Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Në emër të territ…

Sot, herët në mëngjes, gjatë shëtitjes së përditshme pranë vendit ku jetoj, rastësisht takova një çift turistësh, të cilët po udhëtonin në rrugën pelegrinazhit “Jerusalem Way”. Gjatë bisedës, ajo që iu ishte dukur më e çuditshme ishte ndërprerja e shpeshtë e energjisë elektrike, fenomen që e kishin përjetuar gjatë ditëve që po vizitonin Kosovën. E çfarë t’u thosha? Unë e kisha marrë malin, sepse prej ditësh nuk kemi pasur rrymë. KEDS-i i famshëm ende e mban rrjetin në shtylla druri si në kohën e Baba Qemos e çdo erë apo shi i lehtë i përkul ose i thyen ato! Fshatra të tërë kanë mbetur pa rrymë për ditë të tëra dhe qytetarët me biznese të vogla që varen nga energjia elektrike janë në krizë. Në Kosovë, mungesa e furnizimit stabil me energji elektrike nuk është thjesht një problem teknik, por një plagë e përhershme e jetës së përditshme dhe një dështim i thellë institucional. Nuk dua të përmend aferat e shumta të kësaj qeverie të papërgjegjshme, veçanërisht në sektorin e energjisë… Gati harrova të përmend kompanitë fantome të krijuara nga militantë të VV-së për të hyrë në tregun e energjisë ndoshta me këshillat e Martinit…

Për vite me radhë, ndërprerjet e rrymës kanë shkatërruar ritmin e jetës: pajisje shtëpiake të dëmtuara, ushqime të prishura, pasiguri kudo. Qytetarët paguajnë tarifa të larta, ndërkohë që institucionet publike heshtin dhe fshihen pas kontratave të nënshkruara me kompani që nuk kanë sjellë asnjë përmirësim real. Kontrata me kompaninë turke KEDS është shembulli më i qartë i një keqmenaxhimi të institucionalizuar, ku përfitimet private janë vënë mbi nevojat themelore të qytetarëve. Për më shumë se një dekadë, kjo kompani ka dështuar të investojë në stabilizimin e rrjetit dhe modernizimin e infrastrukturës. Në vend të përmirësimit të shërbimit, kemi parë vetëm rritje të faturave, më shumë ndërprerje dhe rënie të besimit. Sot, asnjë qytetar nuk ndjen siguri se do të ketë energji për nevojat më bazike: për të ruajtur ushqimet e fëmijëve, për të ngrohur ose freskuar shtëpinë, apo për të mbajtur në funksion një biznes.

Dëmet janë të prekshme dhe të matshme: furrtarë që humbin brumin për bukën e ditës, kompani që ndalojnë prodhimin për mungesë rryme, familje që detyrohen të zgjedhin mes ndriçimit dhe ushqimit. Kjo nuk është krizë e papritur, por pasojë e një keqvendimi të vetëdijshëm nga zyrtarë që sot nuk japin llogari. Nëse ka pasur korrupsion në këtë marrëveshje, atëherë përgjegjësia nuk mund të mbetet në ajër. Duhet të japin llogari ata që e nënshkruan, ata që e mbrojtën politikisht dhe ata që ende e arsyetojnë. Nuk ka logjikë të vazhdohet me një kompani që nuk garanton një shërbim bazë si energjia elektrike.

Rishikimi dhe ndërprerja e kontratës me KEDS duhet të jetë prioritet kombëtar. Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa energji. Nuk mund të ketë dinjitet pa kushtet minimale të jetesës. Nëse drejtësia nuk vepron, atëherë ajo bëhet bashkëfajtore. Duhet të zbardhen kontratat, të hapen hetimet dhe të rikthehet transparenca. Ky është momenti për të vendosur: a do të jetojmë në një vend që mbron interesin e qytetarit, apo në një sistem ku mungesa e rrymës është pasojë e përfitimeve të një grushti njerëzish?

Mjaft më me fatura të rënda dhe përgjegjësi të lehta. Në errësirën që po na imponohet, vetëdija e qytetarit duhet të ndizet si drita që  mungon!