Mehmetali Rexhepi: Me James Brown
(James Brown, 1933 – 2006)
Si u çilke lulet e këngës
Lehtë, lehtë aq lehtë
e ma mbështjellje timen zemër
si diell nate që rrezonte tinguj
dhe melodinë e tëholloje me limë tingujsh
në tetë copë atë zemërkëlthitjeve ua shtroje
drithëruese secila copë
magnetizuese çdo ngritje-zbritje melodie
përmes tingullit shpirtit i thoshe dil
dil ore dil
nga zymtësia jote e plogështisë
*
dil
se je bilbil
e vdekjen e ke pos në këngë
nga një syprinë
këngës ia shpie dashurinë
në majën e bjeshkës piramidë të lartë
dhe e zbrisje poshtë në luginë
të rridhte me gurgullimë
borën që shkrin…
*
nëse aorta nuk ka valëzim shtytjeje
në grykë zemre të melodisë
për secilën zemër
jepi dhe grahmat e fundit
se doje që melodia për galdimin
të kumbonte ta tundte drithërimin
fort, fort, fort
ritëm, ritëm, ritëm i prekshëm rrëqethës
dhe jepi jepi tok, tok, tok, jepi
ritmet prekin edhe të vdekshmit
*
ngjyrat drithëruese të këngës
i djegin dhimbjet tuaja në mua
thoshe: unë ngre me kordat melodike ura
aty ku ju kam
gjithandej në këngë
bilbil dil në ballë
ti tenor i korit
që kalleshe flakë
dhe turmën e hidhje në delir të galdimit.
Gjilan, prill 2025.
Post Scriptum:
James Joseph Brown ishte një këngëtar, kompozitor, balerin, muzikant dhe producent muzikor amerikan. Paraardhësi qendror i muzikës funk dhe një figurë e madhe e muzikës së shekullit të 20-të, ai përmendet me epitete të ndryshme, ndër të cilat “Z. Dynamite”, “Njeriu më punëtor në biznesin e shfaqjeve”, “Ministri i Funkut të Ri Super të Rëndë”, “Kumbari i Soulit”, “Mbreti i Soulit” dhe “Vëllai Soul Nr. 1”. Me një karrierë që zgjati më shumë se 50 vjet, ai ndikoi në zhvillimin e disa zhanreve muzikore. Brown ishte një nga dhjetë artistët e parë të pranuar në Sallën e Famës së Rock and Roll më 23 janar 1986. Muzika e tij është ndjekur shumë nga muzikantë hip-hop dhe artistë të tjerë.