Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta Saimir Maloku

Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare inxhinieri dhe ish-i burgosuri politik, Saimir Maloku, një ndër zërat më të fortë të rezistencës ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri.

Maloku, një student i shkëlqyer dhe profesionist i dalluar në fushën e inxhinierisë, u dënua padrejtësisht me 9 vite burg nga regjimi komunist, pas një gjyqi të fabrikuar, nën akuzat absurde të “spiunazhit” dhe “bashkëpunimit me agjentura të huaja”. Ai kaloi vite të tëra në burgjet famëkeqe të Burrelit dhe Spaçit, përkrah figurave të njohura si Dom Simon Jubani, At Zef Pllumi dhe Kardinal Ernest Simoni.

Përtej vuajtjeve, Maloku mbeti një qytetar i angazhuar dhe një zë i palëkundur për lirinë e shprehjes dhe të medias në periudhën e tranzicionit demokratik të vendit.

Ai do të kujtohet si një intelektual me integritet të lartë, një profesionist i përkushtuar dhe një simbol i qëndresës qytetare përballë dhunës totalitare.