Hapja e Ciklit Dimëror të Kinemasë Botërore – Bujar Alimani dhe Regjisorë të Rinj
Rafaela Prifti
Pesë filma shqiptarë u shfaqën në sallën e shtëpisë së artit La Nacional mbrëmë në natën e hapjes së Ciklit Dimëror të Kinemasë Botërore, një aktivitet tri-ditor ku debutojnë me krijimet e tyre artistë nga pesëmbëdhjetë vende të botës. Për rreth dy orë e gjysmë, përzgjedhja e projeksioneve solli freskinë vizuale dhe elegancën filmike në filmat e shkurtër të regjisoreve të reja Dora Nano, Savina Alimani dhe Meri Dishnica krahas prurjes dramatike të dilemës morale në ekran nga Dhimiter Ismailaj Valona për të sjellë, në fund, filmin me metrazh të gjatë në stilin e dramës psikologjike me intensitet emocional të regjisorit të mirënjohur të kinematografisë bashkëkohore shqiptare Bujar Alimani.
Prezantuesi Walter Krochmal falënderoi organizatorët e Bronx World Film Cycle, një shoqatë jofitimprurëse, që beson te forca e filmit të pavarur për integrimin shoqëror. “Pikënisja e projektit të panoramës filmike nga institucioni më i vjetër kulturor spanjoll Shoqëria La Nacional në Manhattan vjen nga nisma Illyria e Madhe (Greater Illyria Initiative), ” tha ai.
Mes miqve dhe mysafirëve që ende uronin vitin e ri që sapo hyri, regjisori Bujar Alimani theksoi rëndësinë që ka përfaqësimi në platforma ndërkombëtare i filmave shqiptarë dhe veçanërisht debutimi i regjisoreve të reja që ato të kenë hapësirë dhe mundësi të jenë përpara audiencës. Alimani është vlerësuar për mjeshtërinë e tij regjisoriale dhe talentin si skenarist. Ai ka arritur të fitojë adhurimin e brezave të kinestëve të rinj, të cilët ai i inkurajon me dashamirësi në rrugën e tyre.
Pas projeksioneve, çifti i muzikantëve të njohur popullorë Merita Halili dhe Raif Hyseni kënaqën spektatorët me një përzgjedhje të harmonizuar të repertorit të tyre, të shoqëruar nga Lev “Lyova” Zhurbin në fidel në disa pjesë të muzikës izraelite të Evropës lindore.
Jashtë dritareve të larta të katit të dytë të La Nacional valëvitej flamuri spanjoll por shtëpia ishte plot me muzikë dhe kulturë shqiptare, me mysafirë e artdashës të ardhur nga Bruklin, Bronksi e Nju Xhersi dhe deri nga Italia. Natyrisht, arti asnjëherë nuk ka njohur kufi por dhënia e mundësisë artistëve tanë u jep hapësirën ku të shfaqin aftësitë e tyre. Mbështetja dhe nisma të tilla nga Bujar Alimani, e bëjnë të pranishme kinematografinë shqiptare në jetën artistike të Nju Jorkut duke gjetur vend në prezantime ndërkombëtare në cikle të vazhdueshme.
Cikli dimëror vazhdon edhe gjatë ditës së sotme dhe mbyllet nesër.