Albspirit

Media/News/Publishing

Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE

Krerët e 47 shteteve dhe qeverive, si dhe të institucioneve të BE-së, mbajtën të premten seancën plenare të Samitit të Gjashtë të Komunitetit Politik Europian (KPE).

Në fjalët e para të rastit, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, si mikpritës të takimit, e përqendruan diskutimin e tyre te siguria e Europës, mbështetja për Ukrainën, mbrojtja e demokracisë dhe nismat e përbashkëta ndaj kërcënimeve të ndryshme që përball kontinenti.

Pse mos të imagjinojmë një KPE të arsimit, të shkencës, e të inteligjencës artificiale? Një aleancë ndërkombëtare përtej armatimit,” theksoi z. Rama, ndërsa presidenti Costa ngriti pyetjen për rolin e Evropës në një “botë dhe rend të ri botëror”, mes agresionit rus në Evropë dhe tragjedisë në Gazë.

Kjo luftë e Rusisë ndaj Ukrainës duhet të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë të drejtë. Ukraina ka nevojë për paqe dhe paqja në Europë varet nga fakti nëse Ukraina do e marrë atë,” bëri thirrje kryeshtetari i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Tema e takimit në Tiranë, i cili mbahet për herë të parë në Ballkanin Perëndimor, ishte “Europa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – aksion i përbashkët“. Përveç shteteve anëtare të BE-së, samitit iu drejtuan edhe zyrtarët më të lartë të shtetit nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Turqia.

Zhvillimet e fundit

Von der Leyen: Europa, më e bashkuar. Lufta në Ukrainë duhet të marrë fund!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka folur për një Europë më të bashkuar sot. Në fjalën e saj në seancën e parë plenare, Von der Leyen tha se “Europa është zgjuar” dhe se e ka të qartë rrugën për të ecur përpara. Sikurse edhe liderët europianë, ajo deklaroi se Europa qëndron në krah të Ukrainës dhe se nuk do të ndalojë përpjekjet për arritjen e një paqeje. Von der Leyen shtoi se po përgatitet edhe një paketë e re sanksionesh ndaj Rusisë.

Ajo që perceptuam si rend botëror po kthehet në çrregullim botëror i nxitur nga ambiciet imperialiste të Putinit dhe betejat e tjera. Nevoja për një thirrje për Europën për t’u zgjuar është artikuluar një sërë herësh. Sot Europa është zgjuar, i ka sytë hapur dhe ne e dimë që duhet të ecim përpara, na duhet të ndërtojmë këtë qëndresë tonën dhe të thellojmë rrjedhjen e partneriteteve në të gjithë botën. Europa është bashkuar më shumë në këtë pikë kthese të historisë dhe Europa ka qëndruar e bashkuar në mbështetjen e saj të palëkundur ndaj Ukrainës. Fakti që jemi të ulur këtu së bashku me ju Volodymyr është provë e bashkimit tonë të palëkundur. Sanksionet kundër Rusisë po japi efekt dhe ne jemi gati të bëjmë më shumë për ta sjellë Putin në tryezën e negociatave. Kjo luftë duhet të përfundojë! Ne duam paqe, kështu që po punojmë për grupin tjetër të sanksioneve. Ka ardhur koha të angazhohemi seriozisht për paqe”, tha ajo.


Merz: SHBA nuk duhet ta humbasim si aleate, shpenzimet ushtarake të jenë më efektive

Kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se Evropa po përballet me një sfidë të paprecedentë që nga dekadat e fundit: luftën në Ukrainë. Nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, Merz shtoi se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm për paqen dhe lirinë në kontinentin evropian. Ai gjithashtu foli për nevojën që rritja e shpenzimeve ushtarake të mos jetë thjesht çështje fondesh, por e efikasitetit.

“Në kontinentin tonë kemi një sfidë që se kemi parë për disa dekada. Lufta në Ukrainë nuk është një luftë vetëm kundër këtij vendi, por është një gjë e drejtuar ndaj të gjithë rendit dhe Evropës. Përpjekjet tona kanë treguar një sukses shumë të vogël diplomatik. Fakti që ato po takohen, është një sinjal i vogël, por i fortë. Duhet të bëjmë edhe më shumë  në përpjekjet diplomatike, por edhe të forcojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën. Duhet të bëjmë çdo përpjeke që amerikanit t’i kemi në anët tonë. Nuk mund ta zëvendësojmë kurrsesi SHBA-në, për ato që bëjnë në kontinentin tonë, për paqen dhe lirinë tonë”, tha Merz.


Starmer: Nëse Rusia nuk ulet për bisedime me Ukrainën, Putin duhet të paguajë çmimin

“Nëse Rusia nuk ulet në tryezën e bisedimeve me Ukrainën, Putin duhet të paguajë çmimin”, kështu ka deklaruar kryeministri britanik Keir Starmer në fjalën e tij në seancën plenare të Samitit të 6 të Komunitetit Politik Europian që po mbahet në Tiranë. Starmer u shpreh se sfida më urgjente sot është sigurimi i një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ai theksoi se armëpushimi është jashtëzakonisht i nevojshëm, ndërsa shtoi se nëse një gjë e tillë nuk arrihet, nevojitet vendosja e sanksione ndaj Rusisë.

“Të garantojmë argumentin e mbështetur nga Trump për një armëpushim të pakushtëzuar dhe se Putin duhet të vijë në tryezë për ta diskutuar këtë gjë. Tani që kemi nxjerrë këtë ultimatum, duhet të jemi të përgatitur për ta ndjekur deri në fund. Nëse Rusia nuk do të ulet në këtë tryezë bisedimesh, Putin duhet të paguajë çmimin. Ajo që ndodhi dje, provë e mëtejshme se Putin se ka seriozisht paqen. Rusia po luan lojëra, ndërkohë që Ukraina ka dëshmuar se është pala e paqes dhe udhëheqjes“, tha Starmer.


Meloni: Ballkani Perëndimor duhet të ketë një perspektivë të qartë për integrimin në BE

Nga seanca e parë plenare të Samtit të Komunitetit Politik Europian, kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se Shqipëria është Europë. Ajo theksoi se nuk mund të ketë një Europë të rindërtuar pa Ballkanin Perëndimorë. Kryeministrja italiane shtoi se rajoni ka nevojë për një perspektivë të qartë për integrimin në bashkësinë europaine.  

Identiteti europian i Shqipërisë është histori, edhe përpara gjeografisë. Shqipëria është Europë, pavarësisht nëse je pjesë e një organizate të caktuar apo jo. E megjithatë, BE është sot ajo që unë do të doja ta quaja dëshira e ribashkimit të familjes së bashkuar europiane, ku të gjithë janë pjesë e një të vetme, popuj që kanë luftuar njëri-tjetrin në shekuj, sot janë një popull i vetëm. Ne po ndërmarrim një hap përpara ribashkimit. Nëse duam të rindërtojmë një Europë të re në një botë të re, nuk mund ta bëjmë atë pa Ballkanin Perëndimorë. Italia është e angazhuar në Bruksel për qasjen strategjike të Brukselit në Ballkanin Perëndimorë. Këto vende duhet të kenë një perspektivë të qartë për integrimin në BE”, u shpreh ajo.


Erdogan: BE të bashkojë forcat me aleatët jashtë unionit për sigurinë dhe mbrojtjen

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në fjalimin e tij gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë theksoi nevojën për një Evropë të bashkuar dhe gjithëpërfshirëse për mbrojtjen dhe sigurinë. Ai kërkoi që Bashkimi Evropian të forcojë bashkëpunimin edhe me vendet që nuk janë pjesë e unionit.

“Jemi mbledhur të diskutojmë një vizion të ri që do të ripërcaktojë kontinentin tonë dhe është e rëndësishme që ne të veprojmë të bashkuar. Për të tejkaluar krizën e besimit në arenën ndërkombëtare duhet krijuar në arkitekturë e drejtë dhe gjithëpërfshirëse globale. Duhet të nis fillimisht në shtëpinë tonë, në kontinentin evropian, ku ka një potenciale të jashtëzakonshëm për bashkëpunim në mbrojtje, energji, korridoret e transportit, tregjet digjitale dhe lëndët minerale kritike. Janë shumë fusha ku mund të bashkëpunojmë. Në këtë kohë kritike kur diskutojmë të ardhmen e sigurisë evropiane, përpjekjet e BE për të zhvilluar industrinë e saj të mbrojtjes janë të dobishme. Këto përpjekje duhet të përfshijnë edhe aleatët që nuk janë pjesë e BE-së. Me këtë lloj ideje do të ishte në interes më të mirë të sigurisë evropiane. Për çështje jetike si mbajtja dhe siguria nëse përçaheni bëheni më të dobët dhe bashke jemi më të fortë”, tha Erdogan.


Zelensky në Tiranë: Ukraina ka nevojë për paqe, Putini t’i japë fund luftës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte i qartë dhe i prerë teksa deklaroi para liderëve europianë se lufta e Rusisë në Ukrainë duhet të marrë fund. Në fjalën e tij në seancën plenare, ai u shpreh se dërgimi i delegacionit të nivelit të ulët nga ana e Rusisë në Stamboll për bisedimet me delegacionin ukrainas nuk tregoi tjetër veçse frikën e presidentit Vladimir Putin dhe mungesën e dëshirës e gatishmërisë për t’i dhënë fund luftës.

“Kjo luftë e Rusisë ndaj Ukrainës duhet të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë të drejtë. Ukraina ka nevojë për paqe dhe paqja në Europë varet nga fakti nëse Ukrainë do e marrë atë. Këtë javë ne patëm mundësinë për të ndërmarrë nëse do ishte e mundur, disa hapa për të mbyllur luftën, nëse Putin s’do kishte frikë të vinte në Turqi. Isha i gatshëm për një takim të drejtpërdrejtë me Putin, dhe jo thjesht për një takim, por për të zgjidhur çështjet e rëndësishme. Delegacioni rus ishte i një niveli shumë të ulët dhe s’mund të merrnin vendime në Rusi,” tha Zelensky.


Macron: Të luftojmë së bashku të gjitha kërcënimet që na vijnë nga jashtë

Për më shumë bashkërendim ka bërë thirrje presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në fjalën e tij në seancën e parë plenare të Samitit të gjashtë të Komunitetit Europian. Presidenti francez tha se kontinenti europian rrezikohet nga kërcënime që vijnë nga jashtë, të cilat mund t’i luftojë nëse bëhen shtetet bëhen bashkë. Ai theksoi se duhet një bashkëpunim edhe në luftën kundër trafikimit, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Europa ka shumë më rëndësi sot sa i takon sigurisë sonë. Do të doja të ndërtonim një koalicion shtetesh, organizatash ndërkombëtare për të luftuar trafikun edhe në porte e lumenj, pastrimin e parave dhe korrupsionin dhe për të forcuar programet e parandalimit. I gjithë ky trafikim është i ndërlidhur, ndaj na duhet bashkëpunim konkret për këto çështje. Pika e tretë kemi të bëjmë me sigurinë tonë demokratike. Mund ta kuptojmë nga zgjedhjet, të fundit Rumania dhe Moldavia, ka kërcënime që po minojnë demokracitë tona, ka ndërhyrje të huaja konstante dhe këto po minojnë demokracitë tona. Ne kemi nisur një nismë dhe kemi vendosur pikë kontakti për të rritur bashkëpunimin tonë, por duhet të bëjmë më shumë që të mbrojmë infrastrukturën kritike nga sulmet kibernetike”, tha Macron.


Costa: Paqja po minohet çdo ditë, Evropa duhet të jetë e bashkuar në rendin e ri botëror

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në hapjen e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, me temën “Një Evropë e re, në një botë të re”, theksoi rëndësinë e unitetit evropian përballë sfidave globale që po cenojnë rendin dhe paqen ndërkombëtare. Costa tha se rendi ndërkombëtar po minohet çdo ditë, ndërsa theksoi se agresioni rus në Ukrainë dhe tragjedia në Gaza janë shembuj të dhunimit të parimeve të sovranitetit dhe të drejtës ndërkombëtare.

“Cili është roli i Evropës në këtë botë të re? Ne ndërtuam një rend të ri botëror të bazuar tek e drejta ndërkombëtare dhe bashkëpunimi ndërkombëtar dhe tregtar. Ky rend botëror i bazuar te rregullat po minohet nga shumë palë. Agresioni rus solli luftën e madhe sërish në kontinentin evropian. Situata në Gaza është një tragjedi humanitare. Njerëzit po luftohen me forcë të zhdrejtë. Ne e dimë që siguria e Ukrainës është siguria jonë. Evropa duhet të investojë më shumë të mbrojtja pasi ne kemi mësuar se paqja pa mbrojte është iluzion. Të mbrojmë rendin shumëpalësh duke qenë një shtyllë e fortë e OKB.

BE është gati të luajë këtë rol të plotë në këtë Evropë të re në këtë botë të re. BE do të jetë një partner i besueshme për integrimin, sigurinë, energjinë, për mbrojtjen për klimën. Duhet përdorur ky motivim për të ardhmen e fëmijëve dhe të punojnë të gjithë së bashku si evropianë”, tha Costa./rtsh

Please follow and like us: