LLAMBI QIRKO MËSUESI, KOLONELI I STRUKTURAVE TË SIGURISË DHE POETI KRIJUES
(Në respekt dhe mirënjohje për mësuesin, Kolonelin e strukturave të sigurisë së brendshme shqiptare, Harallamb Qirko në kuadrin e 75 vjetorit të lindjes, për familjarin shembullor, lunxhiotin me rrënjë dhe gjirokastritin e mençur aristokrat, poetin e apasionuar me ndjeshmëri të lartë njerëzore e qytetare në kundërshtim të hapur me padrejtësitë, fizikantin pasionant, futbollistin, kitaristin, veprimtarin njerëzor, qytetarin korrekt, që i përjeton ngjarjet dhe zhvillimet e realitetit shqiptar përmes dufeve të shpirtit të tij poetik në ciklet poetike “Udhëkryq”).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
*
Copëza jete në qytetin e gurtë (shkëputur sipas origjinalit nga cikli me poezi “Udhëkryq”
Kisha filluar të shkruaja disa copëza jeta për Harallamb Qirko, mësuesin elokuent, kolonelin e sigurisë, poetin, njerëzorin. Por… nga Viena më shkruan Jorgo Qirko, i vëllai i tij dhe na “prishi” planet. Kam një libër për ti.. sapo të kthehem takohemi, më thotë.. Duke lexuar librin, që ende nuk i ishte tharë boja, gjykova se për Profesor Llambin nuk kam çfarë të shkruaj më tepër se sa ai vetë e ka përshkruar biografinë e tij:“… jam lindur në Gjirokastër në 3 Mars 1951 nga prindërit Naqo dhe Eftimia, me prejardhje të afërt nga Lunxhëria. Babai Naqo Lame Qirka (1914-1958) ishte nga fshati Këllëz, kurse nëna Eftimia Gaqe Bakuli (1925-2018) nga fshati Saraqinishtë. Qirkajt kanë ardhur në Këllëz nga Hormova e Lunxhërisë (vargmali i Lunxhërisë fillon nga gryka e Këlcyrës deri në grykën e Selckës). Shkaku i shpënguljes brenda krahinës ishte masakra e Ali Pashë Tepelenës mbi banorët e Hormovës (më 1788 kundër kapedan Çaush Mitro Priftit) e deri rreth viteve 1796-1800. Familja e gjyshes time Polikseni Çorri, nëna e babait, ishte nga fshati Çorraj pranë Kuçit dhe Fterrës, të ikur para disa brezash, për t’i shpëtuar përndjekjeve turke për mosndryshimin e fesë nga ortodokse në myslimane. U vendosën në fshatin Stegopul të Lunxhërisë, duke e ndryshuar mbiemrin nga Nika në Çorri për nder të fshatit të prejardhjes. Ka patur një praktikë zakonore në Lunxhëri, që në një periudhë ndoshta midis viteve 1850 e 1900 në familjen Qirkaj nuk pati trashëgimtar djalë, ndaj ajo shtëpi mori një dhëndër brenda. Ai quhej Naqo Biri nga Qestorati, që më vonë thuhet se ky mbiemër u ndërrua në Zografi nga një prej djemve, që u bë piktor dhe pikturonte kisha në Greqi, pra zografiste kisha. Sipas zakonit dhëndërri duhet të mbante mbiemrin e shtëpisë ku pranonte të hynte dhëndër. Vetëm kështu bëhej trashëgimtar i asaj shtëpie e pasurie. Pra mbiemri Biri “humbi” dhe mbeti mbiemri Qirkaj, që me kalimin e kohës u shndërrua në Qirko, për gabime teknike të nëpunësve të gjëndjeve civile. Nga Naqo Qirka (Biri) lindi Lame Qirka, gjyshi im, i cili lindi Naqon e ri, babanë tim. Babai im Naqo Lame Qirka lindur në vitin 1914 në Këllëz mori pjesë aktivisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si partizan në batalionin “Misto Mame”. Pas çlirimit nga nazifashizmi u specializua në drejtësi dhe në vitet 1954-1958 punoi si Kryetar i Gjykatës në rrethin e Sarandës. Në 15 Dhjetor 1958 në moshën 44 vjeç u nda nga jeta nga një sëmundje e rëndë, tumor në mushkëri, që nuk u dominua dot as nga mjekësia gjermanolindore ku shkoi për kurim. U operua në Tiranë nga kirurgu sovjetik Ivanov, por mbeti vetëm me një mushkëri, derisa nga një ftohje në krye të detyrës humbi edhe mushkrinë e vetme që kishte. Nëna ime Eftimia mbeti vetëm në moshën 33 vjeç me tre fëmijë. Unë isha 7,5 vjeç, motra Vera Tarifa (Qirko) 5. 