Albspirit

Media/News/Publishing

Kancelari gjerman: Asetet e ngrira ruse të përdoren për Ukrainën

Kancelari gjerman, Friedrich Merz i bëri sot thirrje Bashkimit Evropian që të përdorë asetet e ngrira ruse për financimin e Ukrainës së përfshirë në luftë, në prag të një samiti të liderëve evropianë që pritet të marrë vendim për këtë çështje në Bruksel.

“Presioni ndaj Putinit duhet të intensifikohet edhe më tej për ta detyruar të negociojë seriozisht dhe për këtë arsye kemi nevojë për vendimin e krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane”, theksoi Friedrich Merz para deputetëve gjermanë në Berlin.

“Bëhet fjalë, sigurisht, për të ndihmuar Ukrainën, por edhe për t’i dërguar një sinjal të qartë Rusisë, për t’i bërë të ditur se do të përdorim mjetet që kemi në dispozicion për t’i dhënë fund kësaj lufte sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi kancelari gjerman.

Krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian do të mblidhen të enjten dhe të premten në Bruksel për të vendosur, ndër të tjera, mbi mënyrat e financimit të Ukrainës gjatë dy viteve të ardhshme në luftën kundër Rusisë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po promovon një plan për përdorimin e aseteve ruse të ngrira me qëllim dhënien e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Kievin gjatë dy viteve të ardhshme.

Megjithatë, kjo nismë përballet me kundërshtim të fortë nga Belgjika, e cila strehon pjesën më të madhe të këtyre fondeve.

Brukseli zyrtar druhen nga hakmarrje të mundshme ruse ose nga rreziku që Belgjika të mbetet e vetmja që do të përballet me pasojat, veçanërisht në rast padish gjyqësore./atsh

https://ata.gov.al/2025/12/17/berlin-merz-asetet-e-ngrira-ruse-te-perdoren-per-ukrainen