Albspirit

Media/News/Publishing

Akademia e Shkencave dhe Gjirokastra promovon librin për liceun e qytetit dhe përmbledhjen me tregime të Shpëtim Emirit

Më 17 dhjetor në sallen “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në Tiranë dhe më 20 dhjetor në “Shtëpinë Kadare” në Gjirokastër u zhvilluan veprimtari për promovimin e dy librave: “TEMPULLI QË NA MËKOI DHE NA BEKOI ME DIJE PËR JETËN” (kujtime dhe mbresa të disa autorëve në përkushtim të 100-vjetorit të çeljes së liceut të Gjirokastrës, sot gjimnazi “Asim Zeneli”, 1923-2023) dhe “NË GJUNJË PARA MIRËSISË” – tregime për njerëz dhe ngjarje të jetuara, e autorit Shpëtim Emiri, ish nxënës i gjimnazit të Gjirokastrës.

Në Tiranë aktiviteti u realizua nga një grup ish-nxënësish të gjimnazit “Asim Zeneli” në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe portalin mediatik “5 pyetje. al”, kurse në Gjirokastër u realizua nga bashkia e qytetit dhe portali mediatik “5 pyetje. al“.  Promovimet e të dy librave u zhvilluan me sukses në prani të mjaft pjesëmarrësve, kryesisht ish nxënës të gjimnazit “Asim Zeneli”. 

Në promovimin e bërë në Tiranë referuan prof. dr. Ksenofon Krisafi, prof. dr. Ymer Çiraku, prof. dr. Mimoza Kore, poetja Vllasova Musta, ing. Ylli Asllani, ing. Shpëtim Emiri, si dhe regjisori Leonard Bombaj, ndërsa në promovimin e bërë në Gjirokastër referuan prof. dr. Ksenofon Krisafi, prof. dr. Ymer Çiraku, prefekt i qarkut Gjirokastër dhe shkrimtari Odise Kote, shkrimtari Thanas Dino, inxhinier-arkitekti Ibrahim Emiri, si dhe autori i librit inxhinieri Shpëtim Emiri.

Në Gjirokastër takimin e përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë, zoti Flamur Golemi. Të dy promovimet u moderuan nga prof. dr. Ksenofon Krisafi dhe prof. dr. Ymer Çiraku.

Në promovimin e librit “Tempulli që na mëkoi dhe na bekoi me dije për jetën” referuesit evidentuan vlerat e ish liceut të Gjirokastrës, sot gjimnazi “Asim Zeneli”, si tempull i kulturës dhe vatër e dijes, jo vetëm për qytetin e Gjirokastrës, por për krejt Shqipërinë, sepse në atë gjimnaz në vite kane ardhur nga pothuaj i gjithë vendi nxënës që kanë mësuar apo pedagogë që kanë dhënë mësim.

Ismail Kadare, gjeniu i letrave shqipe, i cili ka qenë nxënës i atij gjimnazi, ka bërë vlerësimin e gjithëpranuar se Gjirokastra magjike kishte dy kështjella: kalanë hijerëndë mesjetare, si simbol të qëndresës dhe ish-liceun apo gjimnazin e ndritshëm, si simbol të dijes dhe kulturës.

Gjimnazi “Asim Zeneli” është konsideruar “Tempull i Dijes”, jo vetëm prej ndërtesës mjaft impozante, por sidomos prej trupave pedagogjike cilësore, si dhe nivelit te lartë të mësimdhënies. Ai gjimnaz i ka dhënë Atdheut jo vetëm qindra personalitete të shquara të dijes, shkencës e kulturës, por edhe rreth 150 luftëtarë që rrëmbyen armët për çlirimin e vendit të pushtuar nga nazi-fashistët, një e treta e të cilëve e dhanë jetën në lulen e rinisë, duke luftuar heroikisht për liri. 

