Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Nga mikpritja tek individualizmi modern

Shoqëria shqiptare ka qenë e njohur për mikpritjen dhe miqësinë e ngushtë. Dikur, vizitat në shtëpi ishin pjesë e përditshmërisë; mysafiri shihej si bekim dhe dera e hapur ishte simbol i solidaritetit. Sot, kjo traditë po zbehet. Njerëzit janë bërë më vetiakë, më të mbyllur në botën e tyre, duke vendosur përpara nevojat personale dhe jo gjithmonë lidhjet shoqërore. Ritmi i jetës moderne ka ndryshuar gjithçka. Puna e gjatë, angazhimet e shumta dhe stresi i përditshëm e bëjnë të vështirë të gjesh kohë për vizita të gjata.

Teknologjia ka zhvendosur komunikimin: telefonatat, mesazhet dhe rrjetet sociale zëvendësojnë kontaktin fizik. Për shumëkënd, një bisedë virtuale duket më e lehtë se një vizitë në shtëpi. Sociologët e shohin këtë si pasojë të kulturës postmoderne, ku individi është bërë “qenie sovrane” dhe lidhjet tradicionale janë dobësuar. Mysafiri, dikur i mirëpritur pa paralajmërim, sot shpesh shihet si ndërprerje e rutinës. Privatësia ka marrë vendin e mikpritjes. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se miqësia ka humbur. Ajo ka marrë forma të reja, por ngrohtësia e një vizite nuk mund të zëvendësohet nga ekranet. Rikthimi i traditës së mikpritjes do të sillte më shumë afërsi dhe solidaritet në shoqëri. Në një botë gjithnjë e më individualiste, kujtimi i vlerave të dikurshme është një thirrje për të mos harruar se njeriu ka nevojë për njeriun.