Irena Dragoti: Portret
Ç’tingull ka dashuria, të pyeta
Flatër aromash,
që pëshpërijnë zhurmën e dheut, më the,
kur një zemër muros një tjetër,
në një botë të pakrehur fjalësh
që lind para, se të lindësh veten…
*
Ç’rrugë bën dashuria, të pyeta.
Atë të një puhize rebele nën diell, më the,
që përcjell jehonën e një puthjeje
për në portat e zemrës,
ku një kapilar gjaku, kërkon njeriun
kreshpëruar nga epshi.
Ç’formë ka dashuria, të pyeta
Teoritë dashurore nuk i përkasin, më the,
pentagrami i shpirtit del mendsh,
kur një grusht notash bëjnë festë
dhe buisin,
dehjen e arsyes.
*
Në tempullin e saj gjithnjë bëjmë kurban,
drojën e lirisë,
dhe paqen e buzës…