Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët

Arben Iliazi

Shkrimtari, kineasti dhe studiuesi i mirënjohur i artit, Luan Rama, vjen me një libër tjetër për piktorët francezë, që kanë pasur si tematikë shqiptarët, të titulluar “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e piktorëve francezë të Shkullit XIX”. Një libër i formatit të madh, botuar nga “Albas”, falë mbështetjes së fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”. Rama e prezantoi sot, datë 14 mars, këtë botim, (në ambjentet e Kalasë së Tiranës, ora 11), shoqëruar me një ekspozitë, që do të qëndrojë e hapur më 13, 14 dhe 15 mars 2026). Libri vjen si pjesë e një kolane librash, vija lidhëse e të cilëve është piktura dhe Shqipëria.

Si “ambasador” i shkëmbimeve ndërkulturore, i “dënuar me ndjesi”, L. Rama ka dhënë e jep kontribute të vazhdueshme, me gjuhën e artit, me filozofinë dhe kulturën e tij, duke u frymëzuar pikërisht nga kjo lidhje e pikëtakim historish, brenda një kaleidoskopi që e quajmë kulturë. Jo pak lidhje kanë ekzistuar historikisht midis Francës e Shqipërisë, veçanërisht që nga shekulli XVI, kur stradiotët shqiptarë krijuan kalorësinë e lehtë franceze të quajtur nga historianët francezë “la chevalerie albanoise”.

Përmes “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve francezë të shekullit të XIX”, lexuesit mund të gjejnë rikrijojnë jetën e shqiptarëve në trojet e tyre dhe përtej kufijve në rrugëtimet e gjata të historisë. Shqiptarët hynë gjerësisht në tablotë e piktorëve të huaj veçanërisht në vitet e para të shekullit XIX, kur pas Revolucionit francez e sidomos pas fitores së Revolucionit grek, një rradhë e madhe artistësh, shkrimtarësh, historianësh, arkeologësh etj., përshkuan Greqinë që të pikëtakonin jo vetëm heronjtë e kohëve të reja por dhe të shikonin rrënojat e vjetra të një qytetërimi të jashtëzakonshëm. Shqiptarët u shfaqën në tablotë e tyre me profile e karaktere të ndryshme: herë në pozicione luftarake e herë në pamje të qeta meditimi, apo portrete të lira, ku secili nga piktorët ka shprehur origjinalitetin dhe stilin e tij piktural. Etydet mbi karakteret, tipat dhe kostumet shqiptare janë më të shumta sesa ato tablo që u bëjnë jehonë figurave apo ngjarjeve historike.

Libri hapet me portretin e hershem të Skëndërbeut në kështjellën e Beauegardit. Vijon me gravurat e Jean- Jacques Boissard, (1581), pikturën e ushtarit shqiptar dhe atë të marinarit shqiptar, gruaja në brigjet shqiptare dhe bariu shqiptar, nga Jean- Baptiste Van Maur. Piktura “Shqiptar” nga Pierre Duflos, (1784), apo “Familje shqiptare” në Kalabri. “Luftëtarë shqiptarë” dhe “Grua shqiptare”, nga Jean- Baptiste Hilaire, 1776. “Familja arvanitase në udhëtim”, nga Alphonse L. Castellan. “Gruaja shqiptare”, nga F. Fauvel,” Një burrë dhe një grua shqipatre”, “Një suliot dhe një suliote”, nga F. de Pouqueville.

Pasojnë imazhet e shqiptarëve në tablotë e jashtëzakonshme të Lois Dupre-së: “Foto Xhavella”, “Suliot në Korfuz”, “Ali pasha në liqenin e Butrintit” (1825), “Dasmë te Arvanitët në Athinë”.

Dupre shkruante nga Korfuzi: “Rrugës takova disa grekë, tiprate dhe veshja e vecantë e të cilëve nuk ngjane aspak me ato të ayre që kisha parë….Ishin suliotët, vështrimi i të cilëve shikonte me trishtim nga brigjet pëballë, si të maste distancën që i ndante nga vendi i tyre”.

Vijon me “Etyd për një personazh suliot”, 1824, nga E. Delacroix, pikturë në vaj, që ndodhet në Muzeun e Luvrit. Si dhe: “Shqiptar i Sulit, Marko Boçari i plagosur për vdekje” dhe “Dy suliotë në breg të detit”.

Nga Alexandre Decamps (1803-1860) kemi tablon e famshme “Valltarë shqiptarë”, “Duel mes shqiptarësh”, “Gra shqiptare”, nga Ch. Gleyre (1840) “Shqiptari i Janinës”, “Ushtar shqiptar”, “Dy shqiptarë në Korfuz”, 1834.

“Portret shqiptari dhe greku”, nga D. Papety, që përshkoi Çamërinë dhe Sulin: “Pamje nga Qaf-Suli”. “Luftëtar shqiptar”, “Çift shqiptar”, “prijës shqiptar”, nga Th. Valerio, (1819-1879).

Epopenë heroike të suliotëve dhe të revolucionit grek e hodhi në telajo edhe piktoori Ary Scheffer (1795-1858). “Gratë suliote” është në koleksionin e Luvrit. Një pikturë të famshme me titullin “Luftëtar shqiptar” ka lënë edhe H. Vernet (1827). Kemi gjithashtu “Luftëtar shqiptar” dhe “Dy shqiptarë”, nga Alexandre Bida, (1813-1895). “Prijës shqiptar”, nga A. Deveria, litografi me ngjyra. “Djalosh nga Hidra”, nga Alfred de Curzon (1820-1895). “Shqiptarja”, e Corot-së, një tablo tepër e vecantë, e pikturuar në vitin 1872. Kjo është një tablo mitike për ne shqiptarët. “Në portretin “Shqiptarja”, – shkruan kritiku i veprës së Corot, Jean Selz, në librin e tij “Jeta dhe vepra e Camille Corot”, – është dhënë një meditim i padeshifrueshëm”. Nga J. L. Gérôme, kemi pikturën “Vallja pirike, si dhe tablonë e Marko Bocarit, 1854. Ndësa nga Alphonse- Antoine Monfort, “Luftëtar arvanitas”.

Duke parë gjithë këto tablo ikonike të piktorëve të shquar francezë të shekullit XIX, që kanë udhëtuar në mijëvjeçarë me të njëjtin solemnitet dhe madhështi, në “pasarelat” e kumteve shprehëse estetike, përfshihemi natyrshëm nga entusiazmi për këto vepra arti, që rrinë si brerore të shndritshme mbi kujtesën historike dhe identitetin tonë kombëtar.

Në këndvështrim eidetik, ajo që bie në sy, në rradhë të parë, është një lloj vitaliteti i karaktereve shqiptare të pikturuara nga mjeshtrat francezë, shëmbëlltyrat transhedente të heronjvetë amshuar, karaktere që nuk janë krijuar thjesht nga imagjinata, por nga një pikëtakim i drejtpërdrejtë i tyre me këta personazhe të diasporës shqiptare. Secila prej këtyre tablove ka diçka ndryshe në atë që e quajmë ligjërim krijues. Të gjithë elementët përbërës të piktuarve, idetë, trajtimi, tonaliteti i ngjyrave, larmia stilistike dhe zgjidhjet kompozicionale, janë në themel të dekodifikimit të shprehive dhe gjesteve. Si përfaqësues të Romantizmit, me intuitë dhe imagjinatë të përsosur, piktorët francezë kanë theksuar sublimen, ekzotiken dhe mistiken, duke eksploruar marrëdhëniet midis njerëzve, historisë dhe natyrës.

Duket sikur autorët mendojnë si francezë dhe ndjejnë si shqiptarë përballë historisë dhe fatalitetit etnik. Po të vëresh me kujdes portretet, duket sikur piktorët kanë bërë një thurje të dukshme të shpirtit të tyre të padukshëm, që ka si konstitucion mendor lirinë dhe antropologjinë. Në fund të fundit, arti është domen i lirisë, që vjen nga thellësitë e kohës, për të dëshmuar mbi gjithëkohësinë e së tashmes së një komunikimi estetik.

“Ne s’do të mund t’i imagjinonim si duhej figurat e suljotëve pa pikturat e Louis Dupré, i cili i piktakoi ata në vitin 1819; ne s’do të mund të imagjinonim figurat e arnautëve pa pikturat e J. L. Gérôme, mishërimin e luftës së Marko Boçarit pa tablotë e Delacroix, fytyrën e së resë shqiptare pa tablonë e Corot, e cila u kthye në një tablo emblematike, ashtu siç u kthye dhe “Valltarët shqiptarë”. Kur Dupré mbërriti në Korfuz një nga mbresat më të veçanta të tij ishin suljotët me pamjen hijerëndë dhe veshjen e tyre që spikaste në atë mjedis. Si të gjithë artistët, Dupré kërkoi menjëherë t’i vizatonte ato figura epike dhe dramatike dhe ata nuk kundërshtuan edhe pse qëndrimi i tyre ishte hijerëndë, pasi dukej se kishin mbetur të braktisur nga bota, njerëz pa shtëpitë dhe tokën e tyre”, thotë Luan Rama.

Ka diçka ekzotike dhe romantike në këto portrete, që mund t’i konsiderojmë jo vetëm vepra të shquara të traditës artistike franceze, të romantizmit, por edhe pjesë të trashëgimisë sonë kombëtare. Ka një solidaritet të madh të përftuar nga ndjenja e flijimeve, që kapërcen dallimet e shekujve, të racave, apo kultuave, mbi cdo kufi shoqëror dhe historik. Ndaj këto vepra kanë një vlerë të shumëfishtë dhe po transmetohen brez pas brezi drejt epokës së artit universal. Në këto vepra, që lënë mbresa të rëndësishme për këdo që i sheh, lexohet atdhedashuria që personazhet historikë kanë bërë dhe janë të gatshëm të bëjnë.