5 vjeç dhe vëllai Xhorxhi 16 muaj. Jetesa u vështirësua shumë, u transferuam në Gjirokastër për të qenë sa më pranë fisit. Na sistemuan me qera në shtëpinë e Selami Xhaxhiut në lagjen “Palorto”. Fati na bekoi të ishim nën një strehë me familjen e mrekullueshme të Mane dhe Ismihan Xhaxhiut dhe gjyshe Anesë, që na u gjendën pranë si të ishim fëmijët e tyre. Në portën përballë vetëm 3m larg banonte Halit dhe Hatixhe Kadareja, prindërit e Ismail Kadaresë. E përmend këtë fakt sepse pati ndikim të madh tek unë. Ismaili ishte në Tiranë. Kur u transferuan edhe prindërit u pa se në bodrumet e shtëpisë kishte shumë libra në shqip dhe në gjuhë të tjera. Nuk e kuptoja pse pati rrëmujë kur u ngarkuan librat, por fëmijët e lagjes morën shumë prej tyre dhe i bënin kausha e aeroplana, që i hidhnin nga buza e “Prroit të Ficos”. Edhe unë mora disa, por ishin rusisht dhe nuk i kuptoja. Mbaj mend njërin që kishte autore Nina Potapova dhe ishte metodë për mësimin e gjuhës ruse. Gjatë tranferimeve tona të mëvonshme humbën… Kjo ka ndodhur rreth viteve 1959-1960. Kështu pra u sistemuam në një lagje proverbiale të Gjirokastrës me shumë bëma e histori ku dominonin “Shtëpia dhe Përroi i Ficos” dhe “Sokaku i të Marrëve”. Emrin e Ismailit e mësova kur u hap fjala se një djalë i lagjes, Ismaili i Halitit, kishte botuar në Tiranë një libër për “Princeshën Argjiro”, që thuhej se kishte qenë princesha e Gjirokastrës. Atëherë na thuhej se nga kjo princeshë kishte marrë emrin qyteti i Gjirokastrës. Më vonë kuptova që kjo ishte një legjendë. Emri i qytetit në fakt vjen nga Gjin Bua Shpata, sundimtari i tij. Dikur e quanin Gjinokastër. Më vonë dikush,”s’dihet” pse, i ndryshoi një germë që në të vërtetë tjetërsoi një fakt historik duke e zëvendësuar me një legjendë. Vajta me të shpejtë tek halla ime Theano Shtaka në lagjen Varrosh dhe ju luta të më jepte ndonjë lekë për ta blerë. E mbajta vrapin tek libraria e Alizot Emirit, që më tha se libri kishte mbaruar. U mërzita shumë dhe më shpëtuan lotët nga dëshpërimi. Kur më pa në atë gjendje i miri Alizot m’u afrua dhe më pyeti përse e doja me domosdo atë libër. Më sugjeroi një tjetër. Unë e kundërshtova se doja librin e komshiut të lagjes, djalit të xha Halitit. Aha. Kështu qenka puna? Ke të drejtë, më tha. Nxori nga nënbanaku një libër dhe vazhdoi: Po të jap kopjen që kam ruajtur për djalin tim. Të takon se e ke gjiton Ismailin. Gëzimi im s’kishte kufi. Me vrap te halla dhe nisëm ta lexonim bashkë. “Ja po ndiej si rend me shpatë,/ Një kalorës nëpër natë,/ Fushës errësuar,/ Vallë kush është ai ?,/ Një kalorës kalin,/ Ç’e nget si veri..,/ Shpata seç i varet,/ Gjaku ç’i kullon,/ Natë e zezë tutje,/…Nxin porsi një hon…etj. Dhe ditë pas dite e mësova përmendësh gjithë poemën “Princesha Argjiro”. Mburresha para shoqërisë që kisha librin më të bukur në botë.. dhe nisa të ëndërroja… sikur të bëhesha edhe unë si djali i Halitit. Nisa të bashkoja fjalët për të imituar djalin e Halitit, por aha.., s’ishte aq e lehtë”. Një jetë në fokus të mençurisë lunxhiote dhe gjirokastrite. Kujtimet janë pasuri, kulturë dhe domosdoshmëri në vijueshmërinë e jetës, pasi plotësojnë më së miri një maksimë proverbiale popullore, “pa të shkuar s’ka të ardhme”!.
