Albspirit

Media/News/Publishing

Aladin Stafa: E diela “e shenjtit“

Nëse në të gjithë botën e zhvilluar dita e dielë, jetohet qetë si një “ditë paqeje“, në Shqipërinë tonë të vogël kjo ditë kalendarike nuk e njeh këtë frymëmarrje. Ndërsa sjell ndërmend paqen nuk nënkuptoj këtu atë cfarë literalisht ka ajo në domethënien e saj, por pushimin si dicka thelbësore e të domosdoshme për njeriun. Jo vetëm për t‘u clodhur nga ngarkesa e javës si nevojë fiziologjike, por thellësisht e psikologjikisht për t’u ndalur, për të reflektuar e zhvilluar veten. Një kohë cilësore e munguar kulturalisht në vendin tonë.

Ajo që ndodhi në Durres tronditi, jo pak të madh e të vogël, një cmenduri tej limiteve edhe të anormales për një botë të vitit 2026. Një tragjedi e rëndë për dy jetë që as shprehja se rrugëtimi ju ndërpre në gjysëm nuk zë vend.. të vegjlit as nuk e kishin nisur!

Ndërsa tjetri po lufton ende jo vetëm për veten e tij por edhe për dy shokët e tjerë. Ja që kështu ndodhi! Të luash para shtëpisë tënde, prej një aktiviteti normal kthehet papritur në një rrezik fatal. Ky është realiteti; një makinë me një shofer të dehur dhe përballë një sistem që nuk arriti dot ta parandalojë, atë që gjithkush e quajti si “të paralajmëruar“.

Leximi gazetaresk do ta reduktonte ngjarjen në fakte duke e banalizuar me pyetjet kush, kur, si dhe ku. Por pyetja më thelbësore që duhet të ngrihet është “pse?“. Sepse tek ne ka marrë jetë fenomeni. Dhe është fenomeni që e prodhon atë.

Në një shoqëri me problematika të shumta sociale asgjë nuk ndodh rastësisht. Ajo fillon e konsumohet ngadalë deri në bjerrjen e vetes. Mungesa e besimit tek institucionet, mediokriteti i përhapur ndjeshëm në cdo strukturë, drejtësia selektive, niveli i ulët arsimor dhe meritokracia e munguar sjell padyshim një klimë frustrimi. Një frustrim që ndonëse mund të mos jetë tërësisht i artikuluar, është i pranishëm në përditshmëri nëpërmjet gjuhës, sjelljes arrogante dhe mënyrës si njerëzit e shohin njëri-tjetrin.

Në këtë kuptim, cdo masakër e tillë nuk është vetëm dështim individual por një simptomë kolektive, që në atë zinxhirin e përgjithshëm të mirë-funksionimit, hallkat duken se calojnë. Për të mos thënë që më së shumti mungojnë fare.

Një shoqëri që nuk arrin të kanalizojë energjinë e saj në mënyrë konstruktive, do ta shpërthejë atë në rrethana destruktive. Ky është mjedisi ynë shqiptar, një mjedis që nuk e ka sensin e arsyeshëm se liria e njërit mbaron aty ku fillon e drejta e tjetrit. Është pikërisht kjo shoqëri kaotike, që zgjidhje kërkon pa u munduar të kuptojë se duhet të ndryshojë.

Një tjeter dimension i saj është normalizimi i kaosit, i shkatërrimit, i mjerimit, i varfërimit apo dhe i dehumanizimit. Kur ngjarje të tilla për vite me rradhë fillojnë të duken të “zakonshme“, kur të tilla masakra kalojnë me zhurmën e madhe mediatike brenda tri diteve, kur lajmi “mbyt“ lajmin, atëherë jemi në një fazë akoma dhe më të rrezikshme: quhet indiferenca. Kjo e fundit bashkë me harresën si një nga aftësitë tona më “fantastike”, përbëjnë terrenin më pjellor të përsëritjes së të njëjtës histori. Duke mos mundur kësisoj, të mësojë nga e kaluara.

Pyetja që ngrihet në këto raste është: kur tragjedi të tilla përsëriten, a është ky një aksident apo një fenomen?

Kjo lidhet se si ne e konceptojmë shoqërine tonë. Nëse është një bashkësi individësh me përgjegjësi të përbashkëta apo një hapësirë ku secili përpiqet të mbijetojë më vete?

Fëmijët nuk ndërruan jetë vetëm nga përplasja prej një makine. Por para së gjithash, prej rënies së vlerës që ka jeta në këtë vend, normalizimit të rrezikut, indiferencës graduale tek cdo hallkë e sistemit që përshkallëzohet dita -ditës apo dhe heshtjes para shkeljes së ligjit kur ‘kacakë‘ të tillë e sfidojnë.

Durrësi nuk ishte rastësi. Ishte pasqyrë, qoftë edhe një sinjal apo thirrje, se sa jetë të tjera i duhen shoqërisë tonë për vendosjen e rregullit dhe ndërgjegjësimin.

Sepse e sigurt është, se më e madhe do të jetë tragjedia, nëse ajo që ndodhi dje, do të mund me patjetër të përsëritet nesër.