Albspirit

Media/News/Publishing

Pensionet shtetërore suplementare

VENDIM PËR MIRATIMIN E KRITEREVE, RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRFITIMIN E PENSIONEVE SHTETËRORE SUPLEMENTARE TË PERSONAVE QË KRYEJNË FUNKSIONE KUSHTETUESE DHE TË PUNONJËSVE TË SHTETIT 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1, 15 e 17, të   ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së institucioneve qendrore buxhetore, funksionarët dhe punonjësit e të cilëve janë subjekte përfituese nga skema e sigurimit shtetëror suplementar, sipas lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Miratimin e listës së funksioneve kushtetuese dhe detyrave në administratën publike, ku vitet e kryera të punës do të njihen si vite shërbimi për efekt të përfitimit të pensioneve shtetërore suplementare, sipas lidhjes nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Vite shërbimi për efekt të përfitimeve sipas këtij ligji, për funksionet “Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura”, “Gjeneral i Forcave të Armatosura” dhe “punonjësit e Policisë së Shtetit të rolit madhor” do të njihen vitet e punës në këto funksione nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr.27/2015. Personat që kryejnë këto funksione, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përjashtohen nga pagesa e kontributit suplementar, sipas nenit 5, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Për efekt të zbatimit të shkronjës “b”, të pikës 8, të nenit 1, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, “drejtuesit e Policisë së Shtetit të rolit madhor” janë ata të përcaktuar në ligjin nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të cilët janë aktivë dhe në funksion në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe në vazhdim. Për periudhën nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr.27/2015 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kalimi i kontributeve të derdhura nga këto funksione dhe, për pasojë, i periudhave të tyre të sigurimit nga skema suplementare, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, në skemën për pensionet shtetërore suplementare bëhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
4. Vite shërbimi, për efekt të përfitimeve sipas këtij ligji, për “personelin specialist” dhe “personat e barazuar me ta në funksion” do të njihen vitet e punës të kryera në një nga institucionet qendrore buxhetore, sipas listës së institucioneve që përmenden në pikën 1, të këtij vendimi. Me termin “personel specialist”, për efekt të përfitimit të pensioneve suplementare, do të kuptojmë të gjithë punonjësit me arsim të lartë të nivelit ekzekutiv, sipas përcaktimeve të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, pavarësisht nga profesioni, dhe që nuk kryejnë asnjë funksion drejtues.
5. Institucionet e përcaktuara në lidhjen nr.1, të këtij vendimi, në listëpagesën që dorëzojnë pranë organeve tatimore janë të detyruara t’u përmbahen emërtimeve të funksioneve/pozicioneve/detyrave të përcaktuara në lidhjen nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.
6. Për emërtimet e funksioneve apo pozicioneve të personave të punësuar, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e sigurimeve suplementare apo janë të përfshirë, por ndryshojnë grupimin përkatës, sipas përcaktimeve të lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, kontributet për sigurimin suplementar duhet të derdhen sipas përqindjeve të miratuara në legjislacion, në bazë të grupimit ku ata bëjnë pjesë.
7. Ndryshimi i emërtimeve ekzistuese të funksioneve, shtimi i emërtimeve të reja në strukturën e institucioneve apo ndryshimi i grupimeve që nuk përfshihen në listën e miratuar në këtë vendim miratohet me akt ligjor apo nënligjor.
8. Personave të punësuar në institucionet qendrore buxhetore, të cilët kanë paguar kontribute suplementare, pavarësisht ndryshimit të emërtimit të institucionit, e gjithë periudha për të cilën janë derdhur këto kontribute do t’u njihet si vjetërsi shërbimi.
9. Me termin “pagë referuese” kuptohet paga bruto e muajit të fundit që zbatohet për atë funksion apo detyrë në momentin e lindjes të së drejtës për përfitime shtetërore suplementare. Paga bruto llogaritet si shumë e elementeve përbërëse të saj, sipas strukturës së pagës, miratuar me aktin ligjor/nënligjor përkatës.
10. Në rastet kur në momentin e lindjes së të drejtës për përfitime shtetërore suplementare në aktin ligjor apo nënligjor përkatës mungon funksioni / pozicioni/detyra dhe paga referuese, përcaktimi i pagës referuese bëhet nga Departamenti i Administratës Publike, duke u njehsuar me funksione apo pozicione të ngjashme.
11. Njehsimi i pagës referuese nga DAP-i bëhet duke marrë parasysh njehsimin e institucioneve për efekt page, si më poshtë vijon:
a) “Deputetët e legjislaturës 1991-1992”, të cilët, në të njëjtën kohë, punonin në funksione dhe detyra të tjera, si pagë referuese do të kenë pagën referuese të deputetit, në momentin e daljes së tyre në pension;
b) “Sekretarët e Shtetit”, në Kryeministri apo në ministritë e linjës, të cilët kanë qenë dekretuar si anëtarë të Këshillit të Ministrave, do të kenë pagën referuese të anëtarit të Këshillit të Ministrave;
c) Pozicionet e punës në prokuroritë ushtarake të apelit, pa përfshirë punonjësit administrativë, për efekt të pagës referuese njehsohen me pozicionet homologe në gjykatën e rrethit gjyqësor;
ç) Funksioni/pozicioni “Kryetar i Këshillit të Rrethit” dhe “Kryetar i Komitetit Ekzekutiv Pluralist”, njehsohen me funksionin e “Kryetarit të Bashkisë”;
d) Pozicionet e punës në drejtoritë e përgjithshme të bankave të nivelit të dytë, nga “titullar institucioni” deri te “specialist”, njehsohen me pozicionet homologe të punës në drejtoritë e përgjithshme në varësi të ministrave të linjës të grupit të pare;
dh) Pozicioni “Inspektor në Këshillin e Ministrave”, pavarësisht klasifikimit në pagë, njehsohet me pozicionin “inspektor” në Kryeministri;
e) Pozicionet nga “titullar institucioni” deri te “specialist”, në ish-Arbitrazhin e Shtetit, njehsohen me pozicionet homologe të institucioneve të pavarura.
12. Personat e interesuar paraqesin pranë DAP-it kërkesën për përcaktimin e pagës referuese të funksionit/pozicionit/detyrës, që do të shërbejë si bazë për përfitimin nga skema e sigurimeve shtetërore suplementare.
13. Funksionarët apo nëpunësit që kryejnë funksione kushtetuese apo ushtrojnë detyra në institucionet e administratës publike dhe që janë përfitues të skemës së sigurimeve suplementare, në momentin e largimit nga funksioni përfitojnë pagesë kalimtare, si më poshtë vijon:
a) Funksionarit të grupit të parë, të shkronjës “a”, të pikës 8, të nenit 1, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, të ndryshuar, pas largimit nga funksioni i paguhen 3 (tri) paga mujore të funksionit dhe, duke filluar nga muaji i katërt, sigurimet shoqërore i paguajnë 50 për qind të pagës referuese bruto, për aq kohë sa ka punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion;
b) Funksionarit të grupit të parë, të shkronjës “b”, të pikës 8, të nenit 1,  të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, të ndryshuar, pas largimit nga funksioni i paguhen 2 (dy) paga mujore të funksionit dhe, duke filluar nga muaji i tretë, sigurimet shoqërore i paguajnë 50 për qind të pagës referuese bruto, për aq kohë sa ka punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion;
c) Funksionarit të grupit të dytë, të shkronjës “a”, të pikës 9, të nenit 1, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, të ndryshuar, pas largimit nga funksioni i paguhen 2 (dy) paga mujore të funksionit dhe, duke filluar nga muaji i tretë, sigurimet shoqërore i paguajnë 40 për qind të pagës referuese bruto, për aq kohë sa ka punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 1 vit nga momenti i largimit nga ky funksion.
14. “Pagesa pas ndërprerjes së funksionit të fundit” bëhet çdo muaj, nga punëdhënësi i fundit, për aq muaj sa përcaktohet në nenin 7, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, të ndryshuar.
