Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Hajnia ka emër e mbiemër e me vulë shteti

Në Kosovën e vitit 2025, ku çdo qytetar paguan taksa me shpresën se po ndërton një shtet të drejtë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, akuzohet publikisht për shpërndarje fondesh ndaj familjarëve, miqve e të afërmve politikë. Ky nuk është thjesht dyshim, por janë projekte, shifra, emra dhe mbiemra që flasin vetë.

“257 mijë euro për vëllain e ministrit, 255 mijë për motrën e deputetit, 52 mijë për burrin e deputetes. Ky nuk është Hajr, ky është Hajn”-  Egzon Pacolli, 24 korrik 2025.

Kjo nuk është një metaforë, por një akuzë e drejtpërdrejtë që bëhet ndaj një zyrtari publik. Dhe ka pasur në vijueshmëri akuza e akuza, por pa përgjigje, sepse nuk kemi më shtet funksional, por një sistem që shpërblen tarafet e militantët partiakë bash si në bahçen e babës, e jo vlerat!

Kur fondet publike ndahen me dorë të lirë për njerëz të afërt, pa konkurrencë, pa transparencë, pa mbikëqyrje të pavarur, nuk ka më vend për justifikime, as  për heshtje e as për diplomaci.

Në këtë rast do të duhej të fliste drejtësia!

Deputetja e famshme Fitore Pacolli ka pranuar se bashkëshorti i saj ka qenë bashkëthemelues i organizatës përfituese, por ka mohuar çdo ndikim aktual, ashtu siç nuk pati ndikuar për grantet e vëllait e të dajës!?

Por qytetarët kërkojnë veprime konkrete, sqarime konkrete e të bazuar në fakte. Fatkeqësisht, faktet e shumta flasin për keqpërdorime e ndarje të fondeve publike për dostat e VV.

Ky nuk është një rast i izoluar tahmë, ky është një modeli i pushtetit që e sheh shtetin si fond familjar, jo si përgjegjësi publike.

Një model ku ministria nuk është më institucion, por bankë për miq dhe militantë. Ku projektet nuk vlerësohen për përmbajtje, por për lidhjet e tyre… Ku artistët e pavarur dhe të talentuar heshtin, sepse nuk kanë mbiemrin e duhur, e qytetari sheh se paratë e tij nuk shkojnë për muze, teatro, libra, por për xhepa të njohurish per pushtetarët!

Ajo që është edhe më e rëndë: institucionet e drejtësisë heshtin. Deputetët e opozitës bëjnë sikur nuk dëgjojnë e nuk shikojnë…

Në këtë heshtje, besimi ndaj kësaj qeverie, pothuajse ka hyrë në ‘arkivol’ e drejtësia zhbëhet e hajnia bën koalicion me djallin…

Në emër të çdo qytetari që paguan taksa, në emër të çdo artisti që nuk ka marrë asnjë mbështetje, në emër të çdo të riu që beson në meritë, jo në lidhje, kërkojmë hetim të menjëhershëm!