*
Njeriu shumëdimensional, profesional, figurë e nderuar dhe edukator në breza
Profesor Lamja ishte pjesë e jetës së nxënësve, në jetën e përditshmërinë e tyre, në kujtimet e tyre për sa e sa breza, e kujtimeve të mira të mësimdhënies rigoroze kur shteti ishte shtet, ishte shpirtërisht me nxënësit, mësues në klasë, shok në fushë të futbollit, organizator i talentuar aktivitetesh, frymëzues për brezat, kultivues i ndjenjës së të veshurit bukur, të ecurit drejt, të vrapuarit, të jetës aktive shoqërore, muzikore dhe jo vetëm. Prandaj e donin dhe e duan profesor Lamen dhe e kujtojnë në breza, e kujtojnë edhe ata që janë thithur, që rininë e thinjën në profesione nga më të ndryshmet ku kishte nevojë shteti, dhe në demokraci ku mundën këtu në vendin e tyre por edhe në emigracion. Nuk është e rastit që krijimtaria poetike e Llambi Qirkos është e lexuar dhe e komentuar në të gjithë kontinentet, pasi “shok facebook-u” ka jo pak por 4100 followed-sa. Ne nxënësit e tij dikur bënim edhe gabime, por kishte një morsë ndreqëse, kishte mekanizma drejtues dhe kthimi nga një rrugë e shtrembër në një rrugë të dretë e të ndershme. Kjo ka bërë që të funksiinonin organet kolegjiale dhe të shiheshin me sy kritik zhvillimet e kohës. Kultura dhe dituria kishte të bënte shumë dhe për këtë nxënësit e asaj kohe janë shumë falënderues për shembujt e mirë dhe të dashur që kishte shkolla.
Kështu drejtues dhe mësuesa me vlerë të spikatur në kujtesën e nxënësve për Shkollën e Mesme “Ura e Kardhiqit”, që më vonë shkolla mori emrin “Dr. Bilal Golemi” kanë qenë: Leonidha Xuhano, Harallamb Qirko, Vjollca Aliko, Niko Gjoni, Kosta Foto, Kosta Barka, Resmi Shehu, Edmond Çekani, Tatjana Çene, Anastas Mastaka, Nexhmie Kroi, Xhafer Dyrmyshi, Petro Karajani, Koço Kosta, Natasha Skëndi, Kiço Cici, Jorgjia Suljoti, Afërdita Loli, Azis Duro, Muharrem Dybeli, Vangjel Loli, Xhevdet Shehu, Maria Guga, Panajot Duka, Lefter Kajtazi, Panajot Kamberi (ish futbollist i Luftëtarit) e deri tek punonjësit Zini Dadaj nga Mashkullora, por dhe Zoto Vasi, Luiza Rrapi, Lutfie Kanani, Ali Daci, Paskal Rrapi etj. Profesor Llambi i respektonte të gjithë dhe përgjatë gjithë kohës së punës tek “Ura..”, meritoi mirënjohjen e Labërisë, Lunxhërisë, Dropullit gjithë krahinave nga vinin në shkollën e tij nxënës nga çdo trevë e Gjirokastrës.
Përshkrimin më të plotë të kësaj periudhe e sjell vetë autori i librit: “Pasi mbarova fakultetin në vitin 1973 u emërova mësues i fizikës në shkollën e mesme bujqësore “Ura e Kardhiqit”, e cila më vonë u quajt “Dr. Bilal Golemi”. Në këtë shkollë na emëruan njëkohësisht disa nga ne, që kishim qenë edhe shokë në gjimnazin “Asim Zeneli” dhe kishim mbaruar arsimin e lartë, prandaj u krijua një kolektiv shumë i mirë mësuesish. Në vitin 1978 krijuam familjen me Marika Qirjako Joanidhi, mësuese matematike me origjinë nga Zagoria e Gjirokastrës. Kemi dy fëmijë, Elianën (1978) dhe Julianin (1981). Eliana është informaticiene dhe Genti Xhelilaj doktor pediatër reumatolog na kanë dhuruar dy mbesa bionde e kaçurrelse, Enian dhe Jonën, që na e kanë zbukuruar jetën. Për gati 9 vjet (1973-1982) shkolla u bë qendra e aktivitetit mësimor, kulturor, artistik e sportiv të krahinës së Kardhiqit. Unë i bija kitarës. E shndërrova një kitarë në akustiko-elektrike dhe krijova orkestrën e shkollës, me të cilën bënim shpesh mbrëmje tematiko-dëfrimi. Nxënësit e “Urës…/Dr. Bilal Golemi” kanë vallëzuar me muzikën e bukur popullore, por edhe me meloditë instrumentale të muzikës së lehtë shqiptare e të huaj që në vitet 1970-80-të. Krijuam ansamblin artistik të shkollës dhe nisëm të jepnim shfaqje nëpër fshatrat e zonës. Krijuam ekipin e futbollit i cili pati shumë suksese duke u ndeshur me ekipet e fshatrave, të shkollave etj. Arritëm të fitonim edhe me ekipin e të rinjve të “Luftëtarit”. Unë luaja qendërsulmues dhe bëja njëkohësisht trainimin e ekipit. Dëshira, pasioni dhe angazhimi shumë serioz i nxënësve të emociononin. Ishte krahinë shumë arsimdashëse. Jepnim mësim edhe në shkollën e natës tri herë në javë, të hënën,të mërkurën dhe të premten. Punonim shumë dhe me entuziazëm. Lodheshim shumë, por ndienim gëzim kur shihnim dëshirën e pakufishme të nxënësve për arsim e kulturë dhe megjithëse bënim deri në 30 orë mësimi në javë, nuk na shkonte mendja se duhet të paguheshim më tepër, se ata që në qytet bënin nga 20-22 orë në javë. Niseshim nga Gjirokastra në orën 6.30 të mëngjesit me “fizarmonikë”, autobuz me rimorkio që prodhoheshin në Shkodër dhe ktheheshim në orën 17. Kur kishim shkollë nate, që vazhdonte deri në orë 19, dilnim në rrugë për ndonjë makinë rasti. Në atë orë vinte ndonjë makinë ngarkuar me qymyr nga Memaliaj. Mësueset hipnin përpara, ndërsa ne burrat mbi qymyr. Bëheshim helaq dhe kur mbërrinim në shtëpi futeshim drejt e në tualet, për tu larë me kanoçe. Jo rrallë ndodhte që nuk vinte asnjë makinë dhe flinim në konvikt bashkë me nxënësit. Këto raste mësueset i përdornin për t’i mësuar vajzat si të përsosnin higjienën personale dhe rregullin në konvikt e në dollapat e rrobave. Atëherë shkolla zbatonte të ashtuquajturin trekëndësh revolucionar “mësim; punë prodhuese; edukim fiziko-ushtarak”. Përshkrim me detaje dhe mbresë jetësore të rinisë së mësuesisë në kushte “të mira”, se kishte edhe më keq. Por në fakt jeta nuk i përkëdheli kurrë dhe mësuesit ngelën misionarë të dritës së diturisë. Pra për gjithë zonat ku punuan mësuesit tanë janë udhëhequr edhe nga thëna filozofike, edhe pa e njohur se Sokrati kishte thënë “Ka vetëm një të mirë dhe ajo është dituria, si dhe ka vetëm një të keqe dhe ajo është padituria”. Një mësim i madh filozofik dhe historik.
*
Lunxhëria dhe Gjirokastra dy binjake të historisë përballë njëra-tjetrës
Është privilegj të kesh rrënjë dhe në një farë mënyre të mburresh me atë çfarë të ofron vendlindja dhe vendbanimi në fëmijëri. Harallamb Qirko i ka të dyja edhe origjinën e të bukurës Lunxhëri, edhe fëmijërinë e aristokrates Gjirokastër. Prandaj dhe vargjet e Arben Dukës dhe kënga e Petrit Lulos tingëllon aq bukur, “Po the Gjirokastra i ke thënë të tëra..”. Lunxhëria është pëllëmbë e mençuri, bukuri dhe si gjithmonë ofron “plot lezete…”, kaq pranë qytetit, kaq pranë dijes, e tëra një formacion fshatrash të bukur me mirës njerëzore. Prandaj edhe Harallamb Qirko e përshkruan me kaq dashuri origjinën stërgjyshore.
Lunxhëria e Llambi Qirkos është krahinë mjaft e njohur që shtrihet në shpatet e maleve me pamje të mrekullueshme dhe natyrë të pasur. Lunxhëria dallohet për fshatrat e saj karakteristike me shtëpi guri dhe çati tradicionale, por ka edhe një histori të lashtë. Këtu si në gjithë trevën jugore e veriore të vendit mikpritja e kultura ka shtëpinë, që ruhet e trashëgohet brez pas brezi. Edhe shkrimtari Xhorxh Gordon Bajroni i kishte ngelur në mendje “byreku lunxhiot”. Fakt është se kur Bajroni kaloi nëpër Lunxhëri dhe qëndroi në Labovë të Kryqit, Qestorat e gjetkë, në mes shumë ushqimeve i bëri përshtypje byreku lunxhiot, me lakra, cerepulicë, erëza etj. Natyrshëm Llambi por dhe lunxhiotët krenohen me veçoritë e trevës së tyre, me kostumografinë me këngët dhe vallet e bukura lunxhiote. Për këtë arsye Lunxhëria është spirancë e çimentuar ku shpirti lunxhiot dhe jo vetëm është lidhur poazgjidhshmërisht me të, ku muza poetike rrjedh e pikon frymëzim. Njësia administrative “Lunxëria” përbëhet sot nga dhjetë fshatra piktoreskë: Qestorat, Dhoksat, Këllëz, Mingul, Nokovë, Erind, Gjatë, Kakoz, Karjan, Valare. Në këtë zonë gjenden edhe shumë kisha e monumente kulture me vlera historike. Lunxhëria është e njohur për këngët dhe vallet e bukura popullore karakteristike të jugut. Peizazhi i saj përfshin fusha të gjelbra, ullishte dhe burime ujore të kristalta. Krahina ka dhënë figura të shquara në historinë dhe kulturën shqiptare dhe mbetet rrëzë maleve të Lunxhit dhe të Çajupit një zonë me rëndësi të veçantë kulturore dhe turistike në Gjirokastër. Njertëzit e mençur të kësaj treve i kanë dhënë dimension të veçantë krahinës, këtu ku ka gjetur frymëzim e muzë poetike edhe poeti lunxhiot Harallamb Qirko. Gjirokastra është perla e jugut, qyteti i kalldrëmtë, që një i huaj dikur, thoshte “pse nuk e bëjnë me portë këtë qytet?” që ta vizitojë turistët e gjithë botës. Pra, në këtë parajsë u lind dhe u rrit, u formësua Harallambi që fëmijë e deri në maturant të vitit 1969, për t’u rikthyer nga dyert e Universitetit, e më tej mësues dhe edukator plot kulturë dhe energji, që e ndërtoi jetën me vrull rinor kudo që punoi dhe jetoi në jug dhe në veri, diti të përballej me vështirësi nga më të ndryshmet dhe i dha kuptim jetës.
Gjirokastra është një nga qytetet më të bukura dhe historike të jugut të Shqipërisë, ose qyteti i “kalldrëmtë/ gurtë” për shkak të shtëpive karakteristike me çati prej guri, është shpallur pasuri botërore nga UNESCO për vlerat e rralla arkitekturore. Madhështore është kalaja e Gjirokastrës, një nga kështjellat më të mëdha në Ballkan, me rrugicat me kalldrëm dhe pazari i vjetër që i japin qytetit një atmosferë tradicionale të veçantë, me figura të njohura të historisë dhe kulturës shqiptare, por dhe me pamje të mrekullueshme drejt luginës së Drinos, me shtëpitë muze, qytet i Festivalit Folklorik Kombëtar, qendër e kulturës, historisë dhe turistike, vend frymëzues për piktorët, poetët e shkrimtarët. Të lindurit në këtë qytet si profesor Harallambi kanë plotësisht të drejtë të jenë nostalgjik për këtë margaritar të rrallë që ka vendi.
*
Kolonel, një gradim përtej interesave të mësuesisë dhe jo vetëm…
Për kohën të punoje në strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë ishte më shumë se obligim. Ishte një përzgjedhje e urdhëruar. Kështu në nëntor 1982, me urdhër nga lart nga Gjirokastra përzgjidhen tre kandidatura dhe për Harallambin vjen një “transferim në mënyrë të pakundërshtueshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Natyrshëm ishte një ndryshim i papritur i profilit, se “Atdheu e kërkonte” në një front të ri pune. Vetëm 31 vjeçar rifilloi specializimet, nis një rrugëtim i ri krejt i ndryshme nga mësuesia. Dhjetë vite sfidë ndaj vetes, prej vitit 1982 deri në korrik 1992 kur me neni famëkeq 24/1 demokratura e flak në rrugë pa të drejtë ankese. Ishte një periudhë kur për 3 vite kishte përfunduar me korrespondencë shkollën e lartë filozofike e politike si vbijonte Akademinë e Rendit Publik. Shërtbeu vetëm dy vite në MPB (1982-1984), dhe prej andej dërgohet kryetar i Degës së Punëve të Brendshme Lezhë (1984-1991), ku e gjetën edhe proceset e “lëvizjes demokratike” në Lezhë. Me aftësi dhe mençuri e kaloi këtë periudhë pa dëmtime serioze. Me vendosjen e gradave ushtarake më 28 nëntor 1991 gradohem “kolonel”, ku shërben dy vite (1991-1992) drejtor i Drejtorisë së Shifrës pranë SHIK-ut, dhe në korrik 1992 largohet nga puna familjarisht së bashku me bashkëshorten Marika Qirko (Joanidhi) mësuese matematike, babai i së cilës kishte luftuar për këtë vend në radhët e formacioneve partizane antifashiste. Kalvari i persekutimeve kishte nisur, natyrshëm edhe problemet ekonomike. Emrin “gjirokastrit” nuk e dëgjonin dhe nuk e shikonin dot pushtetarët deri sa arriti në atë pikë se “akoma ka gjirokastritë. Këtë urrejtje të pushtetyarëve ndaj një popullsie e banorëve të saj nuk është ndeshur kurrë në trevat shqipfolëse. Dy intelektualë model gjirokastritë, me dy fëmijë të vogël, mbetëm në Lezhë, pa asnjë përkrahje. Ata mundën të ktheheshin në Tiranë vetëm në vitin 1996. Koloneli që ishte ajka e intelektualëve të rinj shqiptar për 18 vjet rresht nuk mundi të punësohet as mësues në administratën shtetërore, sepse drejtuesit demokratikas por dhe ata socialistë shfaqnin alergji për strukturat e mbrojtjes e të sigurisë së sistemit të kaluar. Kjo ishte natyra e “fytyrës së re” të euroatlantikasdve e vizionarëve properëndimorë, sikurse shprehet autori i librit. Por katastrofa e strategjive, vizioneve dhe politikave të tyre rezultuan dukshëm dritëshkurtra e antikombëtare. Korrupsioni i “demokraturës shqiptare” djathtas, majtas apo në qendër ka shkuar deri në kockë vetë shtetit, që jo rrallëherë është gjendur buzë greminës për paaftësinë politike dhe për “mbështetjen” e kuzhinave të megaliidheas dhe të naçertanies, që gjenden gjithmonë sy e veshë “për ti dhënë një dorë” punëve. Nisur nga ky komplesitet ngjarjesh dhe për këtë arsye forca e poetit dhe kolonelit Llambi Qirko është protestë në vargje, që është mospajtim me korrupsionin, politikën dhe verbërinë e disa “drejtuesave” politikë e shtetërorë të demokraturës së shtetit shqiptar.
*
Poezia e Llambi Qirkos -gurgullimë shpirti, kundërshtim e rebelim ndaj padrejtësive
Autori Harallamb Qirko na flet përt “vjersha fëmijërore”, që kur ka qenë në klasën e gjashtë (1963) në shkollën “Koto Hoxhi”, ku ora e mësimit në leximin letrar ishte një instruksion më vete se si të rritej shpirti poetik tek një fëmijë. Kush më mirë se mësuesit e kultivonin këtë “farë poetike”, që të rritej dhe të mos vishkej kurrë. Edhe përshkrimin për fëmijërinë profesor Llambi e bën në mënyrë poetike, që ngjan si vargëzim poetik dhe jo si prozë. Populli thotë, “ngjajnë pra tregohen”. Ja si shprehet autori: “…kur shkova në klasën e parë e mësova emrin tim të plotë. Kur mësuesja në apel lexoi emrin Harallamb askush nuk po përgjigjej. Kur përmendi mbiemrin Qirko i habitur u ngrita në këmbë… Atje mësova se në dokumentin e lindjes unë isha regjistruar me emrin Harallamb, emri i gjyshit. Në librin e vet autori nuk i lë lexuesit në hamendësime se: “Pse autori përdor tre emra Harallamb, Llambi, Lame?!” që është jo kuriozitet, por mbart dhe elementë të zakoneve tradicionale pasi në Lunxhëri “Harallamb” do të thotë hare plus llampa, ose “gëzim e dritë”, por që shkurtohet edhe Lame, sikurse thirrej edhe Lame Qirko i parë (ose Harallambi, gjyshi i profesor Llambit).
Kur e emëruan kryetar të Degës së Punëve të Brendshme të Lezhës e prezantuan me emrin e gjendjes civile. Lezhjanët duke mos e njohur faktin e shkurtimit të emrit në Lunxhëri nga Harallamb në Lame menduan me të drejtë, se mund ta quanin Llambi. Kështu u pagëzova me tre emra, Harallamb për ligjin (gjendjen civile), Llambi për Lezhën, Lame për Gjirokastrën”. Një shpjegim i domosdoshëm që fashit gjithë dilemat e emrit. Ndërkohë që rritej shkollohej, arsimohej e kualifikohej, mësonte të tjerët dhe mësonte nga jeta, ju përgjigjes sfidave poezia brenda vet koshiencës së Llambit rritej dhe priste momentin. Nuk thonë kot francezët: “Avec la volonte de la passion on arrive a tout”/ Me vullnet dhe pasion, mund të arrish çdo gjë. Mosha rritej dhe me kalimin e kohës, student dhe më tej bënte vargje sidomos humoristike e gazmore për raste takimesh ose mbrëmjesh e ceremonish shoqërore, që kur shoqërtia i lexonte qeshte dhe vetëm kaq hidheshin pa kujdes. Poezia ngeli e “strukur” pasi në vitin 1969 përtfundon me rezultate shumë të mira gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokastër. Kërkon në ish-Komitetin Ekzekutiv degët inxhinieri elektrike në Universitet, por dërgohet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë, në Tiranë. Degët matematikë e fizikë shkonin “me urdhër”/me planifikim. Fizika del në plan të parë dhe poezia do të priste, pra ishte në listën e synimeve të së ardhmes. Edhe mësues hapësirat e lirisë poetike i mbyste rutina dhe pasionety e shumnta përt jetën. Në strukturat e sigurisë pranoi sfidat e vetizolimit dhe të ndrydhjes së shpirtit poetik, pranoi vështirësi të panumërta, arkivoi në veten e vet dhe lejoi riaktivizimin e pasionit të fëmijërisë së hershme për poezinë, për relaksimin shpirtëror dhe plotësimin e kërkesave intelektuale, përveshi llërët përballë zhvillimeve teknologjike, dhe e la shpirtin të lirë të kalërojë mbi poezinë i lirë, i papenguar nga pushtetet.
Lexuesi i poezisë së Llambi Qirkos është i gjerë, pasi ai nuk “e burgosi” kurrë mendimin poetik dhe kjo duket edhe në komentet e shumta që miq e dashamirës i bëjnë poezisë së tij origjinale. Të jetosh në Gjirokastër, Lunxhëri e Labëri e ke fare të thjeshtë të gjesh motivin që e ushqen natyra, të rrëfesh mes vargut poetik, ku është si ta “korrësh” me kosë mendimin që toka margaritar ka me shumicë, mjafton të dëgjosh nga brezat dhe krejt papritur ndodhesh në një bahçe mendimi, të rrethuar me trëndelinë e lule akthi. Për këtë arsye mund të themi se autori i librit muzën poetike e ka të trashëguar, të lindur që në fëmijëri, të kultivuar në rini dhe të përsosur në burrëri. Autori ka ditur t’u “gjejë zemrën poetëve dhe adhuruesave të poezisë, ka ditur t’u hedhë, kripë e piper, t’u shtojë erëza lunxhërie, shqipërie, mesdhetare e europiane dhe ta bëjë poezinë e saj të flasë me mesazhe e të transmetojë kthjelltësi, sinqeritet, origjinalitet sipas kohës e stinëve që jetojmë.
Në librin e tij “Udhëkryq”, (ëndrra, zhgënjime, dhimbje, shpresë), publikuar pak ditë më parë në 260 faqe me pesë pjesë janë pëfshirë më shumë se njëqind poezi të gjinive të ndryshme, që përfshijnë një gamë të gjerë aspektesh të jetës njerëzore. Pa pretenduar se jam njohës i detajuar i poezisë, vlerave artistike dhe mesazheve që përcjellin veprat poetike po jap disa mendime mbi këtë libër me vlerë: Libri poetik “Udhëkryq” është një vërtetësi e realiteteve shqiptare, që mbart forcë të fjalës është pasurim në lëmin poetik; libri mbart atdhedashuri dhe ndjenjë të lartë njerëzore; vëllimi poetik është artistikisht i arrirë me gjuhë të qartë, fjalor të përzgjedhur jo vetëm krahinor por i përmbahet standardit drejtëshkrimor kombëtar; libri ka fantazi, larmitet në tematika, fabula brenda poezive, mesazhe për lexuesin; libri shpreh botën e brendshme të autorit, por ka edhe revoltë e shpërthime filozofike e morale kundër çdo padrejtësie; është i sinqertë deri në fund, goditës ndaj asaj që quhet e pamoralshme, është edukues e ndonjëherë edhe rebel për të drejtën, për njerëzoren, për shpirtëroren, shpreh qyteari dhe fisnikëri, është popullor e masovik në mendime dhe aristokrat në gjykime, është i lexueshëm në çdo kohë dhe për çdo kohë, por edhe premtues për vijimësi si poet edhe në të ardhmen. Shpresojmë që ëndërrimet, zhgënjimet e dhimbjet të shndrohen në shpresë dhe më shumë dritë në të ardhmen.
Jam i sigurt se libri me poezi i Harallamb Qirkos do të ketë lexuesit e vet, përtej stolisë në bibliotekat e nxënësve, miqve e dashamirësve të tij. Shprehja latine se, “Habent sua fata libelli/ Librat kanë fatin e tyre”, flet në mënyrë të kristaltë për më shumë se njëmijë fjalë dhe se krijimtaria poetike është mendim e mesazh për të sotmen dhe të ardhmen. Fatet librat poetikë i shkruajnë vetë, që kur autori derdh në letër mendimet e deri tek destinacioni qartësisht i dukshëm dhe i adresueshëm. Por vetëm te politikanët shkojnë me shumë vështirësi ose nuk shkojnë fare. Intelektualizmi poetik shqiptar dhe jo vetëm gjithmonë do të ketë uri dhe dëshirë që të lexojë mesazhe e frymëzime poetike, që janë me këmbë në tokë. Ai do të zërë vend në kolanën e veprave të lexuara të çdo kohe për thellësinë e mendimit poetik e më gjerë, por më shumë për mesazhet.
Duket qartë se në formatin poetik, Profesor Harallambi qëndron solid në “lëkurën e tij”! sepse në librin e tij. Ai nuk rend pas sasisë, por drejt racionales, që sikurse thotë në parathënien elegante synon që edhe në të ardhem, poezitë e tij ti vetëskanojë dhe që, “ndonjë “dikush” dashamirës kompetent do të krijojë bindjen se ia vlen, mund të ndalet më gjerësisht në evidentimin e vlerave artistike, gjuhës së figurshme, pasurisë së fjalorit, llojshmërisë, ritmikës, strukturës së vargut e rimës, larminë e tematikës, gjerësinë e hapësirave të interesit…, që vargjet, strofat e vjershat.. të ngacmojë sadopak ndjeshmëritë njerëzore”.
Në pjesëzën “Ëndrra” shpaloset një lëndinë e pafundme ndjenjash në poezitë:“Mjerimi s’ka Atdhe”, “Lulet e Lofatës”, “Trëndafili me vesë”, “Duke pritur shiun…!”, “Nënës sime”, “Urimi i Nënës…!”, Ma rrëmbeu ylberi…!”, “Joshje e natyrës”, “S’bën mëkat”, “Një ditë sa një jetë”, “Tretur në ylber”, “Parajsa “Lunxhëria”, “Perëndim i mjegullt”, janë një buqetë ndenjash njerëzore. Por syri na kap vargje-ndjenjë shpirtërore: “Eh! Bukuria na çlodhte sytë,/ Nga “Mali i Gjerë” – tej në luginë,/ Rrjedh lumi Drino që s’ka të dytë,/ Në horizont shoh Lunxhërinë…/ Me ahe shpirti, psherëtin./ Për Gjirokastrën dhe Lunxhërinë,/ Lot ngazëllimi, mall dhe trishtim!”. Vargëzimi për nënat është nga më të veçantët për poetin: “Këngë lunxhjote kënduam mbrëmë,/ Ia more Ti, ia ktheva unë,/ Nipat e mbesat iso na bënë,/ Gëzim’ i zemrës rrodhi lumë…”, dhe më tej “Se ësht’ i ëmbël urimi i nënës,/ E përvuajtura gjer në dhimbje./ Si rrezja zbritur prej dritëhënës,/ I pari është në çdo datëlindje..” ndjenjë e papërsëritshme të lidhjes bir-nënë. Për pjesëzën “Zhgënjime”, nuk ka nevojë të komentosh, mjafton të lexosh jetën e Llambi Qirkos dhe e ke kuptuar dhe perceptuar poezinë plot zjarr dhe të vërteta deri rrënqethëse, mjafton të kujtojmë këtu se pas tetëmbëdhjetë vite “pushim” e përbuzje politikanësh me “fajin” se ishte gjirokastrit dhe shtetar model përjetoi një odise sfilitëse kur në vitin 2010, në moshën 59 vjeçare arrita të punësohej në administratën shtetërore në Inspektoriatin Qendror Teknik deri në vitin 2016 kur u pensionua, pension i thënçin, me vetëm 25 vjet vjetërsi.
Në pjesën e tretë “Dhimbje”, që nis me “Ndriçon si yll..” e përfundon me “Një gjethe vjeshte”, është në të vërtetë vetë dhimbja e poetit, për tja lënë vendin pjesës tjetër që është vetëm “Shpresë” nga “Sokaku i “të marrëve”, “Urime çdo shqiptari”, “Ringjallje”, “Zgjohu zot”, “Bota zvogëluar”; si dhe në fund në pjesëzën e pestë të librit zënë vend 50 poezi interesantë në “Kushtime dhe Dialog”. Për më tej besoj se është më mirë që poezia të lexohet sepse kështu edhe ajo shijohet dhe ndjehet shpirtërisht. Për më tepër libri nuk ka nevojë për dafina, pasi është tërësisht vërtetësi njerëzore, është material jetësor nga realiteti shqiptar.
Vlerësimet dhe konsideracionet për këtë libër shtrihen në thellësi dhe gjerësi që mbajnë mbi vete rrugëtim të gjatë jetësor, por dhe mbi gjashtëqind poezi e mijra vargje të postuara ose jo në facebook, që kanë pasqyruar jo vetëm ndjesitë personale, por edhe kanë ndjekur pothuajse hap pas hapi ngjarjet politike e sociale shqiptare e më gjerë në këtë tranzicion të tejzgjatur traumatik. Gjykoj se edhe në fushën e mendimit poetik profesor Qirko është në një rrugëtim misionar. Autori është e lirë kur flet. Autori nuk e tret vështrimin në kujtime, por tek njerëzorja me mish e me gjak.., synon ta “lodhë” lexuesin që të ngjisin bashkë kodra e male poetikë, me fustanin shekullor kuq e zi patriot dhe atdhetar të Shqipërisë e shqiptarëve, të Atdheut të Naimit, Migjenit, Fishtës, Kadaresë, Agollit… Edhe në vitet që do të vijnë vargëzimi poetik do të rrjedhë si lumenjtë shqiptarë, plot zhurmë e shkumbëzim nga majëmalesh por edhe me qetësinë shpirtërore të lumenjve që çelin jetën kudo ku kalojnë kodrave e fushave të gjelbëruara me qylimin e përjetësisë dhe mirësinë e dashurisë.
Për poetët, këta bij të popullit në mbretërinë e vargut, që vepra e tyre sot nuk lexohet por rrëmbehet në një frymë që nga facebook-u, këto krijesa zemër e shpirttrazuar, kur shkruajmë e flasim për ta mendja na shkon në një maksimë tashmë të përbotshme të Johann Wolfgang von Gëte, të mëndjes, shpirtit, penës, sintezë e veprës, dritës që bekon deri në frymën e fundit: “Dritë, më shumë dritë” dhe përsëri krijojnë në mesazhe shprese dhe godasin fuqishëm ligësinë, të një bote që mirësinë e ka me kursim.
-&-