Albspirit

Media/News/Publishing

Ahmet Xhavit Delvina: Dy rrëfime për Nail Bezhanin dhe Pilo Peristerin

SI E NJOHA UNË NAIL BEZHANIN?

Pas çlirimit të vendit në politikën e qeverisë shqiptare rindërtimi i vendit ishte një nga objektivat kryesore që duhet të arrihej në kohë sa më të shkurtër. Propaganda shtetërore rekomandonte se duhet të punohej me sakrifica dhe me ritme revolucionare të larta, siç karakterizoheshin komunistët “fitimtarë”. Në fakt dhe mobilizimi mbarë popullor ishte i dukshëm në çdo aspekt të jetës, veçanërisht ne punëtorët dalloheshim për vrullin që na kishte pushtuar, me ditirambe të mëdha zbatonim pikë për pikë “emulacionin socialist” të kohës.
Më kujtohet një këngë e asaj kohe që tani është harruar:
“Para shokë punëtorë, rindërtojmë Shqipërinë,
s’jemi më skllevër por jemi në fuqi,
sot pushteti është yni, para puntori”.
Detyra e rindërtimit të vendit në atë kohë përfaqësohej nga volume pune mbi mundësitë reale të vendit. Plani i parë dy vjeçar ishte tejet i ngjeshur me ndërtimin e disa rrugëve të reja, hekurudha, ura, fabrika, tharje kënetash, bonifikime, etj. Në ligjshmërinë e asaj kohe thuhej që realizimi i planit të shtetit ishte “detyrë”, ndërsa tejkalimi “nder”, në të kundërt mos realizimi etiketohej si sabotim dhe dënohej rëndë. Detyrat e planit të shtetit ishin mbi mundësitë reale të kohës, sepse vendi ynë sapo kishte dalë nga lufta Nacional – Çlirimtare, strukturat shtetërore të ndërtimit të paraluftës përfaqësoheshin nga Ministria e Punëve Botore dhe shoqëritë italiane si “Tudini Talenti”, “Scaja”, “Stacioli”, etj, të cilat pothuajse ishin paralizuar nga gjëndja dhe pasiguria e luftës, duke përfshirë këtu edhe kapitullimin e Italisë që në vitin 1943. Pas çlirimit u përmbys çdo gjë e vjetër dhe filluan shtetzimet e menjëhershme masive, ajo pjesëz e inteligjencës së vjetër që u pa e arsyshme të vazhdonte të punonte për detyrat e reja të planit të parë dy – vjeçar, u vu në pozicione sekondare drejtimi, ndërsa udhëheqjen natyrisht e morën kuadrot e revolucionit që në shumicën dërrmuese të rasteve ishin militantë partie ose të shumtën me arsim 7 – vjeçar deri në të mesëm të çfarëdo profili që të qëllonte.
Problematikë shumë e rëndësishme në mbarvajtjen e ndërmarrjeve të reja sidomos ato të sektorit të ndërtimit që u krijuan, ishte sektori mekanik që duhej në radhë të parë të ringrinte teknikën e vjetër egzistuese, ta shtonte atë me prodhime të reja dhe po të qe e mundur t’i rikonstruktonte për të rritur rendimentin. Por për fat të keq gjëndja e sektorit mekanik në rang kombëtar linte shumë për të dëshiruar, dhe po për fat të keq në Shqipërinë e pas luftës nuk trashëguam inxhinierë mekanikë, veç ndonjërit që nuk e ushtronte profesionin dhe biles kur na u dha shansi që të merrnim dëmshpërblimet e luftës, ne si Shqipëri dërguam siç e kemi thënë Ihsan Budon, që s’kish haber fare nga kjo punë dhe si rrjedhim ata na akorduan pajisje e makineri që nuk vlenin për asgjë.
Jugosllavët dhe më vonë Rusët ngritën “Uzinën – Enver” si qendër që do të prodhonte pjesë këmbimi dhe makineri për nevojat e zhvillimit. Në këtë kuadër çuam dhe punëtorë për t’u specializuar andej dhe në shenjë ndihme sa të diplomoheshin kuadrot tona, ata sollën Drejtor në Uzinën “Enver” një Ruso – Shqiptar, Artion Spartak i cili nuk kish mbaruar më tepër se F.Z.O. n, ekuivalente me shkollën e rezervave të punës këtu, aq sa atë më vonë e bënë dhe Zv. Ministër të Industrisë, kështu që efektiviteti i Uzinës “Enver” mbeti në nivele mëse të zakonshme. Por si do të bëhej që të përballoheshin nevojat e zhvillimit për ndërtimin e makinerive, pajisjeve si dhe mirëmbajtja dhe shtimi i transportit? Këto ishin problemet më të mprehta të kohës.
