat pranë PD-së, përfshi edhe një portal që drejtohet nga Kryeredaktori RD-së.
Në datën 25 korrik portali në fjalë publikonte një shkrim të marrë nga një portal pranë LSI-së, sipas të cilit deputetes Bregu është bërë një propozim për të qenë ministre në një Qeveri të Kryeministrit Rama, por pa pjesëmarrjen e LSI-së. Madje në shkrim thuhet se negociator për këtë është bërë vëllai Kryeministrit.
Duket se sulmi ndaj deputetes ka lidhje me qëndrimin e mbajtur prej saj pro reformës në drejtësi. Kjo edhe për vetë faktin se nëse reforma u miratua në datën 22 Korrik, dy ditë më pas në portalet e mësipërme, një pranë LSI dhe tjetri shumë pranë PD-së, nisën insinuatat sipas të cilave Bregu në mbështetje me votë të Qeverisë Rama, do të merrte postin e ministres.
Në ditët e fundit përpara miratimit të reformës në drejtësi, Bregu ishte ndër të paktat deputete të opozitës, e cila prerë kërkonte votimin në Kuvend të reformës në drejtësi, sikundër mund të votonte pro draftit të propozuar nga SHBA/BE edhe nëse PD nuk do të jepte konsensusin e saj.
Duket se qëndrimi mbajtur nga Bregu publikisht, por edhe në mbledhjet e Grupit Parlamentar, kanë mërzitur segmente brenda apo pranë PD-së dhe LSI-së.
Ndoshta segmentet në dy partitë, një në qeverisje dhe tjetra në opozitë, kanë vendosur që bashkëpunimin mes tyre ta nisin me një sulm të përbashkët nga ish-ministres së Integrimit, e cila drejton edhe Këshillin Kombëtar për Integrimin. /citynews/