Albspirit

Media/News/Publishing

Muhamedin Kullashi: Putini, Vuçiqi dhe gënjeshtra

Shkrimtari rus Michail Chichkine, në librin “Paqja ose lufta: Refleksione mbi ‘botën ruse’”, i përkthyer së voni në gjuhen franceze, e citon këtë thënie të Putinit: “Gënjeshtra është një mjet i ndikimit; unë i kundërvihem botës së sunduar nga ShBA-ja duke u gënjyer drejt në sy”.

Putini, si kuadër i regjimit komunist sovjetik, gjatë viteve ka ushtruar praktika politike në të cilat teknikat e gënjeshtrave kanë specifikat e tyre, por qëllim i këtyre është i njëjtë: ai dëshiron ta bind opinionin evroperëndimor për “vërtetësinë” e pikëpamjeve të tij. Në fjalimet e tij ai e realizon përmbysjen e perceptimit të ngjarjeve konkrete, duke i emërtuar këto me fjalë e terma që e ndryshojnë domethënien e tyre. Kësodore, Putini e pat “shpjeguar” agresionin mbi Ukrainë si luftë “çlirimtare” kundër një “pushteti nazist”. Në fakt, ky ridefinim i realitetit synon të rrënojë kriteret logjike me të cilat e bëjmë dallimin midis një krimi dhe një aksioni çlirimtar.

Isabelle Mandraud, specialiste e Rusisë së sotme, thekson në të përditshmen “Le Monde” se disa muaj pas agresionit ushtarak mbi Ukrainën, u hetua një ngritje e interesimit për romanin e Orwellit “1984”(ku thuhet, fjala vjen, se “lufta është paqja”) i cili “përshkruan një botë totalitare në të cilën përzihen elementet e nazizmit dhe stalinizmit”. Ndërkaq, Vera Grantseva, ish-profesoreshë në Universitetin e Shën Petersburgut, ka shkruar se “sistemi rus i gënjimit permanent, ka fituar një forcë aq të madhe sa ai përshkon të gjitha nivelet e pushtetit, deri te niveli më i ulët”. Ajo merr një shembull konkret të këtij lloji të gënjimi: “Kur rusët ankohen për gjendjen e keqe të rrugëve të tyre – problem ky i shpeshtë – funksionarët publikojnë foto me vrima në asfalt që janë të riparuara me Photoshop”!

Hannah Arend në librin e saj mbi totalitarizmin theksonte: “Në një sistem totalitar, praktika e gënjeshtrës dallohet; ajo nuk gënjen vetëm për faktet, por shfaq një përbuzje absolute për të gjitha faktet”.

Nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët

Ngjashëm, Vuçiqi, si nxënës i Putinit, sot orvatet ta paraqesë aksionin e policisë së Kosovës kundër veprimeve terroriste të policisë serbe si krim i cili nuk mund të arsyetohet. Gënjeshtra e Vuçiqit synon ta mistifikojë “realitetin” e perceptimit të situatës me të cilën u ballafaquam së voni në veri të Kosovës.

Në anën tjetër, zëdhënësi i BE-së në Kosovë, si dhe zyrtarë të lartë të ShBA-së, deklaruan qartazi se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”. Këto deklarata janë të rëndësishme, ngase e pengojnë përmbysjen e realitetit dhe mistifikimin e ngjarjes në veri të Kosovës; ky qëndrim mban në vete kriterin me të cilin bëhet dallimi midis krimit dhe mohimit të krimit.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiqi, shpalli tre ditë zie për vrasjen e terroristëve serb. Vuçiqi, zaten, përvetësoi një pjesë të konsiderueshme të skemave ideologjike të Milhosheviqit: dihet se ky përdori temën e “pakicës serbe të rrezikuar”, si arsyetim për agresionet ushtarake kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Dihet po kështu se Hitleri e pat përdorë këtë skemë të pakicës gjermane në Ceki, për agresionin ushtarak ndaj Çekisë, ngjarje kjo që shënoi hapjen e Luftës së Dytë Botërore.

Please follow and like us: