Albspirit

Media/News/Publishing

Alter ego e udhëheqësve të Shqipërisë: Banditi

Shaban Murati

Çdo udhëheqës, që ka drejtuar Shqipërinë prej 100 vitesh e deri sot, ka pasur alter ego banditin. Nuk është rastësi. Është difekt gjenetik kombëtar. Eshtë sadomazoshizmi ynë kombëtar, që nuk dimë të zgjedhim, që kemi lejuar shtetet fqinjë të zgjedhin udhëheqësit tanë dhe që glorifikojmë udhëheqësit banditë, që na shtypin dhe na rjepin.

Ndaj shohim që banditizmi politik dhe shtetëror, si në pozitë ashtu dhe në opozitë, është mënyrë sjelljeje normale për udhëheqësit banditë. Banditë me popullin, banditë me shtetin, banditë me partinë, banditë me pasuritë kombëtare, banditë me integritetin dhe sovranitetin shtetëror e kombëtar. Banditë që sundojnë shtetin me bandat e fisit dhe të krahinave të secilit. Banditë që kanë kredo morale e filozofike se shteti është pronë e njëshit, e sundimtarit dhe e fisit të tij. Shqipëria nuk ka hyrë ende në epokën e shtetit. Ajo është ende në epokën e tribusë.

Njeri është udhëheqës bandit nga origjina malore. Tjetri është bandit nga origjina rrugaçërore e qytetit. Rekuizita e tyre me kollare dhe me njohjen e gjuhës angleze e franceze nuk e fsheh dot banditizmin e tyre, që e kanë në gen dhe si mënyrë qeverisje në shtet dhe në parti. Alter ego e tyre mbetet banditi.

Zgjedhjet janë rituali i rotacionit të banditizmit në pushtet nga një udhëheqës bandit në tjetrin. Dhe Shqipëria nuk i ngjan asnjë shteti në rajon.

Ndryshimi është se ne jemi shteti bandit, që vret vetveten. Dhe këtë bëjmë me dorën e udhëheqësve banditë të Shqipërisë.

Please follow and like us: