Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Kur BE-ja mbyll sytë para terrorizmit

Terrorizmi shtetëror dhe reagimet e vakëta ndërkombëtare lidhur me rastin e Banjskës përbëjnë një moment kritik në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Heshtja institucionale në diskursin politik të pasluftës në Ballkan, sipas mendimit tim, nuk mund të quhet akt neutral, pasi ajo është shndërruar në pjesë përbërëse të strategjive shtetërore, veçanërisht në kontekstin e tensioneve të vazhdueshme në rajon. Rasti i Milan Radoiçiqit dhe ngjarja e rëndë e ndodhur më 24 shtator 2023 janë tregues mëse të qartë të një politike të heshtjes, ndoshta të qëllimshme, e cila jo vetëm që ka ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin rajonal, por gjithashtu e ekspozon Serbinë ndaj përgjegjësisë ndërkombëtare.

Akti i rëndë i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës nuk mund të shkëputet në asnjë moment nga mbështetja e heshtur dhe nxitja politike që kanë ardhur nga strukturat shtetërore serbe. Milan Radoiçiq, një figurë e njohur në skenën politike dhe ekonomike të veriut të Kosovës, është përmendur vazhdimisht si një aktor me ndikim në rrjetet kriminale të organizuara, të cilat kanë ushtruar ndikim politik dhe ekonomik në atë zonë, shpesh në kundërshtim me autoritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Edhe pse territori është nën kontrollin e plotë të Policisë së Kosovës dhe institucioneve legjitime, përpjekjet për të sfiduar këtë kontroll përmes veprimtarive të jashtëligjshme kanë vijuar në vazhdimësi. Sulmi i armatosur në Banjskë, i organizuar nga një grup i strukturuar paramilitar dhe i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, përmbush të gjitha elementet për t’u cilësuar si akt terrorist.

Ky veprim nuk ishte rezultat i një iniciative individuale, por pjesë e një skeme më të gjerë të koordinuar, që sipas të gjitha gjasave është zhvilluar me dijeninë dhe tolerimin e strukturave të caktuara shtetërore në Serbi. Më shqetësues është fakti se, pas sulmit, Radoiçiq jo vetëm që nuk u ndalua, por mbahet i sigurt në Beograd, nën mbrojtjen e heshtur të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Kjo mbrojtje politike e një individi që ka pranuar publikisht organizimin e një akti terrorist ndaj një shteti fqinj përbën jo vetëm sfidë ndaj drejtësisë, por edhe një provokim të hapur ndaj rendit ndërkombëtar.

Përkundër pranimit publik të përgjegjësisë nga ana e tij, autoritetet serbe nuk ndërmorën masa konkrete ligjore, as nuk u iniciua një procedurë penale e besueshme, as nuk u angazhua një hetim transparent dhe institucional, dhe aq më pak u artikulua ndonjë qëndrim politik që të distancohej qartazi nga akti i dhunës. Kjo mungesë reagimi përforcon perceptimin se heshtja, në një farë mënyre, ka qenë rruga e heshtur e mbështetjes.

Në këtë kontekst, dua të veçoj deklaratat e Çedomir Jovanoviqit, të cilat marrin një peshë të veçantë. Ai e përshkroi heshtjen ndaj Radoiçiqit si një borxh që Serbia do ta paguajë një ditë. Por ajo që ndodhi në Banjskë tregon se ky borxh nuk është më hipotetik; ai tashmë po manifestohet përmes pasojave të dukshme dhe të prekshme, si përshkallëzimi i tensioneve, cenimi i sigurisë rajonale dhe dëmtimi i kredibilitetit ndërkombëtar të Serbisë. Jovanoviq, nga këndvështrimi im, nuk flet nga pozita e një kundërshtari politik, por si një zë i ndërgjegjes serbe që paralajmëron për rrezikun e një politike që e sheh dhunën si mjet dhe heshtjen si mburojë.

Në aspektin ndërkombëtar, reagimi i vakët i Bashkimit Evropian ndaj këtij akti terrorist ngre pikëpyetje serioze mbi standardet e dyfishta në trajtimin e dhunës në Ballkan. Ndërkohë që Kosova kërkon drejtësi dhe transparencë, heshtja e partnerëve ndërkombëtarë përballë një akti të tillë të rëndë minon përpjekjet për ndërtimin e një rendi të qëndrueshëm dhe të drejtë në rajon. Mungesa e ndëshkimit për aktin terrorist në Banjskë përfaqëson thjesht një dështim të mekanizmave ligjorë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi vullnetin politik për të respektuar parimet e shtetit të së drejtës.

Nëse institucionet shtetërore nuk reagojnë ndaj dhunës së organizuar, atëherë përgjegjësia nuk mbetet vetëm te autorët e drejtpërdrejtë, por shtrihet edhe te strukturat që e tolerojnë, e mbrojnë dhe e legjitimojnë në mënyrë të heshtur. Akti terrorist i Banjskës tregoi edhe një herë politikën shtetërore që Serbia e ka ndjekur në mënyrë sistematike ndaj Kosovës. Në këtë kontekst, Serbia jo vetëm që është e përfshirë, por ajo është autorja politike dhe logjistike e një akti që përmbush të gjitha kriteret e terrorizmit shtetëror.

Ky model nuk është i ri apo i panjohur më parë, pasi raste të ngjashme janë dokumentuar historikisht në Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë, ku dhuna e organizuar, e mbështetur nga strukturat shtetërore serbe, ka prodhuar krime të luftës, gjenocid dhe destabilizim të qëllimshëm rajonal. Pikërisht, ngjarja në Banjskë është vazhdimësi e kësaj politike. Mungesa e penalizimit ndaj Serbisë, pavarësisht provave të qarta, krijon një precedent të rrezikshëm dhe çon në një krizë besueshmërie për vetë parimet mbi të cilat është ndërtuar rendi evropian. Kur terrorizmi shtetëror nuk emërtohet si i tillë, ai jo vetëm që normalizohet, por në një mënyrë edhe institucionalizohet. Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e artikulon qartë se Serbia ka vepruar si shtet terrorist ndaj Kosovës dhe nuk ndërmerr masa konkrete për ta ndëshkuar këtë veprim, atëherë nuk kemi të bëjmë me dështim diplomatik, kemi të bëjmë me bashkëfajësi politike.