Por faktikisht çdo e keqe e ka një të mirë prapa. Të gjitha ndërmarrjet e reja në rang kombëtar të sapo krijuara i dolën zot vetes, ata me forcat e veta nxorën në krye të këtyre punëve, kuadrot e para udhëheqëse për këta sektorë. Një nga këta kuadro drejtuese ishte dhe Nail Bezhani. Ai ishte njeri i rrallë apo më mirë të thuash i përkryer, atë, natyra e kishte pajisur me vlera të larta në mendësi, dhe me një konstrukt fizik të përkryer, ishte i pajisur dhe me një elokuencë për ta patur zili, u dilte për zot të gjitha bisedave me njerëzit, që nga ata më të thjeshtit e deri tek funksionarët shtetërorë të rangjeve të ndryshme. Fundi i çdo bisede me Nailin ishte një kënaqësi për të dy palët, llogjika dhe largpamësia e tij të impononin respekt për të. E kishin emëruar që herët në krye të disa ndërmarrjeve të sistemit të ndërtimeve për të menaxhuar kryesisht çështjet e teknikës mekanike, të cilat përbënin një nga problemet më të rëndësishme për mbarvajtjen dhe realizimin e detyrave shtetërore.
Naili përdorte shpesh shprehjen popullore: “Trimi i mirë me shok shumë”. Nuk e di nëse ne e meritonim ta quanim veten shok dhe miq të tij. Ne që konkretisht punonim me të, kishim konstatuar se ai me veprimet dhe sjelljen e tij nuk e aprovonte luftën e klasave. Kjo dukej qartë se edhe rrethi i tij i ngushtë shoqëror për çështjet e punës, përbëhej nga njerëz me biografi të diskutueshme, ndër ta kishte me prejardhje nga shkolla e Harry Fultzit si Astrit Xhuli, Hamit Tabaku, etj, dhe nga shkollat Perëndimore si, Ing. Dako, Ramazan Stërmasi, Ing. Qazim Xhepa, etj, po kështu mbante afër italianët Filippo Fumagali, Mario Masarini, Bruno Merolën, si edhe shumë specialistë të shquar të kohës, të cilët e kishin profesionin që në kohën e Italisë, si Koço Vasili, Leonidha Naço, Petrika Gjylameti, etj.
Shpirti krijues e novator ishin tiparet e Nailit. Ai shtimin e mjeteve të transportit e nisi kryesisht me grupin e Astrit Xhulit. Në këtë grup bëja pjesë edhe unë, detyra jonë ishte të mblidhnim agregate të ndryshme mjetesh të mbetura nëpër rrugët e Shqipërisë apo në mbeturinat e autorepartit, të Drejtoris së Përgjithshme të punimeve ushtarake e kudo tjetër, dhe pas një riparimi “exellent” siç thoshte Astriti, kombinonim kamion të tipeve të njohura për atë kohë si: FIAT – 626; FIAT – 666; FIAT – 634; OM – 100 CV; OM – 137 CV; etj. dhe kur ato bëheshin gati për punë, të dukeshin se sapo kishin ardhur nga Italia.
Kur Nailin e bën Drejtor të OAN-së, ai për herë të parë në Shqipëri aplikoi riparimin kapital të mjeteve me sistemin zmontim – riparim – montim në linjë të vazhdueshme tip konvejer deri në përfundimin e plotë të riparimit. Kjo metodë pati sukses të madh sepse ishte e re, por edhe e ngjashme me ata të Perëndimit. Duhet theksuar ndër të këqijat e asaj kohe ishte edhe lëvizja e shpeshtë e drejtuesve apo e kuadrove me pretekste banale, si burokratizimi apo riorganizimet e shpeshta, të cilat bëheshin shkak për të braktisur apo lënë përgjysmë arritjet pozitive të paraardhësve. Megjithatë këto lëvizje të shpeshta për çudi nuk i dekurajuan kurrë këta njerëz si Nailin me shokë, ata gjithnjë gjenin forca për tu hyrë rishtazi punëve të reja me të njëjtin ritëm.
Më e çuditshmja ishte se si plotësoheshin nevojat për pjesë këmbimi sepse ato zyrtarisht nuk kishe se ku t’i merrje, për më tepër shumllojshmëria e mjeteve dhe e makinerive ishin importe nga e gjithë bota dhe në periudha të ndryshme deri edhe para lufte, por ja që mendimi krijues i këtyre njerzve që përmenda më sipër, të menaxhuar me mjeshtëri e urtësi nga Naili, bënin që puna të mos kishte kurrë ndërprerje. Sot kur unë ju tregoj se ç’bëhej atëherë në kohë për zgjidhjen e këtyre problemeve, këto gjëra duken si të pabesueshme.
Objekte të rëndësisë së parë si: Hidrocentrali në Ulëz apo Rafineria e naftës në Cërrik, etj. kur pësonte difekte centrali elektrik i kantierit, pezullohej menjëherë e tërë puna, sepse atëher nuk lidheshe dot me sistemin, imagjino se çfarë metoda artizanale përdoreshin për të rigjeneruar djegiet e bjellave të motorëve 900 CV etj, edhe derdhjet fonderike kishin bukuritë e veta sepse bëheshin detale tip karkasash me metoda si në mesjetë, pa folur për rigjenerimin e pompetave të naftës, apo tarimi i pompave të naftës sepse në kantjere nuk kishte banko – prova të posaçme, por bëhej regjistrimi i sasisë së naftës me rrotullimin e një manovele duke parë me sy lartësinë e hedhjes së naftës, lëre pastaj sërish për agregatet e ndërtimit apo vinçat portal, kompresorë industrial e deri në fabrikë betoni të përmasave industriale, etj.
Përsa shkrova më sipër nuk e egzagjëroj të them se, Naili ishte dermani i problemeve tekniko – mekanike të kohës. Kjo bindje egzistonte edhe tek drejtuesit shtetëror të organeve tekniko – mekanike të larta, prandaj atë e lëviznin shpesh nga një vend tek tjetri, këto lëvizje ata i bënin sepse i njihnin mirë aftësitë dhe operativitetin e tij të lartë, prandaj e mbanin në nivelin e Drejtorit apo Zv. Drejtorit, në një kohë që nënfishat e tij bëheshin Ministra deri dhe Antarë të Byrosë Politike. Kjo metodë pune ishte një nga të këqijat e asaj kohe.
Naili ishte dhe koka e atyre mjeshtrave të mëdhenj që përmenda më lart, të cilët jo gjithmonë ishin në vartësi organike të Nailit, por duke qënë edhe në ndërmarrje të tjera, ata i bashkonte fantazia krijuese dhe përpjekjet për të realizuar atë që mendonin se e kërkonin nevojat e punës. Mund të them me plot gojën që ishin dhe patriotë të vërtetë. Nailin e bezdisnin shumë format e egzagjeruara të propagandës shtetërore, ai në këtë shoqëri gjithmonë zhvishej nga niveli administrativ që kishte karshi këtyre shokëve, bëhej paralel me ne. Metodat Sovjetike në jetën e punës trumbetoheshin me të madhe si psh. Metoda Lefçenko – Muhanov; Agafanova – Zhandarova; Kulikov apo Metoda zinxhir, etj.etj. Nailin e bezdisnin shumë, prandaj këto “dëngla” i vinte në lojë mes nesh sepse veç besimit që kishte tek këta shokë, i dinte edhe bindjet e kundërta që kishin ata karshi sistemit.
Ai me të qeshur thoshte se “Emulcioni” socialist i freskon kokat e njeriut të ri që është krijesa ose vepra monumentale e Partisë. Ai fjalën “Emulacion” e shndërronte me “Emulcioni” Socialist (Emulcioni është lëng ftohës në mekanikë), po kështu bëheshin shumë shakara të kësaj natyre. Të më falni që po dekonspiroj një shaka “rozë” që bënim ndërmjet nesh. Kur Naili ishte në hall të madh sepse i kërkoheshin nga lart për të plotësuar mekanizma të paplanifikuara në kohra rekord në mbështetje të metodave të reja Sovjetike, si transportier flamur për t’u çuar ustallarëve llaçin kur bënin mure apo ashensorë për të mekanizuar ngritjen e tullave nëpër kate gjatë proçesit të ndërtimit të banesave, ai ç’orientohej për momentin dhe thoshte se, këto janë proçese që më pengojnë të realizoj detyrat e planifikuara, ose siç i themi ne andej “kërcu mbi samar”. Në kulmin e këtyre shqetësimeve, Hamit Tabaku i thoshte Nailit që mos u shqetëso për këto detyra suplementare, por priti me buzqeshje se pasha Zotin të bjen ndonjë bela e madhe në kokën tate. Dhe a e di si ta bjen këtë bela në kokë pushteti popullor? – Ik ore, i kthehej Naili, por Hamiti vazhdoi, ti bjen me “metodën zinxhir” tamam me ato transportjera që duhet t’i bosh ti dhe a e di ti Nailo, – vazhdonte Hamiti, se ç’osht kjo metodë dhe si ka lindur? – Jo, i thosh Naili. Atëher nigjo, dhe filloi Hamiti tregimin për ndodhinë në një guvernë Ruse që quhej “Saratov”, që djali i një Pani kishte aq inat priftin e fshatit duke i sugjeruar metodën “zinxhir” që ishte mënyra më paqësore se hakmarrja për priftin, më e rëndë se vrasja (këtë metodë e kemi treguar më sipër fq. 232).

Atëherë kur Partia e pa efektivitetin e kësaj metode, ajo e aplikoi në Industri, Ndërtim, “Politik”, etj. dhe suksesi qe i garantuar. Prandaj i thotë Hamiti – Nailit: ul “b..” e zbato urdhrin që t’mos e hash. Dhe të gjithë u gajasëm së qeshuri. Me këta njerëz të kulturuar, të zotë e të ndershëm mbi të gjitha, Naili bënte punë shumë të rëndësishme, të paimagjinueshme për kohën, ai arriti shumë suksese në punë. Naili thoshte se një drejtues në tërë botën ka këshilltarë rreth tij dhe kur i menaxhon mirë ata, suksesi është i përbashkët dhe dashuria për njëri – tjetrin vjen gjithnjë në rritje, gjynah që kjo gjë nuk ndodh dhe në mardhëniet e shtetit me njerzit. Unë personalisht ndejta për shumë vite pas Nailit si në Ndërmarrjen 21 – Dhjetorit, OAN, Ulëz, etj. Nga kënaqësia që kisha për të ndejtur me të, i shkoja edhe në shtëpi me pretekstin e shërbim – riparimit të auto – veturës së tij private dhe ai kënaqej me mua. Mësimet e Nailit dhe të shokëve të tij më vlejtën shumë në jetë dhe unë u mundova të punoja si ata, apo edhe të jetoja si ata dhe mendoj se ia arrita në një farë mase dhe kur më dekoruan me “Çmimin e Republikës” në fjalën time të përshëndetjes vlerësova edhe ndihmën apo mësimet që mora nga idhulli im i paharruari Nail Bezhani.
Me shumë nderim e respekt Xhavit Delvina.

SI E NJOHA ZOTIN PILO PERISTERI

Kontakti im me të është që në vitin 1941 në dyqanin “Flora”. Kjo njësi tregtare shumë e rëndësishme, ishte pjesë e një industrie duhan – cigaresh që kishte si pronar vëllain e nënës sime Esat Dishnicën dhe po djalin e dajës së saj Ibrahim Biçakun.
Në këtë dyqan punonin Enver Hoxha si menaxher i tregëtimit, i cili ishte shok e mik i Esatit që në vitin e I-rë të Liceut Francez në Korçë dhe dy punonjës të tjerë, Pilo Peristeri dhe një tjetër me emrin Ilo, të cilit nuk ia mbaj mend mbiemrin, por di që ai është dëshmor i Luftës Nacional Çlirimtare. Unë dhe vëllai im Sherifi ishim fëmijë “trazovaçë”, kështu na thonin sepse aty ku shkelnim nuk linim dy gurë bashkë. Kjo ishte më se e vërtetë dhe njihej nga të gjithë, sa herë që ne shkonim në dyqan shkaktonim probleme por nuk e çanim kokën, sepse ishim “nipat e pronarit” dhe këtë e shihnim edhe ne që nuk na ndodhte gjë, pra ishim të “privilegjuar”.
Në një ditë të zakonshme vizite në dyqan, pamë të parkuar aty pranë biçikletën “28 _e Bianchi” të Enver Hoxhës, pasi u siguruam që nuk na pa njeri, me gjakftohtësinë më të madhe e rrëmbyem atë dhe u zhdukëm si rrufe. Por ja që këtë rradhë neve u gabuam sepse Pilo me Enverin ishin aty pranë, brenda një dyqani peshku që ishte karshi dyqanit “Flora”. Ata na panë shumë mirë, por nuk na folën sepse menduan që ne do të bënim ca xhiro dhe do ta kthenim atë përsëri. Ne prej aty vajtëm tek bulevardi i madh përpara Hotel “Dajtit”, xhiruam si unë dhe Sherifi nja 2 a 3 – orë dhe vendosëm që meqënëse ishim të sigurtë se nuk na kish parë njeri dhe që të mos hapnim probleme, ta hidhnim atë poshtë urës “Lanës” te Hotel “Dajti” dhe kështu vepruam. U kthyem të qetë në shtëpi, bëmë detyrat sipas zakonit dhe po rrinim të qetë në dhomën tonë duke lexuar revista italiane “L’ uomo Mascherato, Topolino” etj. Për ne “aksioni” kishte vajtur në rregull, por ja që s’kish qenë ashtu si e kishim menduar ne këtë rradhë. Nga ora 2 pas dreke vjen Enveri dhe drekon tek ne, pasi hëngri e piu sa u “dënd” siç thoshte mamaja jonë, thirri shërbyesen Nekie dhe i tha që thuaj djemve të më nxjerrin biçikletën se do të iki tani menjëherë.
