Lufta që po afrohet; Evropa nuk është më në pritje të krizës, ajo tashmë është pjesë e saj
Ismet Hajrullahu
Lufta në Ukrainë ka tronditur rendin botëror dhe ka nxjerrë në pah përplasjen mes demokracisë dhe autoritarizmit. Ajo që dikur dukej si një konflikt i lokalizuar, sot është kthyer në një përballje globale për vlera, sovranitet dhe drejtësi.
Presidenti ukrainas, Zelensky, ka paralajmëruar se Putini nuk do të ndalet pa një reagim të bashkuar dhe të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar. Po ashtu, ai ka kërkuar që Kina të përdorë ndikimin e saj për të ndaluar agresionin rus, duke theksuar: “Heshtja e saj nuk është neutralitet, por një zgjedhje që ndihmon zgjatjen e konfliktit dhe përkeqësimin e pasojave”.
Në një botë ku diplomacia ka peshë të barabartë me fuqinë ushtarake, mungesa e reagimit nga Kina është më shumë se shqetësuese. Si fuqi globale, ajo ka mundësi të ndikojë, por zgjedh të heshtë, duke ruajtur ekuilibrin mes interesave ekonomike dhe ambicieve gjeopolitike. Kjo heshtje nuk është thjesht pasivitet, por një pozicion që lejon vazhdimin e dhunës dhe cenimin e sovranitetit të një shteti të pavarur.
NATO, ashtu siç kemi parë, ka reaguar me vendosmëri. Pas shkeljeve të hapësirës ajrore nga dronët rusë në Poloni, është aktivizuar operacioni “Roja e Lindjes”. Polonia ka rrëzuar dronët dhe ka marrë masa të jashtëzakonshme, përfshirë mbylljen e aeroporteve dhe mobilizimin e forcave të sigurisë.
Këto veprime nuk janë thjesht mbrojtje, por paralajmërime për një përshkallëzim të mundshëm që mund të rrezikojë stabilitetin rajonal. Në Ballkan, tensionet po rriten me ritëm shqetësues. Serbia po ndjek një linjë destabilizuese ndaj Kosovës, duke përdorur retorikë nacionaliste dhe veprime që sfidojnë paqen dhe rendin demokratik. Kjo përkon me interesat ruse në rajon dhe rrit rrezikun e përplasjeve. Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë krijuar një bosht strategjik të sigurisë në aleancë rajonale që synon të veprojë si një trup i vetëm në rast përshkallëzimi. Me mbështetjen e SHBA-së dhe NATO-s, kjo aleancë mund të shndërrohet në një shtyllë të fortë për sigurinë ballkanike dhe evropiane. Evropa nuk mund të jetojë më me iluzione. Këto janë sinjale të fuqishme se lufta po afrohet me hapa galopantë.