BBC Music Magazine dhe Gramophone vlerësojnë veprën e kompozitorit shqiptar me famë ndërkombëtare, Thoma Simaku

Dy nga revistat muzikore më prestigjoze të Britanisë Madhe, BBC Music Magazine dhe Gramophone, këto ditë kanë botuar reçensione të shkëlqyera për veprën e kompozitorit shqiptar me famë ndërkombëtare, Thoma Simaku.
“Andante dhe Scherzo” e Simakut është përfshirë në CD e fagotistit Britanik Laurence Perkins me pjesë të zgjedhura nga kompozitore britanikë, Villa-Lobos nga Brazili dhe kompozitori shqiptar Thoma Simaku. CD-ja sapo ka dalë në treg nga Shtëpia Diskografike britanike Hyperion.
Në reçensionin e BBC Music Magazine shkruhet:
“Pjesët më pikante përfshijnë Andante dhe Scherzo të kompozitorit shqiptar Thomas Simaku, të frymëzuar nga muzika folklorike, e cila shkëlqen me gjallëri ritmike”.
Ndërsa revista Gramohpone shkruan:
“…një kompozim nga Thomas Simaku që i jep fre të plotë tingujve të zymtë të fagotit në në kohën e parë ‘Andante, për t’i lënë vendin një atmosfere dëfrimi në kohën e dytë ‘Scherzo.
Siç thotë vetë kompozitori. Simaku, “Kjo është një vepër e hershme, që e kompozova në muajt e parë të mbërritjes sime në Angli në vitin 1991. Megjithëse nuk ka citime direkte nga muzika popullore, intonacionet e muzikës folklorike shqiptare janë tepër të dallueshme”.
Profesor i kompozicionit në University of York, kompozitori shqiptar Thoma Simaku ka një aktivitet të gjërë ndërkombëtar; muzika e tij është vlerësuar me çmime prestigjoze ndërkombëtare si Lutoslawski Prize dhe British Composer Award nga Akademia Britanike e Kompozitoreve (BASCA).