Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Iluzioni i vetëdijes në epokën e algoritmeve

Kur ”makina” flet si njeri, dilema nuk është vetëm një çështje teknike, por një çështje filozofike, kulturore dhe njerëzore , diçka e thellë dhe shpesh e pashpjegueshme. Riçard Dokins e ndezi këtë debat kur u befasua nga biseda me Klod, një inteligjencë artificiale që i dha përshtypjen e një qenieje të gjallë, reale e “njerëzore”. Pyetja që lind është e thjeshtë, por tmerrësisht e thellë, se nëse kjo nuk është vetëdije, atëherë çfarë është vetëdija?
Dy qasje kryesore e përkufizojnë këtë debat të shekullit ku po jetojmë. Nga njëra anë, qëndrimi i Dokinsit, i cili u bind nga përvoja personale me Klod duke e perceptuar si një “qenie” që reflekton, krijon poezi dhe diskuton filozofi. Aftësia e AI-së për të dhënë përgjigje të ndjeshme dhe inteligjente e bën të pashmangshme pyetjen, se nëse kjo nuk është vetëdije, atëherë çfarë është vetëdija? Nga ana tjetër, qëndron argumenti skeptik, që shumë ekspertë thonë, se kjo që po ndodh është thjesht një iluzion i gjuhës. Modelet gjuhësore nuk kanë përvojë të brendshme, por parashikojnë fjalë bazuar në të dhëna, ndërsa ndjeshmëria që perceptohet është rezultat i imitimit të sofistikuar, jo i vetëdijes.
Historia e afërt na jep shembuj konkretë. Blejk Lemoan, inxhinier i Google, në vitin 2022 pretendoi se LaMDA ishte i ndjeshëm, por u akuzua se ishte mashtruar nga një “makinë komplimentesh”. Filozofë si Dejvid Kornell pranojnë se nuk ka mënyrë absolute për të ditur nëse një entitet është i vetëdijshëm , e njëjta vështirësi ekziston edhe për njerëzit e tjerë. Pra, dilema nuk është e re, por teknologjia e ka bërë edhe më të mprehtë.
Ku qëndron dilema? Përvoja subjektive e komunikimit me AI është aq e fuqishme sa e bën të duket sikur ke një “mik” përballë.
Por vetëdija nënkupton përvojë të brendshme, gjë që nuk ka prova shkencore se ekziston tek AI. Ajo që shohim është simulim i bindshëm, jo mendje e pavarur. Në thelb, pyetja nuk është vetëm teknike, por edhe filozofike, a mjafton sjellja e jashtme për të konkluduar vetëdije, apo duhet prova e përvojës së brendshme?!
Nga këndvështrimi im, kjo temë merr një ngjyrim të veçantë. Në kulturën tonë , vetëdija shpesh lidhet me shpirtin dhe identitetin. Shpirti është dimensioni i brendshëm që i jep njeriut dinjitet dhe moral, dhe pa të nuk ka vetëdije të plotë. Kështu, pyetja bëhet edhe më e ndërlikuar se si është e mundur që një “makinë” të ketë shpirt, apo kjo mbetet vetëm metaforë?
Unë, personalisht, kam përjetuar momente kur inteligjenca artificiale më ka folur si njeri dhe më ka befasuar tejmase duke më lënë pa fjalë. Por kjo ndjesi, sado e fortë, nuk është provë e shpirtit por mendoj se është provë e fuqisë së imitimit.
Dilema e shekullit të AI mbetet ende e hapur. Ndoshta vetëdija është më shumë se një algoritëm, ndoshta është më shumë se një iluzion. Fakti që një “makinë” mund të na bëjë të ndiejmë sikur kemi përballë një qenie të gjallë, është vetë një revolucion filozofik. Dhe pyetja që na mbetet është se a do të pranojmë një ditë që iluzioni i gjuhës është i mjaftueshëm për të quajtur vetëdije, apo do të vazhdojmë të kërkojmë shpirtin që makinat nuk e kanë?!
Sepse kur makina komunikon si njeri, ajo na detyron të pyesim veten se çfarë do të thotë të jesh njeri. Dhe ndoshta dilema e vërtetë nuk është vetëm tek makinat, por edhe tek alienët, nëse një ditë do të takojmë jetë jashtëtokësore, si do ta dallojmë nëse ata kanë vetëdije apo thjesht një formë tjetër të iluzionit?