Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Epidamnos

S’e di a mё pret a jo, edhe pse nuk flet

edhe pse nuk shprehesh, je atje, me

jorganin e dallgёve blu, me rrugёt si damarё tё lashtë

ku vёrshon gjaku i njerёzve tё panjohur. S’e di a mё pret a jo

edhe pse kurrё s’bёn zё, nuk klith fort: hej,

si na harrove kёshtu?! Kryelartё dhe i durueshёm,

i tret ditёt me vetminё tёnde historike,

mё e rёndё ёshtё kujtesa jote se sa njё burg a njё terr,

mё e rёndё se ferri vetё.

Gjithkund ti pret e pёrcjell njerёz tё rinj, turistё

u mёsove me gjakun e firuar qyteti im, si tё

aksidentuarit qё me vrull u shtien gjak tё ri

dhe ti nis e harron.

Harron a nuk harron, veç zemra jote e din!

*

Kur vij, ti shpёrfillshёm mё vёshtron si babai qё

ka humbur kujtesёn, pastaj sikur ofshan

lifting ke bёrё gjithkund, nuk i mban mё rrobat e dikurshme

as edhe rrugicat e vjetra qё e ruanin erёn e shekujve

si njё fllad qё nga epokat e largta ka mbёrritur,

s’e di a tё vij a tё mos vij, dashuritё e vjetra janё si

paratё e kyçura nё bankёn e zemrёs, ato shtohen

por nuk ke tё drejtё t’i marrёsh. Ndaj dhe unё

duhet tё kёnaqem me idenё e pasurisё tёnde, tё tё dua nё

distancё siç duam njё VIP, tё cilin kurrё nuk e takojmё, a

siç duam njё iluzion.

S’e di a mё pret apo jo, shkuma jote nё breg, dhe

heroi gjigand me pushkёn nё ajёr, krejt i shkalafitur

s’kuptohet a hip hop kёrcen a drejt humbjes vrapon,

s’e di a mё pret apo nuk mё pret. Pёr mё tepёr,

s’e di nëse ende mё mban mend!