Frank Shkreli: SHKOI NË AMSHIM “PAPA I SHQIPTARËVE”
Papa Françesku ndërroi jetë mengjesin e ditës së Hënë të Pashkëve – shkoi nga kjo botë, “Papa i popullit”, (The people’s Pope), siç njihej anë e mbanë botës. Por ishte veçanërisht edhe Papa i Kombit shqiptar – i shqiptarëve kudo. Si një simbol tepër domethënës për të treguar këtë dashuri të posaçme për Kombin shqiptar, Papa Françesku, pak mbasi ishte zgjedhur udhëheqës i Kishës Universale Katolike, kishte vendosur të vizitonte Shqipërinë –vendin e parë evropian – pasi ishte zgjedhur zevëndës i Shën Pjetrit. “Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat ta vizitoj atdheun tuaj, ‘tokën e shqiponjave’, si edhe për pritjen tuaj kremtore”.
Para se të shkelte në tokën shqiptare, Papa Françesku kishte njoftuaar botën se kishte pranuar ftesën e Kishës Katolike Shqiptare dhe të udhëheqësve politikë të vendit, se me 21 shtator, 2014 do bënte vizitën e tij të parë në Shqipëri dhe të parën vizitë si udhëheqës i Kishës Katolike në kontinentin evropian. Para mijëra pelegrinëve në Vatikan, Papa qe shprehur se po shkonte në Shqipëri me qëllim “për të inkurajuar pakicën katolike në atë vend, si edhe popullin shqiptar në përgjithësi, i cili ka vuajtur shumë dhe për një kohë të gjatë, si pasojë e ideologjive të kaluara, nën një diktaturë komuniste, e cila e shtypi dhe e izoloi popullin shqiptar nga bota, për pothuaj një gjysmë shekulli”. Ndërkohë që një zëdhënës i Vatikanit ka theksuar për gazetarët se vizita e parë e Papës në Europë, po bëhej në një vend me një histori persekutimesh shoqërore dhe fetare, si dhe në një vend të prekur nga varfëria e vazhdueshme. Por siç vunë në dukje lajmet e kohës, vizita e Papa Françeskut në Shqipëri ka pasur për qëllim, gjithashtu, që ndër të tjera, me vizitën e tij në trojet shqiptare, udhëheqësi i Kishës Katolike, të tregonte nderimin dhe të deklaronte respektin e tij për bashkëjetesën dhe tolerancën fetare që, historikisht, ekziston midis shqiptarëve të feve të ndryshme. Një traditë kjo dhe një thesar kombëtar, i cili është pasqyruar, botërisht, si shembull bashkëjetese ndërfetare dhe ndërkombëtare, jo vetëm në Balkan dhe në Europë, por edhe më gjerë.
“Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjelltë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për përsiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij”.
Vizita e Papës Françesku në Shqipëri në shtator 2014, ashtu siç ishte edhe vizita e Papës Gjon Palit të Dytë më 1993 në tokën arbërore, megjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij, qofshin ato për arsye fetare ose politike, tregon se gjithçka ngjallet e përtërihet, se e mira më në fund, triumfon mbi të keqën, se e Vërteta ngallënjon mbi gënjeshtren. “Me këtë vizitë të shkurtër dua të vërtetoj mbështetjen time për Kishën Shqiptare dhe njëkohsisht të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time për një vend i cili ka vuajtur, aq shumë dhe gjatë, nga pasojat e ideologjive të kaluara.” (Papa Françesku)
Me 21 shtator të vitit 2014, në Tiranë, Ati i Shenjtë Françesku iu drejtua mbarë popullit shqiptar, ndërsa e përshëndeti përzemërsisht por edhe duke i lënë shqiptarëve, disa porosi, që sidomos, në ditën e kalimit të tij në amshim, mund të jenë më aktuale se kurrë për realitetin politik e shoqëror të vendit, pa harruar kurrë se “shqiponja nuk e harron folenë… prandaj, fluturoni lart”! U ka thenë Papa Franaçesku shqiptarëve. Pastaj, “uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në Flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira”.
Fjalët e përzemërta gjatë vizitës së Papa Fraçeskut gjatë vizitës së tij në Shqipëris dhe përshëndetjet e mëvonshme për Kombin shqiptar dhe vuajtjet e tija gjatë historisë kanë kumbuar gjatë viteve dhe vazhdojnë të tingëllojnë edhe sot — ditën e kalimit të tij në amshim — në veshët e shqiptarëve dhe të udhëheqsve të tyre.
Me të marrë lajmin e kalimit në amshim sot të Papa Françeskut, liderët shqiptarë – në Shqipëri dhe në Kosovë – kujtuan fjalët e tij dhe përkujdesjen e veçant të tij të vazhdueshme dhe të sinqert të Papa Françeskut për Shqipërinë, për Kosovën dhe mbarë Kombin shqiptar.