Albspirit

Media/News/Publishing

Muhamet Bela dhe monografia “Kërkime prehistorike në bashkimin e Drinit”

Studimi i kulturave prehistorike dhe ilire të zonave të veçanta pëbën një detyrë të rëndësishme për shkencën arkeologjike shqiptare. Një studim i tillë mundëson që mbi bazën e një njohje sa më të plotë të tyre të realizohen përgjithësime në një shkallë më të gjerë dhe të arrihet në përfundime sa më të sakta, lidhur me zhvillimin kulturor dhe historik të vendit tonë në lashtësi.
Në këtë drejtim mendojmë se dhe monografia “Kërkime prehistorike në bashkimin e Drinit”, me afro 357 faqe dhe aparat relativisht të pasur ilustrativ, përgatitur nga ana jonë, në të cilën trajtohet në mënyrë të hollësishme kultura prehistorike dhe ilire në pellgun e Drinit (Dardania Perëndimore), besoj se përbën ndihmesë në plotësimin akoma më të gjerë të kuadrit të zhvillimit prehistorik e protohistorik të kësaj treve dhe në përgjithësi të zonave tona verilindore.
Qëllimi i kësaj monografie është që të paraqesë në mënyrë sa më të plotë të dhënat e fituara nga gërmimet e bëra në disa vendbanime të hapura, shpellore, të fortifikuara dhe varreza tumulare të këtij rajoni dhe, njëkohësisht, të trajtojë, për aq sa e lejon lënda arkeologjike e zbuluar, disa probleme me karakter kulturor, etnik dhe ekonomiko-shoqëror.
Monografia është rezultat i një pune kërkimore e studimore disavjeçare të kryer në terren e kabinet dhe mbështetet mbi një lëndë relativisht të pasur e të larmishme të venbanimeve e varrezave tumulare të gërmuara nën drejtimin e autorit. Njëkohësisht janë shfrytëzuar dhe të dhënat e ofruara nga kërkimet e studimet e kolegëve të tjerë në trevat e Dardanisë.
Materialet që sillen nga këto vendbanime e nekropole tumulare, në një situacion mjaft mirë të përcaktuar stratigrafik, kanë ofruar të dhëna mbi epokat neo-eneolitike, të bronzit e të hekurit. Mbi bazën e këtyre gërmimeve, arrihet në përfundime të rëndësishme, ndër të cilat argumentohet dhe përkatësia etnike dardane e kësaj kulture, si dhe përkatësia ilire e dardanëve etj.