Ish-diplomati e studiuesi, Luan Rama: Takimet e mia me Kadarenë
Ish-diplomati e studiuesi, Luan Rama, ka treguar në një intervistë për “News 24” takimet e tij në Paris me shkrimtarin Ismail Kadare, në fillimvitet ‘90-të. Ai tregon takimet me të në kohën kur Ismail Kadare kishte kërkuar azil në Francë dhe po ashtu kur dërgonte letra në mbështetje të Kosovës.
“Që kur shkova në ambasadën shqiptare në Paris, më 1991-1992, një nga takimet e para të Kadaresë ishte me mua. Kadare në atë kohë donte t’i shërbente demokracisë shqiptare. Kam organizuar disa takime me opozitën shqiptare, si me Gramoz Pashkon. Po ashtu edhe letrat që ka dërguar më vonë për Pavarësinë e Kosovës, si Miterranit dhe Xhorxh Bushit. E kam njohur me artistë shqiptarë në Francë, sepse ishte azilant politik dhe përndiqej”, tregon Luan Rama.
Për ish-diplomatin Rama, Kadare e kishte të qartë qasjen e tij mbi politikën dhe sistemin politik në Shqipëri. Ndërsa vetë ikja kishte domethënien e vet, qëndrimi dhe pozicioni që mbajti kundrejt politikës, po aq.
“Mbaj mend udhëtimin që bëri Ramiz Alia në Paris në vitet ‘90-të, erdhi të nënshkruante kartën e Helsinkit dhe në dalje më tha se dua të takoj Ismail Kadarenë. I thashë se do ta pyes sepse nuk e di nëse ishte në Paris. Ia thashë Kadaresë këtë dhe ai më tha ti them Ramiz Alisë që nuk ishte në Paris. Unë e kuptova sepse Kadare e kishte zgjedhur linjën e tij politike. Ai luftonte për një demokraci. Ishte i përqendruar në opsionin e tij politik dhe luftoi gjer në fund. Mbaj mend që njëherë më tha se i kishin propozuar që të bëhej president, por tha se nuk do të pranonte dhe bëri zgjedhjen e drejtë”, tha Luan Rama.
Luan Rama ka qenë për një kohë gjatë ambasador i Shqipërisë në Francë, ndërsa Parisi shënonte jo vetëm qytetin letrar të Kadaresë, por edhe pikëtakimin e letërsisë së tij me lexuesin evropian./BW