Albspirit

Media/News/Publishing

Anulohet koncerti i dirigjentit rus Valery Gergiev, i afërt me Putinin

Një koncert nga dirigjenti rus Valery Gergiev, i njohur për lidhjet e tij me Kremlinin, është anuluar në qytetin italian Caserta pas një vale kritikash të forta në lidhje me luftën në Ukrainë.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, ekzistonin shqetësime për protesta nga organizata ukrainase.

Gergiev, aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, pritej të dirigjonte më 27 korrik në kuadër të një festivali muzikor në oborrin barok të Pallatit Mbretëror të Caserta-s, vendndodhje e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ministria italiane e Kulturës u distancua nga organizimi, duke deklaruar se pjesëmarrja e dirigjentit të afërt me presidentin Putin mund të kthente ngjarjen muzikore “në një zëdhënëse të propagandës ruse”.

Edhe Yulia Navalnaya, e veja e liderit opozitar rus Alexei Navalny, i cili vdiq në burg, bëri thirrje për anulimin e koncertit në një artikull të botuar në gazetën “La Repubblica.

Gergiev, 72 vjeç, që prej vitit 2023 udhëheq si Teatrin “Bolshoi” në Moskë, ashtu edhe Teatrin “Mariinsky” në Shën Peterburg, dhe prej vitesh njihet si një mbështetës i shquar i Putinit.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022, shumë institucione kulturore ndërkombëtare, përfshirë Filarmoninë e Mynihut dhe  teatrin “La Scala” në Milano, ndërprenë bashkëpunimin me të për shkak të refuzimit për të dënuar konfliktin./atsh