Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta 98 vjeç, koreografi i famshëm i Balshoi Teatër, Yuri Grigorovich

Koreografi i njohur rus, Yuri Grigorovich, i teatrit të famshëm rus ”Balshoi” të Moskës, ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare. Vdekja e tij u njoftua sot nga Muzeu Qendror i Teatrit Shtetëror ”Bakhrushin” në Moskë, i cili shpesh ka organizuar ekspozita mbi jetën dhe veprën e mjeshtrit të baletit. I lindur më 2 janar 1927 në Shën Petërburg, Grigorovich formësoi baletin sovjetik dhe rus për dekada në teatrin e famshëm botëror ”Balshoi” në Moskë. Grigorovich koreografoi “Spartakun” e Khachaturian dhe “Romeon dhe Zhuljetën” e Prokofiev në teatrin ”Balshoi”, ndër shumë vepra të tjera. Përshtatjet e tij të baleteve “Liqeni i mjellmave” dhe “Bukuroshja e fjetur” janë legjendare. Ai drejtoi kompaninë më të madhe të baletit në botë për më shumë se 30 vjet. Në 1991 ai themeloi çmimin e baletit ”Benois de la Danse”, i cili nderon shfaqjet më të rëndësishme të vallëzimit të vitit të kaluar në një mbrëmje gala madhështore. “Për një kohë të gjatë, emri i tij ishte praktikisht sinonim në botën perëndimore me koreografinë bashkëkohore në Bashkimin Sovjetik”, shkroi Opera Shtetërore e Bavarisë në një homazh të mëparshëm. “Vepra e tij është karakteristikë e një stili që përcakton epokën”, shtoi ajo. Në 2008, në moshën 81 vjeç, Grigorovich u kthye në ”Balshoi” për të marrë një pozicion të përhershëm duke udhëhequr solistët e rinj, duke vënë në skenë prodhime të reja dhe duke ruajtur repertorin. Grigorovich kishte dhënë dorëheqjen në vitin 1995, pas një mosmarrëveshjeje mbi drejtimin artistik të ”Balshoi teatër”.

Please follow and like us: