Clark: Ka pasur përpjekje të serbëve për të spastruar etnikisht veriun
Wesley Clark, ish-gjenerali amerikan që udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, dëshmoi sot në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë.
Gjenerali Clark u pyet për tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve në korrik të vitit 1999 në qytetin e Mitrovicës. Ai tha se “nuk kam menduar asnjëherë që UÇK-ja” ka organizuar trazira, por pohoi se ka pasur presion që shqiptarët të nxirreshin nga pjesa veriore e lumit Ibër.
“Nuk mendoj se ka qenë e organizuar. Nuk e kam pasur kurrë përshtypjen se kjo ka qenë e organizuar nga UÇK-ja. Këto ishin grupe individuale”, tha Clark.
Ai kujtoi se ishte ankuar te sekretari i atëhershëm i NATO-s dhe ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm të Francës, pasi atje ishin të dislokuar trupat franceze të KFOR-it, për shkak, siç u shpreh, përpjekjes së serbëve për ta spastruar nga shqiptarët pjesën veriore të Ibrit.
“Jam takuar me ministrin [e Mbrojtjes të Francës, Alain] Richard që më tha jo u kemi dhënë urdhër trupave franceze që të mbrojnë serbët në atë zonë dhe të mbështesin ata. Kemi pasur vështirësi për këtë. Por kështu funksionojnë trupat e NATO-s. Më vonë kam çuar përforcime atje në mënyrë që shqiptarët të mund të jetojnë atje”, tha Clark.
Clark: Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK
Wesley Clark u pyet nga avokati i Thaçit për takimin me komandantin Çeku dhe komandantët lokalë të UÇK-së për çështjen e demilirarizimit.
Ai u pyet nëse Thaçi kishte ndikim të kufizuar ndaj komandantëve lokalë, dhe ai u përgjigj me po.
“Më kujtohet që e kam parë Thaçin. Ishte i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjetër. Nuk dukej se kishte qenë në mal duke luftuar për një-dy vjet rresht. Ishte e qartë se nuk ishte përgjegjës aty, nuk komandonte aty”, tha Clark.
“Ai [Thaçi] ishte aty. Ishte njëri prej personave që e njihja më mirë. Nuk e kisha takuar më parë me Çekun. Por nuk mund të merresha përmes Thaçit. Ai nuk ishte përgjegjës”, shtoi ai.
Sipas tij, UÇK-ja nuk ishte një ushtri e organizuar, por kishte grupe luftëtarësh në nivel rajonal dhe lokal “që ishin mbledhur për të mbrojtur komunitetet e tyre”.
Gjyqi në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po shkon drejt përfundimit.
Që të gjithë i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998–1999. /rel