Albspirit

Media/News/Publishing

Hiqmete Daja: Për 80-vjetorin e diplomatit Shaban Murati

2 shtator 2025 është 80 vjetori yt i nderuar ambasador Shaban Murati, por për fatin e keq po kujtohet kjo datë me mungesën tuaj fizike, por jo me mungesën tuaj në kuptimin e plotë të kësaj fjale paksa lënduese, sepse ti jeton në zemrat e atyre që të duan e respektojnë me veprat e tua.

Dhe këta nuk janë pak miku ynë, janë shqiptarët nga të gjithë trevat, janë kosovarët, çamët, qytetarët nga Durrësi i lashtë qyteti yt i lindjes që e doje aq shumë, ata të Tiranës ku kontribuove dhe punove me ndershmëri dhe përkushtim dhe nga mbarë Shqipëria.

Njerëz me nivel të lartë intelektual, punëtorë të thjeshtë, artistë, shkrimtarë, fshatarë dhe të gjithë njerëzit e thjeshtë që kanë gjetur te ti mikun, shokun bashkëqytetarin, apo bashkëatdhetarin me të cilin qanin hallet e dertet, sepse shkrimet e tua ishin melhem për plagët e tyre.

Mik i shtrenjë nuk e kisha menduar kurrë as unë dhe as miqtë e tu që datëlindja jote e tetëdhjetë do të kujtohej pa ty dhe që ti në këtë 80 vjetor do të na mungoje kaq shumë. Sjell ndërmend që kishe dëshirë ta kaloje mbrëmjen e 80 vjetorit me fëmijët e tu me nipat e mbesat e natyrisht edhe me kujtimin e gruas që kishe dashuruar gjithë jetën, por kishe dëshirë t’u kushtoje kohë edhe miqve e mikeshave të tua.

Por ky 80 vjetor vjen i trishtë për të gjithë ne, sepse largimi yt ishte i shpejtë, pa lënguar gjatë dhe me shpresën që po shëroheshe e do të ishim të gjithë bashkë.

Ti që nuk heshte kurrë, ike i heshtur e pa na lënë amanete, por megjithatë je kaq i pranishëm midis nesh saqë herë- herë harrojmë që je larguar dhe të përmendim sikur ke shkuar gjëkundi e do të kthehesh. Sa herë kujtojmë shakatë e tua dhe qeshim duke harruar që kujtimet rrojnë e gjithnjë e trashëgohen.

Po shfletoja librin tënd të parë që ia dedikoje qytetit tënd Durrësit dhe sa mirë u ndjeva, sepse era e detit dhe kripa e tij na është futur në gjak e në shpirt të gjithë ne durrsakëve, ndonëse kemi punuar e jetuar ne Tiranë, por po të na e hapësh zemrën atje do të shohësh copëza nga Durrësi yt dhe i joni.

M’u kujtua një shkrim i yti që përkujtoje 60 vjetorin e poezive të tua, i gjeta ato nëpërmjet miqve të tu e bibliotekës së qytetit tonë dhe sa të bukura që ishin. Është gjë e rrallë të takosh një ambasador të përmasave të tua të shkruaj vargje aq të bukura për dashurinë, jo vetëm kur ishe i ri dhe mbase e ke përjetuar këtë ndjenjë, por edhe kur zemra jote vuante nga dashuria e munguar e bashkëshortes tënde, që u largua nga jeta duke të lënë një brengë që ti e thua me dy vargje të magjishme: “…Më del deti i mallit për ty, ku do të mbytem gjithë jetën që më ka mbetur”.

Një shkrimtar e poet i përmasave të mëdha, një filozof e diplomat, një publicist që shkruan me kurajë dhe guxim për hallet e popullit të tij, sot nuk është me ne në 80 vjetorin e tij të lindjes. Një njeri mendjendritur, një këshilltar i urtë që nuk e kurseu pendën e tij për të qartësuar ata që kanë në dorë për t’i zmadhuar apo zvogëluar këto halle.

Ti nuk ishe i gatuar për t’u përulur, për të marrë me të mirë pushtetarët, për të mbuluar padrejtësitë që i bëheshin atdheut e popullit tonë, jo mik të ishe i drejtpërdrejtë, ti nuk i thoje të zezës të bardhë dhe as të bardhës të zezë, ti flisje me zemër në dorë.

Kujtoj analizat në botimet e tua: Rusët po vijnë, Vetvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë, Aleanca e duhur Shqipëri- Kroaci. Unë e pashë me sytë e mi respektin dhe dashurinë, kur shkuam në Zagreb për të promovuar këtë libër nga shqiptarët e Kroacisë, por edhe nga shumë kroatë që të quajtën Milan Suflain shqiptar dhe kjo na bëri krenarë edhe ne që do të referonim për librin tënd.

Apo librat: Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë, apo Çështja e paqenë e detit një intrigë diplmatike greke apo shqiptare, një libër që qartësoi mendjet e turbulluara të shqiptarëve nga politika dhe një mësim diplomatik për qeveritarët shqiptarë e grekë, por edhe për mbarë opinionin botëror për këtë çështje që ende qëndron pezull në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve.

Ti ke folur e ke thirrur me zë të lartë zoti ambasador për atdheun tënd, ti nuk je pasuruar kurrë duke shitur parime e ndjenja, duke shitur nderin e dinjitetin, ti mik i nderuar jetove thjesht e me nder dhe pikërisht pse nuk e tradhëtove kurrë popullin tënd, pse nuk e shite kurrë, pse ishe avokat i këtij populli të gjithë ne të deshëm e të respektuam deri në frymën tënde të fundit.

Ti mbushe 80 vite dhe gjashtëdhjetë prej tyre ishin luftë e përpjekje për të ngritur një familje të ndershme dhe kushdo do të ishte krenar po të thoshte se është biri, bija, mbesa, nipi i Shaban Muratit i diplomatit që përfaqësoi me shumë kompetencë dhe ndershmëri, me shumë dinjitet e dashuri Shqipërinë, ai e që rriti emrin e saj në arenën ndërkombëtare.

Edhe ne që na ka lidhur puna dhe bashkëpunimet, na ka lidhur mendimi dhe krijimtaria e kemi për nder të themi që kemi bashkëpunuar me diplomatin Shaban Murati.

Para se të ndërroje jetë na le një trashëgim, librin tënd që e përfundove në dhjetor të vitit 2024 “Antitabu 3, si katarsis i shoqërisë shqiptare”, një libër që çdokush duhet ta mbajë si një hajmali për të mësuar e vepruar nga ato që kanë ndodhur e mund të ndodhin në ditët tona të jetës. Ti nuk mund të mbyllje sytë i qetë pa na lënë amanetet që në këtë libër janë të qarta e të mësojnë për të përballuar ato çka mund të ndodhin në jetët tona dhe këtë e bëre nëpërmjet këtij libri.

Ti kishe miq nga të gjitha kategoritë e njerëzve dhe sejcilit prej tyre i jepje atë çka i takonte. Me një diplomat flisje si i tillë, me një bashkqytetar flisje thjesht e deri me një fëmijë dije të flisje duke iu përshtatur botës së tyre. Ti flisje me diplomatë të huaj dhe fjala yte zinte vendin e merituar dhe kjo na bën krenarë mik i shtrenjtë dhe i paharruar.

Ky 80 vjetor nuk është as analizë e as bilanc i punës dhe sukseseve të tua, por eshtë 80 vjetori i dashurisë tënde për njerëzit dhe i dashurisë së tyre për ty.

Kujtimet janë gjërat më të çmuara, që rrojnë e na shoqërojnë në jetët tona dhe si të tilla duhet t’i ruajmë dhe t’i kemi në zemër e, kur të duhet, t’i nxjerrim e të kujtojmë të dashurit tanë. Kështu është jeta!
Dhe këtë e ka thënë më së bukuri Shaban Murati teksa kujtonte njerëzit e dashur të ikur që i sillnin pranë tij kujtimet.

Ja si shkruan ai:

Po ka një forcë magjike çudibërëse që t’i zbret nga qielli njerëzit e zemrës. Është magjia e kujtimeve të bukura të jetës së paharruar që të bëjnë të jetosh për së gjalli portretin, zërin, të qeshurat e njeriut të ikur të zemrës...

Dhe ne jo vetëm në këtë 80-vjetor, por gjithnjë do të kujtojmë me dashuri, respekt e mirënjohje diplomatin, shkrimtarin, publicistin e filozofin Shaban Murati. Do të kujtojnë shqiptarët kudo ku jetojnë, do të kujtojnë kosovarët, do të kujtojnë çamët dhe të gjithë trevat ku jetojnë shqiptarë.

Për ty nuk ekziston datë vdekjeje, por vetëm datëlindjeje dhe kjo është datëlindja jote e 80-të. Ti jeton mik i çmuar dhe do të jetosh në zemrat tona përjetësisht!

https://gazetadita.al/per-80-vjetorin-e-diplomatit-shaban-murati