Ambasada e SHBA për Kadarenë: Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një publikimi në rrjetet sociale u shpreh thellësisht e pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, për të cilin ambasada shkruan se, letërsia e tij frymëzon lexues në mbarë botën.
Ambasada e SHBA kujtoi se në vitin 2020 nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë.
“Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjenisë të tij në letra. Mendimet tona janë me familjen e tij, me të dashurit e tij dhe me popullin shqiptar”, shkruhet në mesazhin e ngushëllimit të ambasadës së SHBA.
Në 2020, juria e Çmimit Ndërkombëtar Neustadt lexoi “Prillin e Thyer” si tekstin përfaqësues të veprës së Kadaresë.
Në motivacionin e Çmimin Ndërkombëtar Neustadt, shkruhej: “Kadare është pasardhësi i Franz Kafkës. Askush që nga Kafka nuk është thelluar në mekanizmin skëterrë të pushtetit totalitar dhe ndikimin e tij në shpirtin njerëzor në aq thellësi hipnotike sa Kadareja. Pasi jetoi në një gjendje të tillë mbikëqyrjeje për dekadat e para të jetës së tij, shkrimi ishte e vetmja formë rezistence e disponueshme për të, sepse ishte e vetmja formë e të treguarit të së vërtetës që mund të mbijetonte, edhe pse jo gjithmonë në shtyp”.
1 korrik 2024.