Ideja për botimin e një libri me mbresa e kujtime kushtuar gjimnazit emblematik të Gjirokastrës lindi midis një grupi të vogël ish-gjimnazistësh rreth një vit para 100-vjetorit jubilar të tij, jo vetëm si një dëshirë nostalgjike, por sidomos si një obligim qytetar. Botimi i librit u bë i mundur me sponsorizimin e Bashkisë Gjirokastër dhe mbështetjes së portalit mediatik “5 pyetjet. al”. Grupi përgatitës i botimit shprehu në të dy promovimet falenderimet e sinqerta për zotin Flamur Golemi, kryetar i Bashkise Gjirokastër, si dhe për zotërinjtë Ilir Babaramo e Alket Veliu, drejtuesit e portalit, të cilët me dashamirësi mundësuan botimin e librit. 

Libri përmban një mozaik shkrimesh që karakterizohen si nga elementë të përbashkët, ashtu edhe të ndryshëm. E përbashkëta është se shkrimet kanë të njëjtin objekt, gjimnazin “Asim Zeneli”, si dhe i përkasin të njëjtës moshë, moshës së bukur rinore të gjimnazistit. E ndryshmja në shkrime ka të bëjë me faktin që mbresat e kujtimet janë shkruar nga ish-nxënës të gjimnazit, tashmë me mosha të ndryshme, me kënd-vështrime të ndryshme, si dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme në kohë. Shumica e shkrimeve përshkohen nga nostalgjia për vitet e bukura të gjimnazit, për zilen simbolike të fillimit të viteve shkollore, nga respekti e nderimi për pedagogët e pasionuar e të përkushtuar, nga malli për shoqërinë e miqësinë e pastër e të sinqertë të gjimnazistit

Në promovimin e zhvilluar në Akademinë e Shkencave, zoti Ylli Asllani, bashkautor i librit, nisur nga fakti që Liceu i Gjirokastrës, sot Gjimnazi “Asim Zeneli”, është dëshmi e lidhjes midis kulturave franko-shqiptare, sugjeroi që të shihet mundësia e transmetimit në autoritetet kompetente franceze të dëshirës sonë për një vlerësim honorifik prej tyre, si akordimin e një dekorate apo titulli nderi. 

U mirëprit gjithashtu edhe ideja që t’i dërgohet propozim Presidentit të Republikës për akordimin gjimnazit “Asim Zeneli” të dekoratës së lartë “Nderi i Kombit”.

Referuesit në promovime theksuan se ky libër, si kontribut modest me mbresa e kujtime të disa prej ish-nxënësve për gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës mund dhe duhet të pasohet në të ardhmen me botime të tjera me shkrime e kujtime për atë gjimnaz, që mbetet objekt frymëzimi për gjithë ata breza që u edukuan dhe brezat që do të vazhdojnë të edukohen aty. 

Në promovimin e librit “Në gjunjë para mirësisë”, u tha se autori Shpëtim Emiri, ish nxënësi i dalluar i gjimnazit “Asim Zeneli”, ndoshta sepse hyri disi me vonesë në rrugën e bukur të letërsisë, me krijimtarinë e tij, duket sikur kërkon të fitojë “kohën e humbur”, gjë që e dëshmon fakti që ky është libri i dhjetë i tij. Libri përfaqëson një përmbledhje me tregime për njerëz dhe ngjarje të jetuara, të shkruara jo vetëm me thjeshtësi e vërtetësi, por edhe me mjaft emocion artistik. Në diskutime u evidentua se libri përshkohet nga një ndjenjë e thellë njerëzore mirësie e deri në dhemshuri për çdo qënie njerëzore të shpërfillur nga fati, si për fëmijët e njomë, të cilët duke punuar luftojnë me sakrificë të shenjtë për mbijetesë, ashtu edhe për të moshuarit e vobektë e të braktisur, nga indiferenca e pa mëshirëshme e shoqërisë dhe shtetit.

U theksua gjithashtu se ky libër është një mozaik rrëfimesh, ku përshkruhen me një gjuhë plot figuracion situata të ndryshme dramatike me ndjesi therrëse, apo situata komike me humorin e këndshëm karakteristik të autorit. U vu në dukje se në libër spikat veçanërisht respekti për njerëzit e thjeshtë e të mirë të kudondodhur në trevat ku ka punuar autori, si dhe mirënjohja e sinqertë për të gjithë miqtë që i kanë ofruar atij mirësi. Libri karakterizohet jo vetëm nga shtrirja gjeografike pothuaj në të gjithë teritorin e vendit ku autori-inxhinier ka punuar, por edhe nga gjuha e pastër e plot ngjyrë nëpërmjet fjalë-formimeve të reja apo dialekteve të Gjirokastrës, Devollit, Labërise, Mallakastrës e Myzeqesë, të cilat autori i përdor me mjeshtëri në dialogë.  

U përmend se në libër mund të kontaktosh me një galeri të larmishme personazhesh interesantë të gjinive, moshave, krahinave, përkatësive fetare apo profesioneve të ndryshme, duke filluar nga fëmijët e çiltër e të shkathët deri tek pleqtë e moçëm me thinja. Në faqet e tij shfaqet filozofia popullore e njerëzve të thjeshtë, përshkruhen kantiere të ndryshme ndërtimi, ku përmenden me respekt të vlerësuarit nga populli si “lugatë të punës”, përshkruhen miq të thjeshtë e të mirë italianë e deri tek ambasadori i Vatikanit në Shqipëri. Me humor miqësor e dashamirësi përshkruhen në libër personazhet pozitive, ndërsa me përbuzje e sarkazëm trajtohen disa personazhe negativë e kontraversë. Përshkrim mjaft rrënqethës deri lemeritës i behet trafikut kriminal me gomone të qënieve fatkeqe njerëzore, si dhe absurditetit të strukturave shtetërore para skenave makabre.

Autori i librit Shpëtim Emiri, u inkurajua nga diskutantët se me përvojën e tij të pasur jetësore e profesionale si inxhinier, sigurisht që ka shumë subjekte, që ia vlen të shkruhen, kurse me përvojën e tij letrare si shkrimtar, tashmë i afirmuar në ambientet letrare, pa dyshim edhe në të ardhmen duhet të shkruajë libra, që do t’ia vlejnë të lexohen.   

Promovimi i të dy librave bashkërisht ishte një organizim i bukur, jo vetëm për përkujtimin e vlerësimin e gjimnazit të shquar, por edhe të njerit prej ish nxënësve të dalluar të asaj shkolle, si një përfaqësues i kulturës e qytetarisë gjirokastrite.

*

Në përfundim të aktivitetit të zhvilluar në Gjirokastër, në takimin e përzemërt të rezervuar nga kryetari i bashkisë, Flamur Golemi, u diskutua ndër të tjera edhe për një propozim të iniciuar mbi një vit më parë për hapjen e galerisë së arteve “Mumtas Dhrami” në Gjirokastër. Mumtasi, i vlerësuar me titujt “Skulptor i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” është autor i shumë veprave monumentale, si dhe laureat i disa çmimeve kombëtare e ndërkombëtare. Ai, me veprat e pa numurta skulpturore, është ikonë e artit pamor, që sfidon me punë e krijimtari edhe moshën e thyer 88 vjeçare. Skulptori i shquar gjirokastrit, i cili mbetet shembull frymëzimi për thjeshtësinë njerëzore dhe për vullnetin e përkushtimin në krijimtarinë artistike, ka treguar edhe një gjest të veçantë e të admirueshëm qytetar, duke shprehur dëshirën që të gjithë koleksionin mjaft të pasur të krijimtarisë artistike në skulpturë e vizatime, që ndodhet aktualisht në studion e tij, t’ia dhurojë Gjirokastrës, vendlindjes së tij të dashur.

Kryetari i bashkisë ritheksoi gatishmërinë e tij për hapjen e galerisë së arteve “Mumtas Dhrami” sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe porositi nëpunësit përkatës që brenda janarit 2025 të përfundojnë proçedurat dhe formalitetet e duhura juridike, në mënyrë që të vazhdohet menjëherë me seleksionimin, inventarizimin, transportin dhe sistemimin e koleksionit në galerine e artit.  

Në emër të grupit organizator të promovimit të dy librave prof. dr. Ksenofon Krisafi i shprehu Kryetarit te Bashkise falenderimet më të përzemërta, duke premtuar bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm për realizimin me sukses të galerisë, që do të jetë një vlerë e shtuar për Gjirokastrën.

Promovimi i dy librave në sallën kryesore të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, 17 dhjetor 2024.

Promovimi i dy librave në “Shtëpinë Kadare” në Gjirokastër, 20 dhjetor 2024.

Please follow and like us: