Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorrën nga Europa…

Pjesa V

Ua kushtoj të Parëve të mi,
Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,
dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,

që menduen, punuen e u salvuen
për Shqipninë Europjane të
Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Autori
Melbourne, Gusht 2010.

Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.

11 MARS 1948 – PUSHKATOHEN PRELATET E KLERIT KATOLIK SHQIPTAR NË SHKODER!

Pushkatohen në Zallin e Kirit në Shkoder: IMZOT FRANO

GJINI, Imzot Nikoll DEDA, At Mati PRENNUSHI O.F.M.,

 At Çiprian NIKA dhe 14 intelektual të Shkodres!

EDHE SOT PA ASNJË SHENJË TEK KOKA!

HIDHEN NË ERË URAT EUROPJANE!

“Vetëm në vitin 1945, 80 katolikë, intelektualë të shquar, prej 500 të zgjedhunve nga lista e pajtimtarëve të ‘Hyllit të Dritës’ ekzekutohen.”, shkruen në librin e tij Prof. Zef Mirdita (fq. 212).

Arkitektët, mendimtarët, dijetarët, shkencëtarët, profesorët, mjekët, ingjenjerët, avokatët, ekonimistët, intelektualët apo klerikët dhe kushdo që ka projektue ose punue për ndërtimin e urave lidhëse me Europën e Përparueme Perëndimore, që nga viti 1944, në çastin e të deklaruemit “pushtues” i asaj ide, nga komunistët asht shpallë “armik i popullit”!

Nuk ishte e pa studjueme vrasja e Ndok Gjeloshit apo e Ludovik Zojzit ndër trotuarët e Tiranës nga njësitet guerrile të komunistëve…

Dikujt nuk i ban përshtypje fare… Po, Ata, që as nuk i ka shkue ndër mend se puna e tyne i vlenë atij qellimi, dhe përkrahën edhe levizjen nacional – çlirimtare tue e konsiderue veten në blokun e Aleatve të Luftës dhe, njëditë heret në mengjes, vetëm, kur e pane vetën… të rreshtuem në Zallin e Kirit para brigadave të pushkatimit… të lidhun përdore me shumë prej atyne që në mëngjes përshëndetnin me grusht në ballë “vdekje fashizmi e liri populli…”! – As kjo nuk u ban përshtypje atyne që përdornin një nga shprehjet e vjetra shkodrane: “I ka ba hysmetin e, t’i ndijnë lezetin…”! Andrrat e rinisë së dikurshme ndër kabaretë e Parisit Enver Hoxha dita me ditë i shihte tashti “me sy të çelur”…

Europa, Papa, Vatikani dhe “veglat e tyre”, dita ditës po zhduken!

Ishte ndër ditët e para të “çlirimit”. Një burrë i njohtun, edhe pse shumë i vobektë, i quejtun Gjon Radoja, porsa del nga shtëpija e tij në rrugën e vjetër Vaso Pasha, ndeshet me një nga partizanët e njohtun në Shkoder, i quejtun Gjovalin Luka. Ishte mjaft heret. Përshëndetën dhe rruga i ban me ecë bashkë. Gjoni, me një strajcë nën sqetull, po dilte në Pazarin e vjetër me hapë dyqanin e vet… teneqexhi.

Gjovalini e pyet nëse e kishte takue apo jo komshinë që kishte gati karrshi deret Gjoni, a e ke pa këto ditë Ndoc Muzhanin? – Jo, i thotë Gjoni, – ka disa ditë që nuk e kam pa…Gjovalini ndalon për një moment dhe i thotë: Gjon, i kam thanë Ndoc Muzhanit, pa të ba si Gjon Radojen, nuk kam çajre as derman…a more vesh, edhe do t’ ia baj atë punë!?

Gjoni e shikon Gjovalinin në sy e aty për aty i përgjigjet: “Heee… mor Gjovalin, çka të paska shkue mendja…Me ba Ndocin si Gjoni, këte e ban për një ditë…Po ku je me ba Gjon Radojen si Ndoc Muzhani, se për me ba zotnitë horra, asht kollaj, po ku jeni me ba horrat zotni…këte a po mund ta bani…?

Ishte ngulë në tru “shokve” komunistë se duhen ba të gjithë horra!

A e kishin prej Marksit këte ide apo prej Enverit… Nuk e di!

Prishën Pazarin e vjetër të Shkodrës, me i marrë frymën qytetit tue i shkatrrue gjendjen ekonomike…mbyllen shkollat fetare për mos me pasë ma intelektualë të kulturës Europjane…vunë piramidat tek Ura e Bunës për me vra njerzit që mendojnë me shkue kah “Perëndon” dielli… hapen 26 burgje e hetuesi për me rrah e me torturue Rininë Shkodrane…

Vranë e prenë Llesha e Pjetra ku mujtën me i xanë ndër male (se, kjo ishte porosia e komandantit!)…vranë kosovarët, se ashtu desht Ramizi…e Omer Nishani … zhduken oficerat akademikë, se sollen nga Jugu edhe ma trima e të përgatitun për me vra e me pre…kështu, thonte Koçi …mbushën burgjet edhe me vajza të reja se kështu…i donte Nexhmija…vranë e zhduken klerikët, se kështu thonte Partia …fshatarët i banë me tokën e tyne ndër të gjitha kooperativat e vendit…deri maje malit…”zotërinjtë” i dërguen në ferma e internime bashkë me “zonjat e tyre”…se, kështu e donte “Lufta e kllasave”… A doni ma…? – Nuk besoj se ka mbetë kush i pakënaqun…?

“Të gjitha rrugët të çojnë në socializem…”, thonte Molotovi.

Na nuk e patem besue, por edhe ate e provuem…

Vdiq Stalini. Erdhi Malenkovi, mbas tij Hrushovi… Njeni kishte mustakë e bolshevik, tjetri si hije, ndërsa tollaci erdh edhe tek na… Ik njeni e eja tetri!

Enveri ishte ngulë…nuk e zhgulte as dreqi… as Zoti!

Shqipnia tashma… po i thonte përgjithmonë “lamtumirë” Qytetnimit Europjan Perëndimor… edhe kuadrot e “larta” tashti po përgatiteshin në vendin e sovjetëve bolshevikë… edhe shoku Ramiz Alia… ”përfundoi” studimet në Bashkimin Sovjetik në vitin 1954…edhe “ay” erdhi “maksist – leninist i sprovuar…” ashtu si të gjithë spijunët tjerë të KGB – së sovjetike, bijtë e Stalinit…

U kujtuen xhelatët bolshevikë të Tiranës, aty nga 1958, se tre priftën nuk kanë firmue Statutin e Kishës më 1951… e, dy prej Tyne i pushkatoi, Don Ejëll Kovaçin më 1958 e Don Dedë Malaj më 1959, ndërsa, At Kondrad Gjolaj…u kalb burgjesh e kampesh shfarosjeje…E pse..?  – Aty i rrinte mendja Enver Hoxhës, tek Vatikani… Ate që nuk e bani as Stalini, as Hrushovi në B.S. me kishën atje, ate mendonin me e ba “këta” në Shqipni…ndonse, Ramiz Alia në një bisedë “miqësore” ka pasë deklarue se, “nxjerrja e fesë jashta ligjit, na asht imponue nga Kina…”!

Po, “Revolucioni ideollogjik e kulturor”, Ramiz efendia, nga kush t’u imponue? Fjete e u zgjove me netë e ditë të tana në shtëpinë e Mihajl Priftit në Shkodër, tue mendue se kujt me i vue prangat e kujt me i dhanë plumbin ballit? Shfletove rregjistrat e 1945 për me pa se kush ju ka mbetë pa pushkatue…? Nuk u ngope me arrestimet e At Gegë Lumës, At Pjetër Mëshkallës, Don Mark Hasit… e sa të tjerëve, derisa i vune hekurat edhe Imz. Ernesto Çobës… e, tue mos pasë të ngime me Ta, pushkatove Don Marin Shkurtin, që të sollen “axhat tuej” nga Mali i Zi, e mbas tij Don Shtjefen Kurtin, pse Pagëzoi një fëmijë… Urdhnove në Shkodër, me 10 korrik 1968, me u hapë ekspozita “Mbi rolin reaksionar të fesë” dhe, me 3 qershor 1973, hape edhe “muzeun ateist” faqen e zezë tanden…E prap nuk u ngope… po lëshove demat e sigurimit Shyqyri Qokët me shokë për me shkye së gjalli Don Mikel Beltojën… vetëm se ishte Prift Katolik…

E prap nuk u ngope… Po gjete një anadollak tjetër, kopjen tande ndër zallishtat e Vaut të Dejës, njëfarë Fadil Ymeri, e hodhe në erë edhe Kishën e Vaut të Dejës, pse aty mendohej se asht kunorzue Skenderbeu…!

Shkatrrove Urën ma të vjetër të Shqipnisë së shekullit XIII, vetëm mos me kenë vendi i kunorzimit të Atij Burrë që lidhi Shqipninë përjetësisht me Europën, por edhe me u hakmarrë ndaj Atij që shpëtoi po atë Europë, nga pushtuesit barbar, vëllaznit tuej të një gjaku…e të një mishi, po edhe të një vesi… E nuk u ngope me kaq, po më 1972…organizove edhe kongresin e “gjuhës së njësuar” …vetëm me zhdukë nga faqet e letersisë shqipe 70 % të shkrimtarve Veriorë…arrestove prof. Nikollë Dakaj e Mark Demen…

Vetëm se vazhdonin me përkthye nga ajo letërsi që ishte urë lidhje e jona me Europën…vazhduet me plaçkitë libra e me burgosë intelektualë…

E prap nuk u ngope…por bane ate që nanës sate i paten lanë amanet Malazezët…prishe edhe Katedralen 100 e sa vjeçare të Shkodrës … e ktheve në “pallat sporti”…prishe kishën e Tiranës, prishe kishën françeskane të Shkodrës…bane sallë gjyqesh për Klerikë kishën e motrave Stigmatine…Prishe Xhaminë e Durrësit dhe i vune dinamitin Xhamisë me dy minare në Shkodër…

Vetëm rrenove dhe hodhe në erë gjithshka fliste për kulturën, artin e traditat tona shekullore, që ishin ura lidhje të Shqipnisë Europjane me kontinentin plak.

Ti, Ramiz Alia, je ai tradhëtar që me veprat tuaja kërkove me i hy në bark, “se zemer nuk kishte”, Enver Hoxhës, tue rrenue e mbyllë 2169 kisha, xhami e teçe, nga të cilat 268 ishin Kisha e kapela katolike…

Unë në lidhje me vepren tuej barbare dhe antieuropjane nuk do t’i referohem asnjë kleriku të asnjë besimi, madje, do të citoj pikërisht atë shkrimtar që bota sot diskuton ma shumë se kedo tjetër për atë kohë:

Prof. Arshi Pipa, në përkufizimin shkencor që i ban vepres antiatdhetare në lidhje me gjuhën, shkruen: “Si mund t’i shkojë mendja njeriut  me mend se na qenka gjuhë e ‘njësuar’ një gjuhë tek e cila 80% elementesh të një idiome u shtohen 20% elementesh të idiomës tjetër? Termi i drejtë për këte dukuri nuk është ‘njësim’ por thjeshtë: pushtim ose nënshtrim.” (Dy letra të Prof. A. Pipës, Prof. L. Omarit. Tiranë 1993.)

Nëse as këta mendime nuk vlejnë me arrijtë për me pranue se Enver Hoxha dhe Ramiz Alia janë dy bishat e Urave Europjane, atëherë, jemi para një katastrofe të madhe historike, e cila shpejtë do të rroposin shtetin shqiptar!

Por, aprovimi i kësaj katastrofë historike nuk duhet pranue me heshtje, por Shqiptarët Atdhetarë e të gjithë ata që e kuptojnë rrezikun që i kanoset Atdheut, nga veprimet e këtyne tradhëtarëve duhet të ngrihen në kambë dhe, të dënojnë pamëshirë veprat dhe pasojat e tyne historike, damin që i kanë sjellë ata dhe vazhdimin e rrezikshëm të rrugës së tyne tradhëtare nga pasardhësit e sotëm.

Duhet thanë padoreza: ju jeni shpartalluesit e kulturës, artit dhe arësimit kombëtar Shqiptar, ju jeni plaçkitës e dhunues i të gjitha veprave të artit që kishin këto Kisha… e prap nuk ngopeni… por edhe rrenuet afreske e daltime guri e druni që ruheshin në shekuj ndër Kishat katolike e bizantine…

E nëse doni filloni nga fundi i shkatrrimit të tyne…

Se çka u ba me 7 miliardë dollarët të treguem nga shtypi shqiptar që ishin përvetsue prej firmave piramidale? 

Po me dosjen e florinit të grabitun simbas raportit të paraqitun prej ministrit të kontrollit të shtetit, Blerim Çela, në vitin 1993 në parlamentin shqiptar, ku thohej për 279 ton ar të zhdukun pa adresë…

Unë po flas me gazeten tuaj, gazeta RD denoncoi më 1991 prap një grabitje rishtas të arit në Shqipni me urdhën të R. Alisë.

U dhanë edhe hollësi lidhun me përmasat e arkave ku ishin vendosun lingotat e florinit që fluturoi me avion dhe emri i “sipërmarrësit të mallit” – zvicerani Xh. Megou.

Ku përfundoi gjithë ky flori i grabitur prej këtyne tradhëtarëve?

Ky flori asht vetëm me shembë e me hjedhë në erë urat tona të lidhjes me Europën Perëndimore…së cilës i përkasin të gjithë Shqiptarët…po e përsëris, të gjithë Shqiptarët pa përjashtim, përveç tradhëtarëve të shitun të Atdheut, që kanë punue e punojnë me nxjerrë Shqipninë nga Europa…E ata që kanë krye këte vepër tradhëtije, e që vazhdojnë edhe sot, jeni ju të dy: Tradhëtari Enver Hoxha e pasuesi i tij Ramiz Alia…

 “ATO MAJA RRIPA… RRIPA…”!

Besoj ju kujtohet kanga e vjetër partizane…”Ato maja rripa, rripa”? Malësori e këndonte me dialektin e tij për me kombinue rrima, po unë nuk kam sesi me e shkrue ashtu si e këndonte ai…

Në ndërmarrjen e etiketave në Tiranë punonte një shkodran i vjetër Luigj Filipi, i cili ishte edhe përgjegjës i atij reparti. E pata njohë aty nga viti 1975 kur më ndihmonte për etiketat e prodhimëve të fabrikës së Pëlhurave…E takova mbas sa vitesh tek Pazari i Ri i Tiranës, aty nga vera e vitit 1999 dhe u pëshëndetëm me té. Mbas një bisede të shkurtë për At Mëshkallën, më tregoi sesi në vitin 1945, nga fundi i muejt mars, kur asht pushkatue Don Ndre Zadeja, një natë Luigji, tue bisedue me Tuk Jakovën, me të cilin njihëj që më 1936 në grupin e komunistave të kryesuem nga Zef Mala në Shkodër, i kishte thanë Tukut, se asht e mira me bisedue ai me Enver Hoxhën që mos të vazhdohën pushkatimët e priftënve të Veriut, por të zgjidhën rreth 50 vetë prej tyne, ma të prëgatitunit me shkolla të nalta në disa fusha dhe të shpërndahën në tre apo katër qytete të Shqipnisë tue përfshi edhe Jugun, nga Korça, Gjinokastra dhe Vlona e, sigurisht, me qendër në Tiranë, të hapën universitete me këta profesora dijetarë që ka Kleri Katolik Shqiptar, dhe të japin mësim simbas programeve të parapërgatituna prej nesh, mbasi po të realizohet kjo, me siguri do të prëgatitët një brez i ri i kulturuem, që do të na e kishte lakmi gjithë Ballkani. Tuku e kishte pritë mirë mendimin e Luigjit, por do t’i tregonte pak ditë ma vonë edhe mendimin e Enverit mbasi ta bisedonte me té. Kishin kalue gati 10 ditë pa u takue Luigji me Tukun. Luigji ishte thirrë një natë në një mbledhje urgjente të partisë komuniste dhe mbasi asht kritikue për disa “pikëpamje” të vjetra dhe krahinore, gati ishte edhe përjashtue prej partie, tue u shkarkue nga posti i drejtuesit të atij grupi organizate të partisë komuniste…

Luigji vërtet që nuk kishte shkollë të naltë, por dëshira me pasë kulturë ai vetë dhe rinia shqiptare, si dhe shkolla të nalta në të ardhmen, atij nuk i mungonte. Kjo lidhej edhe me një fakt tjetër, se Luigji njihte përgatitjen, aftësinë dhe mundësinë që kishte Kleri Katolik Shqiptar për me formue tek na një inteligjencë të mirëfilltë Europjane Perëndimore, gja për të cilën kishte dhe ka edhe sot nëvojë Shteti Shqiptar. Kleri Katolik kishte krye shkollat e nalta në rreth 24 Universitete të Europës, tue mos e llogaritë fare se të gjitha fakultetët ishin të njohuna prej tyne, sepse ishin të paisun me kulturë universale, tue fillue nga historia, letërsia, matematika, juridiku, muzika, piktura, skulptura, sportet etj., pa zanë  me gojë fare filozofinë apo degët tjera që kishin karakter fetar.

Në mbyllje të bisedës unë, për me e ngacmue, i thash atij: “Po a kishe harrue ti, Luigj, se kuadri i përgatitun në këta universitete do t’i bahej havale “shokut” Enver”?

– Jo jo, – m’u përgjegj Luigji, – havale do t’i baheshin Titos, se Enverit vetëm do t’i kishe nxjerrë “pak punë” sa me pushkatue edhe nja 500 vetë ma shumë se ka vra, nga intelektualët që do t’ishin prëgatitë ndër ata universitete!…

Unë nuk kam pasë fatin me kenë nxanës i shkollave të Jezuitëve apo Françeskanëve të Shkodrës, por kam njohë pak e aspak nga Ata dijetarë për të cilët bisedonte Luigji…

Komunizmi, që në vetkuptimin e tij, asht një mbretni errësine, nuk kishte sesi me pranue me u shartue me kulturën europjane të klerit. Kjo errësinë e mënershme përhapet kudo aty ku çdo dritë apo shkëndi e saj kulturore dhe përparimtare, nga komunistët shuhet me dhunë!

Shkëlqen fort deri në marramandje vetëm një pallat, “pallati i diktatorit”. “Drita” që shpërndan ai, mprehtësija e tij, dija, kultura, elokuenca, madhështia, forca e depërtimit të mendimit dhe fjalës së tij janë absolute, të pagabueshme, të sakta dhe të pandryshueshme, deri tek veprat terroriste, pra, nënkuptohet, të padiskutueshme nga askush, “as nga djali i tij”…Ai asht “dija e pafund”!… Edhe njerëzit që kanë pasë rast me i dhanë dorën, janë ba të dijshëm, të mendshëm, të mprehtë, mbasi janë takue me té. Kur fliste ai duhej ndigjue, por duhej nxjerrë edhe mësim ashtu si e “donte” ai, mbasi kuptimi i shtrembët nga ana e yte mund të të kushtonte “me kokë”… Duhej lexue një fjalim i tij në kolektiv, pra në shkolla, fabrika e kooperativa, minjera e zyra shtetnore, por duhej ripërsëritë në shtëpi, shpesh edhe duhej konspektue tue nxjerrë edhe detyrat për të ardhmen, mbasi vetëm ata ishin “udhërrëfyese” për secilin shtetas. Fotografia e tij ishte në krye të vendit!… Kudo, në zyre, rrugë kryesore, shkolla e deri edhe në mjaft shtëpija…jo vetëm komunistësh, por edhe njerëzish të thjeshtë…

Bustet e shtatoret e tij mbizotnonin qytetet e mbarë vendit!

Ai ishte “atdhetar”, tradhëtar, komunist, fanar ndriçues, bishtuk, pishë, kandil, korrent elektrik, elektroshok e gjithshka tjetër… veç, njeri jo!

Shqipnia, paraqitej nga fqinjtë me tre besime “kontradiktore” që, edhe mbështetëshin nga ana e tyne për të sigurue sundimin e vet …me orthodoksët nga sllavët dhe me myslimanët nga lindorët, për me arritë me zhdukë çdo element Europjan, që simbas parimit të komunistëve ishte çdo atdhetar shqiptar Katolik ose mik i tyne!

Pra, përveç kenjes “pakicë”, popullsia Katolike ishte përballë një “bishës së përgjumun” anadollake, shumë e egërsueme dhe terroriste, që përkonte dhe përputhej me cilësitë komuniste sllave në të gjitha mendimet dhe vëprimet e përbashkëta të tyne, për shkombëtarizimin total. Ajo që përdorej si argument “sulmi” ishte lufta kundër inteligjencës me pikëpamje të shëndoshta europjane Perëndimore, që pjesa Katolike kishte marrë nga universitetet dhe shkollat kur ishte përgatitë e formue nga Kleri Katolik Shqiptar, që i hapi, i formoi dhe i konsolidoi në Shqipni, por edhe universitetet Perëndimore, që ishin shkollat e kulturës Europjane. Kjo bahej vetëm nga zilia apo smira dhe kenja inferior ndaj këtyne shkollave si nga ana e shumë Myslimanëve, si nga ana e mjaft Ortodoksëve, që mbizotnonin pjesën jugore të vendit tonë si dhe Kryeqytetin e tij, ndonse i ndodhun në Veri formalisht… që asht qendra politike, sociale dhe ekonomiko kulturore e vendit.

Komunizmi, terrorizmi dhe krimi i organizuem nga shteti mbi popullin e pambrojtun dhe të mbyllun mbrenda “perdes së hekurt” arrijnë me kthye të gjithë njerëzit në një kope të lidhun kambësh e duersh, me një leckë të kuqe të zhublosun në gojë, që vetëm shohin një dorë nalt, të gjakosun me thikë të shtërngueme fort, që asht dora e diktatorit që mbjell frikë, terror, pasiguri, dhe kërcënim tue shpërba edhe pamjen e njeriut.

Kjo farë e keqe zhvillohet në vëndet ma të pazhvillueme, sepse aty gjen terrenin e vet me mashtrue me parullën ma të njohun, por edhe ma të pelqyeme nga turmat, “barazi për të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje!”, ndërsa, fshatarët analfabetë i siguron me hy në vathën e tij me “reformën agrare”, që asht praku i kapërcyellit për në kooperativën apo “kolkozin” e fshatarit rus. Kështu përgatitë terrenin me zhdukë me vrasje, burgime, tortura, pushkatime, interrnime dhe gjyqe fallse të “popullit” krejt kastën shtetnore, të ashtuquejtun borgjeze, tue shfarosë krejt aparatin e vjetër të kulturuem dhe përparimtar dhe tue e zëvendsue ate me kastën e “re”, të paditun dhe pa kurrfarë tradite për me organizue shtet të zhvilluem.

Komunistët luftojnë nën kauzën e tyne të internacionalizmit bolshevik proletar dhe vrasin kedo që mbas çlirimit “do t’u sillnin telashe” për me realizue pajtimin e tyne me parimet e neoshovenistëve komunistë.

Prej piktorit dhe mësuesit tim fort të dashtun dhe të paharrueshëm Simon Rrota, kam njohë vëllanë e Tij, shkencëtarin e madh të Gjuhës Shqipe, At Justin Rrota OFM, një nga Françeskanët ma të dijtun që ka pasë Kleri Katolik Shqiptar. Në vitin 1951 e kujtoj në mesin e Elterit të madh të Kishës Françeskane të Gjuhadolit, të mbajtun për parmakët e mermerit, tue predikue, mbasi nuk kishte mundësi me hypë në predikatore, se ishte me një paralizë të fortë, që i kishte pushtue gjysën e trupit. Kisha ishte aq e mbushun me njerëz, sa një pjesë ishin jashtë tri dyerëve të hymjes. Ishin ditët e adhurimit të Sakramendit dhe, ishim pikërisht në ata vite kur endè ishin të pathame plagët e të pushkatuemve nga tragjedia e organizueme prej komunistëve me sigurimin e shtetit, ku pak vite ma parë kishin futë armë e municione nën Elterët e Kishës ku po predikonte At Justini…

Kujtoj mirë temën për të cilën foli: “Krishti në Kopshtin e Gjetsemanit rrëthohet nga xhullinjtë dhe, Juda, afrohet dhe e puthë…”. Sa domethanse ishte kjo ngjarje atëherë!… Pra, isha fëmijë, por fjala e Dijetarit dalton edhe gurin… Në mbrendësinë e zemrës së Tij ishte hapë edhe një plagë e re, se ato ditë ishte arrestue një Dijetar tjetër i madh, At Marin Sirdani OFM., vëlla, mik dhe bashpunëtor i At Justinit në të gjitha vëprimet e tyne. At Marini asht kenë vëlla me një tjetër shkencëtar, Don Aleksandër Sirdanin, që edhe Ate e mbytën në gropat e zeza, në hetuesinë e Koplikut, në vitin 1947. At Marin Sirdani ishte nga kolosët e studimeve historike dhe një nga analistët ma të mëdhej të Historisë së Shqipnisë.

Veprat e Tij janë të shumta, por botimi i vitit 1941 “Shqipnia e Shqiptarët”, e them pa frikë, edhe pse nuk jam kompetent, asht libri që për çdo të panjohun i jam referue dhe kam gjetë rrugën e vërtetë në të. Nëse do të nisemi nga gryka e lumit Buna në drejtim të Tivarit dhe të ecim në të gjitha fshatrat për të gjatë kufinit, ashtu si i rreshton emnat e tyne At Marin Sirdani, pa ma të voglim dyshim them se do të mërrijmë në pikën e fundit të kufinit në fshatrat e Jugut dhe do të ndalojmë në Kepin e Padanës, ku me siguri gjatë kësaj rruge të gjatë dhe të panjohun do të mësojmë edhe ngjarjet historike të atyne fshatrave, që jam i bindun se nuk i kemi ndigjue as lexue askund që nga viti 1941, kur At Marini i ka botue në Shkoder.

Kalimi ndër ata pika kufini që ka përcaktue At Marini asht Kufini i vërtetë i Shtetit Shqiptar.

E ky Kufi kalon në cakun e saktë të tokave tona të plaçkituna nga shovenistët serb, maqedonas e grek. Prandej At Marin Sirdani asht i përjashtuem nga Historia e Shqipnisë së shkrueme nga komunistët. Pa At Marin Sirdanin asnjëherë nuk ka me u shkrue Historia e vertëtë e Shqipnisë, ashtu si nuk asht ende e shkrueme pothuej asgja nga veprat e Tij, tue përjashtue “Hylli i Dritës” para vitit 1944, kur At Marini zinte fletët ma të rendësishme të asaj Reviste.

Në gjuhësi vazhdonte punën shkencore pa ndërpremje At Justini, i cili ka plot 46 vjet që ka vdekë, tek Kuvendi i Arrës së Madhe, me 21 Dhetor 1964, në pragun e shkatrrimit të atij Kuvendi në 1967 nga “Revolucioni Kulturor”. Ka punue shumë për me përcaktue saktësisht se cila duhet me kenë Gjuha e Njësueme Shqipe.

Edhe punimet e Tij mbetën ata të para vitit 1944, ndonse ka punue deri në fundin e jetës pa u lodhë asnjëherë…

Por, fatkeqësisht, mbas vitit 1951, punimet e At Justinit u vodhën nga “vagabondi”, spijun i Sigurimit shtetit komunist, mik dhe veprimtar “besnik” i Ramiz Alisë, “maturanti i natës”,  “dr… prof…Jup Kastrati”, që me mundin e djersën rrëkajë të At Justin Rrotës, u shpërblye nga PKSH dhe Sigurimi i Shtetit, të cilit i ka shërbye deri sa ka ngordhë, me “titujt” e sa e sa privilegje të pameritueme për hajninë ndaj vepres shkencore të At Justinit.

Ja një fakt. Librat që ka marrë tek At Justin Rrota kishin stampën J.R. Jupi fshinte me brisk shkronjën R nalt dhe, ajo bahej K, kështu, libri J. R. këthehej J. K. Shihni me kujdes “Bibliotekën përsonale” të J.K. dhe do të bindeni se sa vepra ka vjedhë Jupi!

Po a vetëm At Justini e vëllaznit Sirdani u vodhën e plaçkitën nga pseudo dr.. prof… e Enver Hoxhës e Ramiz Alisë? Jo, e kam shkrue disa herë dhe po e përsërisë prap,  se: Biblioteka Kombëtare e Tiranës në vitin 1998, kishte në podrumet e saj mbi Njëmijë tituj e vepra shkencore të Klerit Katolik Shqiptar, të plaçkituna nga sigurimi i shtetit komunist që nga viti 1945, në Bibliotekën Françeskane, të Jezuitve dhe tek Kisha Kathedrale në 1967. Po, veprat e Don Nikollë Gazullit, ku janë…?

Jo jo, dhe Jo, duhet të ngulitët në trunin e çdo Atdhetari Shqiptar: Jo heshtje! Shkenca dhe Kultura Shqiptare duhet të vihët në shinat e së vërtetës! E kjo asht e domosdoshme e duhet të fillohet nga të gjitha shkollat Fetare, për me u pasue nga ato shtetnore, që vazhdojnë me kenë të prangosuna nga ideologjia marksiste – leniniste, tue përfshi edhe të gjitha botimet shkollore në të gjitha Trojet Shqiptare, e kryesisht në Kosovë. Janë pikërisht ata libra e tekste shkollore që shpërndahën në gjithë Botën tue helmatisë Rininë Shqiptare nga SHBA e deri këtu në Australinë e pastër e të qytetnueme… demokratike.

Kulturës Shqiptare i mungojnë themelet ndër librat që botohen edhe sot, gati mbas 20 vjetësh të ramjes së Murit Berlinit, i cili “nuk pranon” me u rrëzue në koken e komunistëve në Shqipni! Ku asht ndër libra të shkollave At Fishta, Don Ndre Zadeja, Don Lazër Shantoja, Don Nikollë Gazulli, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjon Shllaku, Don Ndoc Nikaj, At Bernardin Palaj, At Donat Kurti, Don Aleksandër e At Marin Sirdani, Imzot Vinçenc Prennushi, At Pjetër Mëshkalla, At Zef Saraçi, At Zef Valentini, At Anton e At Mark Harapi, e sa të tjerë që janë ende me “epitetet” e komunistëve kriminelë në Historinë e Shqipnisë, bazat e së cilës i vune Vetë Ata, dhe i çimentuen Ata Themelët e Saj me Gjakun e Shejtë të Tyne!

Cili universitet i Botës së Qytetnueme përjashton nga Katedrat e Tij Përparimtare At Shtjefën Gjeçovin apo At Gjergj Fishtën? Kush mund të flasi për publiçistikën tonë pa zanë me gojë Faik Konicën e Don Lazër Shantojën?! Cili nga Shqiptarët e Jugut mundet me folë për Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin pa zanë me gojë At Anton Harapin? Kush di sot me kja mbi vorrin e Avni Rustemit si kjau Don Lazër Shantoja ?… Kush asht Ai Shkodran apo Vlonjat e Korçar që do me vue një “Rubë” pa lexue Don Ndre Zadejën e, me i këndue Asaj pa ndigjue melodinë e pavdekshme të Don Mikel Koliqit? Kush mundet me mohue sot Themelet e muzikës Shqiptare të vume nga duert e At Martin Gjokës…

 Kush mund të flasi për etnografinë tonë sot pa njohë veprat e Prof. Simon Rrotës? Botanisti i madh At Mark Harapi SJ. ka zbulimet e veta në florën shqiptare, që as nuk i ze kush me gojë.

Vetëm në pikturë kishte dy akademista që jetuen deri vonë 1980 – 2003, At Gegë Luma dhe At Leon Kabashi, pa mujtë me dhanë asnjëherë kontributin e tyne në atë art. 

Asnjëherë nuk duhet harrue se kryeveprat e Kolë Idromenos janë krijue dhe ruejtë në Kishën Katedrale të Shkodrës, dhe se, nga bankat e shkollës françeskane dhe asaj jezuite dolën artistët ma me vlerë të letërsisë dhe artit shqiptar në shekullin e XX-të, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta, kompozitori i madh Prenkë Jakova, aktori Zef Jubani, kangëtari Lukë Kaçaj, piktori Lin Delia dhe futbollisti i pahurrueshëm Loro Boriçi etj. etj…

Kush mund të quejnë vetën Shqiptar e stërnip i Gjergj Kastriotit Skenderbeut, pa pranue se “lotoret” e At Shtjefën Gjeçovit janë të stërgjyshëve tanë, që i kënduen Lirisë dhe i vajtuen robnisë ndër shekuj të shekujve? Jo, Shqiptarë, kështu, jo! Shqipnia asht prej nalt në Grudë e deri poshtë ku shkruen At Marin Sirdani…po, mësoni historinë se mund të jeni shumë të pasun me dollarë e Euro, po jeni shumë të “vorfën” në gëdhenje kulturore të trunit dhe të shpirtit! Shqipnia ka pasë dhe ka edhe sot Dijetarë e Njerëz Përparimtarë! Shqipnia ka pasë e ka me pasë nëvojë për Dijetarë, por, po përsërisë, për Dijetarë që e kanë dashtë dhe duen edhe sot me shpirt e me  gjithë zemër: Një Shqipni Europjane!

Populli Shqiptar sundohej nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, dy tradhëtarë, që nëpërmjet dhunës që ushtronin me institucionin e tyne të paligjshëm, Sigurimin komunist, kishin vetëm një parim terrorist: frikësimin, kërcënimin dhe shtypjen e pashoqe, pse secili Shqiptar ishte i lidhun “për kafshatën e bukës”, siç ka thanë At Pjetër Mëshkalla, kur u arrestue në “Revolucionin Ideologjik e Kulturor” të vitit 1967 në qytetin e Shkodrës.

Kjo ishte reforma me të cilën krenohën shokët e Partisë komuniste: “Arësimimi i gjerë i masave dhe revolucionarizimi i shkollës sonë…”. Qendrat ku Shqiptari humbi tiparet e Tij shekullore, Burrni, Besë e Bujari. Ja vendi ku u shemb Ideali “Atdhé e Fé”, ja çerdhja ku Shqipja Dykrenare çili zogjët e vet: Malësia tue ikë rrugëve të mërgimit dhe tue harrue zakon e traditë mijavjeçare. Ja “shkolla” ku formohej breznia e “re socialiste” pa korajo civile, servile dhe hipokrite, opurtuniste pa pikë burrnije, me parime marksiste – leniniste dhe ateiste bolshevike, parime të cilat synojnë me shpartallue Atdhetarizmin dhe Familjen Shqiptare.

E kush ia imponoi Shqiptarit europjan këto vese të flligta? Tradhëtarët, pikërisht ata që për me sigurue kolltukun e tyne dhe me pasunue edhe trashigimtarët e vet me pasuni përrallore, shitën Atdheun.Një nga vendet ma të vjetra dhe me tradita europjane shpartallohet nga dy komunistë tradhëtarë aq keq, sa kalojnë dekada njenambastjetres, tue ngushllue vetën: “Po, jemi dishka ma mirë se vjet…”! E deri kur kështu?

Nëse Populli Shqiptar nuk do të çveshi tradhëtarët e Atdheut nga rrobat tradhëtisë dhe nuk do t’i thejë përtokë piedestalët që i kanë vue me duert e tyne terroristët komunistë, ashtu si Populli mori zvarrë statujen e diktatorit Enver Hoxha gjatë rrugëve të Shkodrës dhe Tiranës, poashtu duhet të shkrryhen ndër balta edhe dekorata e meritat e pameritueme të tyne ose, përndryshe, në vendin e tyne, mu në atë llom ku kanë zhytë për njëgjysë shekulli Popullin, Populli aty të vazhdojë me qëndrue! Jo, asnjëherë Shqiptari nuk i ka puthë prangat e robnisë!

Melbourne, 10 Mars 2026.