Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Asllani: Lamtumirë miku im i shtrenjtë, Sefedin Braho!

Isha shumë i vogël kur të pashë në fushën e vjetër, që hyre 16 vjeç në lojë për herë të parë me skuadrën tonë të zemrës Luftëtarin!

Që nga ai çast i fitove njëherësh zemrat e gjithë gjirokastritëve dhe u bërë idhulli tyre i përjetshëm, sikurse po i lëndon sot aq shumë me ikjen tënde!

Fituam me ty gjithçka të bukur nga futbolli ndaj i ke merituar gjithë dashurinë dhe vlerësimet e vendlindjes!

Gjirokastra do te jetë mirënjohëse për kënaqësinë e rrallë që i fale me virtuozitetin dhe talentin e jashtëzakonshëm!

Në historinë e madhe që krijove do t’i kujtoj edhe unë përherë ditët tona të bashkëpunimit, si dhe përkushtimin e qytetarinë tënde për t’i shërbyer sportit, qytetit dhe miqësisë!

Ike i varfër miku im dhe pse na pasurove shpirtin dhe na i çove kokën lart kurdoherë, në çdo stadium e fushë të blertë!

Do të na falësh që nuk ia dolëm të të kthenim atë kënaqësi që meritoje nga shteti dhe shoqëria shqiptare…!

Ne do të kujtojmë sa herë do të kalojmë në lagjen Puntore apo tek stadiumi Gjirokastrës që do të dëshiroja të mbante përgjithmonë emrin Sefedin Braho!

Është më e pakta gjë që mund të bëjmë për të na dhuruar një nder të madh edhe tani që nuk je më mes nesh!

Në imazhin dhe kujtesën tonë do të ngelesh përherë talenti yne i madh dhe futbollisti më i shpejtë në Shqipëri, sikurse e përshkruajnë këto rreshta!

“Sefedin Braho mund të jetë futbollisti më i shpejtë i kampionateve shqiptare ndër vite. Me një start dhe sprint të tillë, rrallë kanë parë pistat dhe fushat e futbollit. Një shpejtësi natyrale, një aftësi që i ka mahnitur të gjithë. Shpejtësi e kombinuar me topin në lëvizje, driblimi, ishin cilësitë që e karakterizonin në individualitetin e tij. Në testime fizike realizonte kohë rekord në garat e distancave të shkurtra, ideale dhe të admirueshme për atlet të nivelit të lartë. Dhe, kur mendon se matjet realizoheshin me kronometër dore, ndoshta koha do të ishte tjetër”.

Ngushëllimet më të thella familjes Braho, miqve dhe dashmirësve të tij të shumtë!

Ndritë në paqe shpirti yt fisnik i dashur Sefë!

Please follow and like us: