Jorida Tollkuçi: Biblioteka mbishekullore e Korçës
Çdo komb në jetën e vet ka prodhuar histori që është dëshmitare e vërtetë e gjithë brezave.
Mirëpo që të trashëgohet historia, ajo duhet shkruar në libra, e më pas librat duhen ruajtur si dëshmi e përpjekjeve për t’i dhënë përgjigje së shkuarës, për të dëshmuar të tashmen dhe për të projektuar të ardhmen.
Gjenia njerëzore krijoi bibliotekat me qëllim që historia e jetës njerëzore të mbetet gjithmonë e shkruar dhe e gjallë.
Në këtë rrugëtim biblioteka, si institucion kulturor thelbësor eci në rrethana shpesh te vështira të rrjedhës së historisë, por e mbështetur në dëshirën dhe dashurinë e fortë të korçarëve për kulturën, librin dhe dijen.
Një bibliotekë e VATRËS në Korçë
Ditën e shtunë, më 23 korrik të vitit 1921, gazeta “Koha”, më dinjitozja dhe më e lexuara në Shqipëri dhe e botuar në qytetin e Korçës nga patrioti Mihal Grameno shkruante:
“THIRJE
Federata Vatra e Shqipërisë prej ca muaj më parë kishte vendosur formimin e një Biblioteke Popullore, dhe si u bënë gati gjithë sendet e nevojshme biblioteka u stabilizua në një dhomë prej zyrave të saj, e pajisur me rregulloren e saj, drejtuar nga sekretari i qendrës së Vatrës Z.Miçe Frashëri.”
Kryeartikulli shoqërues titullohej: “NEVOJË E MADHE PËR NJË BIBLIOTEKË BOTORE”.
Nevoja për një bibliotekë rridhte nga trekëndëshi “shtypshkronjë – botime – bibliotekë” të lidhur me mendimin e formësuar intelektual. Nga ekzistenca e shtypshkrojnës mbështeten botimet të cilat tregojnë pjekurinë e mendimit intelektual të kohës. Themelimi i Bibliotekës shënon një element të rëndësishëm për të dokumentuar mendimin përparimtar, shkrimi i të cilit filloi një dekadë më parë me botimin e gazetës së parë në Korçë, e cila ishte “Korça”, e vitit 1908, që drejtohej nga Sami Pojani në shtypshkronjën e tij.
Pas kësaj vjen “Lidhja Ortodokse” 1909-1910. Më pas, gazeta “Adriatiku”, që u botua në shtypshkronjën e patriotit Dhori Kotti në vitet 1916-1917. Po ashtu, Mihal Grameno filloi në 1911 botimin e të mirënjohurës ”Koha”, që me disa ndërprerje vazhdoi deri në 1926. Pas kësaj, në vitet 20-30 të shekullit që kaloi në Korçë pati një bum të vërtetë botimesh, ku numëroheshin mbi 15 gazeta.
Federata Panshqiptare Vatra në SHBA 100 vjet më parë, më 20 korrik të vitit 1921, do të ndizte zjarrin e dijes edhe në qytetin e kulturës, duke krijuar “Bibliotekën Popullore “e para në Shqipëri”, siç do te shkruante përkujdestari i bibliotekës e sekretari i qendrës së Vatrës z. Miçe Frashëri. Kjo bibliotekë e pasuruar me botimet e Federatës Vatra e dhurimet e kolonive shqiptare të Misirit, Rumanisë dhe Bullgarisë ishte e vendosur pranë Bashkisë dhe kishte një rregullore të saj. Në vitin 1930 biblioteka transferohet në ndërtesën e re, për të cilën investoi tregtari bamirës z. Thoma Turtulli.
Për pasurimin e saj ndikuan mjaft patriotë korçarë brenda dhe jashtë vendit. Z. Nikolla Lako, drejtori i parë i bibliotekës, kishte ruajtur me kujdes fondin e librave me tematikë albano-ballkanologjike të Alandro Kastriotit si dhe botimet e veta. Vijuan më tej dhurimet e patriotit Spiro Dine, përfshi edhe botimin original të veprës së Thimi Mitkos, emrin e të cilit biblioteka jonë e mban me krenari, “Mbleta Shqyptare”, vepër monumentale për ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, abetarja e Naum Veqilharxhit. Më tej dhurimet nga patriotët e mërgimit, midis tyre dhe “Historia e Skenderbeut”, botim i vitit 1602, si dhe librat dhe gazetat qe botonte patrioti Dhori Kotti në shtypshkronjën e tij, me botimet bukureshtiane, me bibliotekën personale të historianit, patriotit dhe publicistit Petraq Peppo, dhe shumë dhurime të tjera.
Në vitin 1975 biblioteka publike e Korçës u transferua në godinën të cilën e projektoi arkitekti Petraq Kolevica.
Biblioteka e Korçës sot
Në vitin 2017 u hodhën themelet për ndërtimin e një biblioteke moderne në qendër të qytetit, me një fond të pasur dhe të rrallë materialesh albanologjike, letrare, publicistike dhe shkencore, një bibliotekë në evolucion, atje ku trashëgimia bashkëjeton me teknologjinë, ku hapësirat nuk shërbejnë vetëm si salla librash, por të dedikuara për t’u shndërruar në qendra të inovacionit, rekreacionit dhe partneriteteve, duke ndihmuar në përparimin dhe emancipimin e komunitetit, veçanërisht të brezit të ri.
Në vitin 2021 teknologjia ndryshoi gjithçka. Ne jemi në rrugë e sipër që çdo material që ndodhet në bibliotekë si dhe sherbimet e bibliotekës, në përputhje me ligjet e shtetit dhe të drejtën e autorit, të automatizohen dhe dixhitalizohen në mënyrë që t’u jepen përdoruesve falas dhe me shpejtësi.
Kështu, bashkë me sfidat e njohura biblioteka prezantohet edhe me një sërë risish:
1. Automatizimi i shërbimeve të brendshme të bibliotekës përmes softit dhe web-it, të financuara nga kompania Vodafone.
2. Krijimi i Bibliotekës Digjitale, digjitalizimi i veprave më të vlefshme në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare.
3. Audiobooks, mundësuar nga kompania e sigurimeve Sigal, për dëgjimin e librave më të mirë audio.
4. Akses falas në burimet elektronike dhe produktet teknologjike të të dhënave të EIFL (informacioni elektronik për bibliotekat).
5. Krijimi i këndit arkivor, i cili ofron shërbimet e dhomës së studimit të të gjitha arkivave që janë nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
6. Projekti Biblio-Tech, në bashkëpunim me UNICEF. Projekti më i ri që do ta lançojmë në ditët në vijim, i cili fokusohet në mësimin digjital, edukimin teknologjik, mjediset inovative për start-up, dhe wi-fi miqësor, që ka të bëjë me mbrojtjen nga materiale të papërshtatshme në internet.
7. Ofrimin e shërbimit online BIBLIOTEKA IME përmes faqes së internetit. Ky shërbim online funksionon në COBISS + dhe mundëson menaxhimin personal të materialeve të bibliotekës falë bashkëpunimit të Bibliotekës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Institutin e Shkencave të Informacionit IZUM në Slloveni.
8. Dhe një projekt në vijim që do të jetë funksionimi i bibliotekës si hapësirë informimi përmes Muzeut Virtual nga Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë, i vlefshem për turistët vendas dhe të huaj që do të vizitojnë qytetin e Korçës.
100 vjetori i Bibliotekës së Korçës dhe sfidat tona për të ardhmen
Viti 2021 ka një domethënie të veçantë në lidhje me librat dhe bibliotekën. Festojmë 100-vjetorin e krijimit të bibliotekës, por në të njëjtën kohë kemi çelur dyert e bibliotekës publike moderne, e para e këtij lloji në Shqipëri për t’i dhënë librit vendin e merituar në një botë ku në Shekullin e XXI-të bibliotekat kanë ndryshuar, kanë më tepër se libra, duke iu përshtatur ndryshimeve të teknologjisë ato janë shndërruar në hapësira për aktivitete krijuese dhe transformuese.
Në datë 10 dhjetor 2021 në ambientet e bibliotekës së re u zhvillua ceremonia e 100-vjetorit të themelimit të Bibliotekës së qytetit të Korçës. Për të nderuar jubileun merrnin pjesë personalitete të rëndësishme nga fusha akdemike, e kulturës, punonjës të vjetër të bibliotekës, miq të librit. Në nderim të veprës dhe kontributit të patriotëve dhe për të shpalosur thesaret e kësaj biblioteke u çel ekspozita “Krijimi i bërthamës së Fondit Albanologjik” së bashku me mini-muzeun “Biblioteka në rrjedhën e historisë”, i cili do të zgjerohet në vazhdim me figura të tjera që i kanë shërbyer bibliotekës, figura që kanë kontribuar në pasurimin e saj, punonjës e drejtues të cilët kanë shërbyer me dinjitet dhe profesionalizëm. Në fjalën përshëndetësë kryetari i bashkisë, Z. Sotiraq Filo, u shpreh se biblioteka e shekullit të ri duhet të rimodelojë konceptin e saj për t’i ardhur në ndihmë lexuesve, veçanërisht gjeneratës se re. Ashtu siç e ka zanafillën edhe kjo bibliotekë, u shpreh ai…”që djalëria korçare të lerë kafenetë e t’i drejtohet librit” duket se është aktuale edhe sot.
Në fjalën përshëndetëse drejtori i Bibliotekës Kombëtare Z. Piro Misha, vlerësoi Bibliotekën “Thimi Mitko” dhe u shpreh se biblioteka e Korçës duhet të jetë shembull frymëzimi për të gjitha bibliotekat e tjera, gjithashtu u shpreh për bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare në të ardhmen.
Ndërsa Z. Agron Alibali, në emër të Federatës Panshqiptare VATRA të Amerikës, të kryesisë së saj, përkatësisht Kryetarit Elmi Berisha, të zv. Kryetarit A. Xhafa, të editorit të Gazetës Dielli, z. Sokol Paja, përcolli përshëndetjet dhe urimet më të ngrohta me rastin e këtij përvjetori historik, edhe në emër të Bibliotekës “Fan S. Noli” në Boston, ose siç e quajmë ndryshe, Biblioteka Noliane, të ngritur nën kujdesin e veçantë të At Artur Liolinit dhe të drejtuar me pasion e përkushtim nga Znj. Neka Doko.
Nuk munguan edhe dhurimet e librave si pjesë e pandarë e bibliotekës në kuadër te 100-vjetorit. Përmendim dhurimet e Bibliotekës Kombëtare, Akademisë së Shkencave, Shtëpia Botuese “Dritëro”, Federata Vatra, Znj. Natasha Lako, Z. Pëllumb Kulla dhe botimet e Vedat Kokonës. Në përfundim të aktivitetit pjesëmarrësit ndoqën performancën live muziko-poetike “Dritë Dritëro”, me pjesë të zgjedhura nga krijimtaria poetike e Dritëro Agollit në vargje dhe këngë.
Në këtë përvjetor historik ne jemi mirënjohës për gjithçka kanë bërë vatranët dhe të gjithë qytetarët e Korçës e më gjerë për bibliotekën tonë. Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim të ngushtë me Vatrën dhe gjithë diasporën tonë në Boston e më gjerë dhe mirëpresim çdo mbështetje të arsyeshme të tyre për pasurimin e mëtejshëm të fondit, për ofrimin e fjalës së fundit në bibliotekonomi dhe në teknologjinë e informacionit për emancipimin e komunitetit, e veçanërisht për brezin e ri.