15. “Pagesa kalimtare” dhe “pensionet shtetërore suplementare” të të gjitha llojeve caktohen, administrohen dhe paguhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
16. Në kuptim të paragrafit të dytë të nenit 9, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, të ndryshuar, masa e pensionit suplementar për personat që kanë kryer funksione të përcaktuara në grupin e parë, shkronja “a”, nuk duhet të jetë më e madhe se 60 për qind dhe, për funksionet në grupin e pare, shkronja “b”, nuk duhet të jetë më e madhe se 50 për qind e pagës referuese të funksionit më të lartë. Në rastet kur personi, në varësi të periudhave të ushtrimit të funksioneve, përfiton pension suplementar nga të dyja grupet e sipërpërmendura, atëherë masa e përgjithshme e pensionit suplementar që do të marrë nuk mund të kalojë 60 për qind të pagës referuese të funksionit më të lartë.
17. Në kuptim të shkronjës “b”, të nenit 10, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, të ndryshuar, me “pension pleqërie” kuptojmë pensionet e pleqërisë të caktuara sipas neneve 31, pikat 1 e 2, dhe 31/1.
18. Personat e interesuar për të përfituar pagesë kalimtare apo pensione shtetërore suplementare duhet të paraqesin pranë organeve të sigurimeve shoqërore, ku kanë qendrën e tyre të banimit, kërkesën për përfitim, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm për këtë qëllim, si më poshtë vijon
a) Për të përfituar pagesën kalimtare:
i. vërtetim nga qendra e punës për largimin nga funksioni a detyra;
ii. vërtetim për vitet e shërbimit në funksion apo detyrë;
iii. vërtetim për pagën referuese;
iv. deklaratë nëse është i punësuar dhe pagën që merr ose deklaratë që nuk është i punësuar;
v. vërtetim të gjendjes gjyqësore.
b) Për pensionet shtetërore suplementare:
i. vërtetim/e nga qendra/t e punës për funksionet a detyrat e kryera, për të cilat i lind e drejta për pension, dhe vitet e shërbimit për funksionin a detyrën;
ii. vërtetimin/et e pagës për funksionin apo detyrën;
iii. vërtetim të gjendjes gjyqësore.
19. Për personat që kanë kryer funksione kushtetuese dhe punonjësit e administratës publike, institucionet e të cilave janë suprimuar apo nuk ekzistojnë më, dokumentacioni për vjetërsinë në shërbim do të plotësohet nga Arkiva Qendrore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në rastet kur institucionet, të cilat kanë marrë në administrim dokumentacionin e vjetërsisë në punë, nuk e kanë dorëzuar pranë organeve të sigurimeve shoqërore, ato janë përgjegjëse për plotësimin e tyre.
20. Personat, të cilët në të njëjtën kohë ushtrojnë një detyrë apo funksion që bën pjesë si në ligjin nr.8097, datë 21.3.1996, të ndryshuar, ashtu edhe në një skemë tjetër suplementare apo trajtim të veçantë, për efekt të derdhjes së kontributeve dhe përfitimeve, nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr.27/2015, e në vazhdim kanë të drejtë të zgjedhin njerën nga skemat.
21. Shpenzimet administrative për funksionimin e kësaj skeme të përballohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
22. Ngarkohen Instituti i Sigurimeve Shoqërore për hartimin e rregullores dhe dokumentacionit për zbatimin e këtij vendimi dhe Ministria e Financave për mbulimin e efekteve financiare të institucioneve që japin pagesën kalimtare pas ndërprerjes së funksionit.
23. Vendimi nr.382, datë 20.5.1996, i Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, shfuqizohet.
24. Institucionet që kanë qenë pjesë në skemën e sigurimeve suplementare dhe që, pas miratimit të këtij vendimi, nuk do të jenë më pjesë e listës së miratuar me këtë vendim, nuk do të derdhin kontribute për sigurime suplementare për punonjësit e tyre. Vitet e punës të kryera në një nga funsionet apo detyrat e pasqyruara në lidhjen nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi, do të njihen deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Please follow and like us: