Zana Tako: Mos rri zgjuar natën vonë!
Me emrin tim në buzë pjalmon ëndrrën,
me të dehesh pirë e jo velur.
Nuk të vishen sytë kur sheh dritën e diellit,
përpara saj çarmatosesh,
si luftëtari kur dorëzon armën e betejës.
*
Fikur e jo zgjuar ëndrra jote,
ku shtrin krahët hapësira e motit.
Vjen jo si luftëtar i betejave të të fortit,
por i gjunjëzuar si trim i luftës me të fortin.
*
Nuk të gjuaj me vështrim,
nuk luaj as me puthjen tënde.
Për mua je i vetmi ndriçim,
ku notoj hapësirës tënde.
*
Lufton me yjet,
por shpejt lodhen krahët e tu,
quhet betejë e humbur,
të gjesh yllin që fshihet nga sytë e tu.
*
Mos rri zgjuar natën vonë,
të gjesh ndriçim për syrin tënd,
se vij e bëhem yll në çast,
të ulem në prehërin e mendimit tënd.
Please follow and like us: