Shteti ynë i operetave pjell një mikroshtet operetash. Një ide greke, serbe apo izraelite?
Shaban Murati
Disa analistë të vjetër dhe të respektuar e pritën me ironi, tallje dhe sarkazëm projektin grandioz planetar të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për krijimin e një “shteti sovran të urdhrit bektashi” në territorin e Shqipërisë. Nuk u kuptua se kemi të bëjmë me një projekt të paparë panbotëror dhe kryeministri, jo rastësisht, zgjodhi për të njoftuar botën për projektin zëdhënësen botërore prestigjozen amerikane “Njujork Tajms” në 21 shtator 2024 dhe tribunën më të lartë diplomatike të OKB-sënë 22 shtator 2024. Nuk begenisi t’ia thoshte më parë as opinionit publik shqiptar, as popullit shqiptar, as parlamentit shqiptar dhe as partisë së tij socialiste internacionaliste. Natyrisht nuk begenisi dhe e shkeli me dy këmbët Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që e ndalon të shkëpusë territore të shtetit dhe të krijojë mikroshtete. Kryeministri donte të trondiste botën me projektin e tij të paparë dhe kjo botë, që nuk dëgjon as Papën e Romës dhe Vatikanin, as Patriarkun botëror ortodoks Bartolomeu, as Kryemyftiun e Turqisë apo të Arabisë Saudite, do të detyrohet tani të dëgjojë mikroshtetin e urdhrit bektashian, që po e pjell për botën globale lideri global Rama në mes të Tiranës. Kryeministri e din se kryegjyshatën si përfaqësuese e një pakice fetare nuk e dëgjojnë as në Shqipëri, as në Kosovë dhe as në Maqedoninë e Veriut apo në Luginën e Preshevës. Kryeministri e krijon në mes të Tiranës jo që mikroshtetin bektashian ta dëgjojnë shqiptarët, por që ta dëgjojë dhe të bindet gjithë bota për misonin e ri global, planetar, paqtues dhe harmonizues, që do të vijë nga mikroshteti i ri bektashian i Tiranës. U gjet më në fund çelësi magjik i zgjidhjes së konflikteve që po lodhin OKB-në dhe botën, që nga Ukraina e deri në Gaza. Nuk ka ende informacion nga ATSH dhe mediat qeveritare për jehonën diplomatike tronditëse, që ka pasur te presidentët, kryeministrat dhe shefat e diplomacive të të gjitha vendeve ky projekt grandioz dhe i përbotshëm i shpallur me psalmën fetare të kryeministrit në OKB për zbritjen në tokë të një misionari të madh tëpaqes dhe të pajtimit global si mikroshteti i ri bektashian i kryeministrit të Shqipërisë.
Por duke lënë mënjanë ironitë dhe sarkazmat mediatike, projekti i ri i kryeministrit për krijimin e një mikroshteti bektashian brenda territorit të Shqipërisë, meriton të shihet përtej dhe më thellë se sa buzëqeshja tallëse, që shkakton në pamjen e parë projekti grandioz politiko-fetar dhe botëror i kryeministrit të Shqipërisë për krijimin e një mikroshteti bektashian në mes të Tiranës.
Përtej megallomanisë tipike të kryeministrit, qëvuan nga narcisizmi për grandomani dhe rol global, duhet parë ftohtë se efektet e këtij projekti global panbotëror të paqes pannjerëzore, nuk kalojnë kufijtë e Shqipërisë, në botë jo e jo, por as në rajon e as në trevat shqiptare. Si diplomat dhe analist me përvojë prej mbi 50 vite, e ndjej detyrë të tërheq vëmendjen se efektet e thella negative afatgjata shtrihen direkt në formatin dhe në ekzistencën e shtetit të Shqipërisë. Është hera e parë që nga themelimi i shtetit të Shqipërisë në 1912 që preket nga duar shqiptare sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit të Shqipërisë me krijimin e mikroshtetit sovran bektashian brenda territorit tonë.
Duhet menduar me gjakftohtësi se projektet e mëdha në kokën e udhëheqësve të vegjël të shteteve të vogla nuk dalin kot vetëm nga megallomania e autorëve. I kërkoni burimet e ideve në shtetet e huaja, që gëzojnë dashurinë fetare të kryeministrit. Mikroshteti i ri bektashian duket një projekt, që ka qëllimet e veta përtejshqiptare, afatgjata diabolike.
Të dashur shqiptarë! E ndjej detyrë t’ju njoftoj se kryeministri i Shqipërisë me këtë projekt ka nisur procesin historik të shkërmoqjes së shtetit të Shqipërisë. Deri tani Shqipëria është përplasur me grabitjet historike të territoreve tësaj nga shtetet fqinjë si Serbia dhe Greqia. Por tani e tutje do të përplaset me procesin e ri historik të shkërmoqjes së saj nga brenda mevetë duart e shqiptarëve dhe konkretisht nga kryeministri i Shqipërisë. Kryeministri po sajonprecedentin e krijimit të mikroshteteve të pakicave fetare dhe etnike brenda territorit tëShqipërisë dhe shkëputjet e njëpasnjëshme të territorit shtetëror me mikroshtete të tjera, sepse ekziston e drejta e trajtimit të barabartë te komuniteteve fetare. Kështu tani kanë të drejtë të krijojnë mikroshtetin e tyre fetar myslimanët sunitë në Shqipëri, të cilët sipas regjistrimit qeveritar të popullsisë në vitin 2023 janë dhjetë herë më shumë në numër sesa bektashijtë. Kanë të drejtë të kërkojnë tani mikroshtet të tyre katolikët, ortodoksët, etj.
Së dyti dhe më e rëndësishme, projekti i kryeministrit për mikroshtetin e ri bektashian u jep rast të artë shteteve fqinjë që të hapin sirtaret e tyre të vjetra diplomatike e shtetërore dhe të ringjallin planet e krijimit të mikroshteteve greke, serbe, etj. brenda territorit të Shqipërisë. Pas derës pret Greqia, e cila mund ta përdorë precedentin e mikroshtetit bektashian si shembull për krijimin apo rikrijimin e një mikroshteti ortodoks grek me minoritarët e saj në Jugun e Shqipërisë. Skeletin e ka gati me asosiacionin e komunave greke Finiq, Dropull, bashkë me Himarën, për të të cilin kryeministri Rama i dha mundësinë kryeministrit grek Micotaqis ta inuaguronte në dhjetor 2022 dhe kryeministri grek erdhi posaçërisht me helikopter ushtarak grek direkt në qendrat e asosiacionit grek dhe kërkoi zyrtarisht vetëvendosjen greke të tyre. Tani Micotaqis ka gojën e lirë të kërkojë mikroshtetin grek të “Protokollit famëkeq të Korfuzit”.
Pas derës pret Serbia, e cila i ka në sirtaret e saj planet e vjetra të krijimit të mikroshteteve serbe të tipit të “republikës së Mirditës” të vitit 2021, që ishte tentativa serbe për shkatërrrimin e shtetit shqiptar 9 vjet pas pavarësisë së Shqipërisë. Nuk e ka harruar Serbia. Mos harroni se në vitin 2011 deputetë të parlamentit tonë nga Veriu krijuan “Lidhjen e Veriut” si skelet i ringjalljes së “republikës së re të Mirditës”.
Ndaj rrënjët e projektit grandioz të kryeministrit për shkërmoqjen e shtetit të Shqipërisë nuk është çudi të kenë ardhur në selinë e kryeministrisë në Tiranë si ide greke apo serbe. Por mund të jenë edhe ide izraelite, si shprehje e interesit strategjik të Izraelit për të çarë lidhjet fetare midis Ballkanit dhe vendeve të Lindjes së Mesme dhe për të depërtuar vetë në Balkan. Izraeli ka gjetur te Shqipëria shtetin më servil që mund të mendonte dhe e ka gjetur një shërbim pa para. Izraeli ka interes gjeopolitik të kundërvejë bektashizmin me shumicat myslimane në Shqipëri dhe në Ballkan.
Shqipëria ka hyrë në një proces të ri të rrezikshëm të shkërmoqjes së saj si shtet. Nuk dihet se kush do ta zgjojë këtë popull të fjetur dhe të nënshtruar historikisht. Mbetet vetëm të themi: Zoti e shpëtoftë Shqipërinë!/gazeta dita