Ismet Hajrullahu: Rëndësia e ruajtjes së indetitetit kulturor në diasporë
Migrimi nga Kosova drejt Gjermanisë, ka shënuar një rritje të vazhdueshme, duke e pozicionuar diasporën e shqiptareve nga Kosova si një nga komunitetet më të mëdha shqiptare në Evropë. Sipas censusit gjerman, në vitin 2020 jetonin rreth 443 mijë persona me origjinë nga Kosova, ndërsa në vitin 2022 ky numër arriti në 542 mijë.
Disa burime flasin për shifra edhe më të larta, deri në 594 mijë, duke përfshirë kategori më të gjera të diasporës.
Ky zhvillim demografik reflekton dinamikat socio-ekonomike dhe politike që kanë karakterizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë që nga vitet ’90.
Rritja e komunitetit kosovar ka sjellë nevojën për ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor. Një nga zhvillimet më të rëndësishme është institucionalizimi i mësimit të gjuhës shqipe në shkollat gjermane, veçanërisht në Nordrhein-Westfalen.
Këto shkolla janë të financuara nga shteti gjerman dhe ofrojnë mësim plotësues në gjuhën amtare. Mësuesit shqiptarë janë të punësuar nga autoritetet arsimore, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të mësojnë shqip krahas gjermanishtes. Ky model nuk është vetëm ruajtje e gjuhës, por edhe një mekanizëm për integrim kulturor, duke dëshmuar politikën e bashkëjetesës së diversitetit në Gjermani. Këshilli i Arsimtarëve Shqiptarë ka luajtur rol kyç në këtë proces.
Po ashtu,në Austri, mësimi shqip është institucionalizuar që nga viti 1987 dhe është pjesë e sistemit publik arsimor, ndersa Italia ka një model më të kufizuar, ku mësimi shqip organizohet kryesisht nga shoqata kulturore, si shkolla “Artur Lleshi” në Bolzano dhe Këshilli i Arsimtarëve në Reggio Emilia.
Në Francë, shqipja mësohet kryesisht në nivel universitar, si në Institutin INALCO në Paris, ndërsa në nivelet parauniversitare mbështetet nga qendra komunitare.
Suedia përfaqëson modelin më të avancuar, ku çdo fëmijë ka të drejtë të mësojë gjuhën amtare në shkollë, e financuar nga shteti. Në Boras funksionon qendra kulturore “Migjeni” dhe revista “Dituria”.
Finlanda ndjek një model të ngjashëm, duke e ofruar shqipen si lëndë shtesë në shkollat publike, kurse në Danimarkë, mësimi shqip është i kufizuar vetëm në disa komuna si Kopenhaga dhe Ballerup, ndërsa në pjesën tjetër mbështetet nga shoqatat komunitare.
Turqia përfaqëson një rast të veçantë. Ky vend ka një diasporë shqiptare shumë të madhe, e vendosur gjatë periudhës osmane dhe shpërnguljeve të shekullit XIX e XX. Megjithatë, procesi i asimilimit ka qenë i fortë, duke bërë që brezat e rinj shpesh të mos e ruajnë gjuhën. Në vitin 2017, Ministria e Arsimit Kombëtar e futi shqipen si lëndë me zgjedhje në shkollat publike, duke filluar nga klasa e pestë. Ky vendim u mirëprit, por mbeti i kufizuar dhe nuk arriti të ndalë humbjen e gjuhës në brezat e tretë e të katërt.
Në një kontekst më të gjerë, shkollat shqipe në Gjermani dhe vendet e tjera evropiane përfaqësojnë një shembull të rrallë të institucionalizimit të gjuhës amtare në diasporë. Ato dëshmojnë fuqinë e organizimit komunitar dhe vullnetin politik për të mbështetur diversitetin kulturor.
Nëse kjo tendencë vazhdon, ajo mund të shërbejë si model për vende të tjera, duke e pozicionuar diasporën shqiptare jo vetëm si një komunitet ekonomikisht aktiv, por edhe si një subjekt kulturor dhe arsimor me ndikim të qëndrueshëm.