Kështu veproi ajo dhe ne erdhëm të “habitur” sepse gjoja ne nuk po e kuptonim se për çfarë biçiklete bëhej fjalë. Ai e mori me të qeshur, na zuri për faqe dhe na përkëdheli, hajde – tha, se jam vonë, por ne sërish insistuam se po na bie në qafë kot, fol ai e fol ne, dikur ai u nxeh dhe më qëlloi mua me shpullë në fytyrë. Mirëpo mesa dukej edukimi ynë “borgjez” i asaj kohe na tradhëtoi dhe ia treguam tërë historinë e biçikletës ashtu si e kishim bërë në të vërtetë. Më vonë morëm vesh se ai kishte vajtur aty ku i thamë ne, por më kot sepse atë e kishin marrë dhe nuk gjeti asgjë. Pra unë mbart në historinë time personale një rekord “Gines” sepse fytyra ime ka marrë një shpullë direkt nga dora e udhëheqësit tonë “të madh” Enver Hoxha, për një biçikletë. Mesa duket kjo shpullë prej “floriri” më vlejti për të mos bërë më gabime në të ardhmen.
Në të vërtetë pas vitit 1944 u bënë shumë përmbysje nga koha e vjetër, të mira dhe të këqija, por për familjen tonë njohja me Pilo Peristerin nëpërmjet rrethit familjar dhe Esatit, ishte fat për ne, ai qe model i të mirës dhe bëri për familjen tonë aq sa mund të bënte, ai të mirat nuk i kurseu t’i bënte aty ku e meritonin. Në vitin 1947 familjen tonë e “mori lumi”, arrestuan baban tonë, na sekuestruan çdo gjë, na nxorën nga shtëpia dhe na futën në një dhomë tip “haur lopësh” 3 x 3 me qerpiç në buzë të Lanës. Ne në atë kohë ishim fëmijë të parritur, por nevoja për bukën e gojës na diktonte të punonim, atëherë nëna i shkon Pilos në zyrë, i cili asokohe ishte President i Sindikatave Shqiptare dhe i shtron hallin që kishte, megjithëse janë akoma të parritur i madhi është 15 – vjeç, ti e di, i thotë por shpresoj t’i gjesh një punë që i përshtatet asaj moshe, të lutem një mijë herë, ti e di ç’është buka e gojës. Mirë moj mirë – i thotë ai me seriozitet, por kam një kusht për të. Nëna u habit dhe e pyet se ç’është ky kusht? Ai i thotë nënës: – Rrogën e parë t’ja japi shokut Enver për biçikletën, se ai nuku harron dhe mbi të gjitha është gjirokastrit, qeshën të dy, pinë kafen dhe e përcolli me dashamirësi te dera e zyrës. Që atë javë e rregulloi Sherifin në punë si magazinier inertesh për ndërtime.
Marrëdhëniet tona miqësore me të vazhduan edhe pasi ai mori Lejlanë për grua, vajzën e mikut të babait, Hidai Myftiut. Kur u vra Hidaiu, babai ynë qëlloi Prokuror në Vlorë dhe i mori në shtëpin e tij tërë Myftinjtë derisa u mbyllë ajo hata që ju ndodhi. Kështu që mbetëm miq përjetë. Edhe më vonë Manush Myftiu na është përgjigjur pozitivisht sa herë që kishim nevojë. Por ja që historia e solli që Pilo Peristeri të bëhej Drejtor i imi për shumë vite në Kombinatin e Autotraktorëve.
Përpara se të vinte Pilo si Drejtor dhe Uzina e Traktorëve nuk ishte shndërruar në Kombinat, aty ishte Drejtor – Niko Shuli, Kandidat i Komitetit Qëndror të Partisë. Ai për mua kishte një simpati të madhe qoftë si njeri e qoftë si profesionist. Këto mardhënie me të u shtuan më shumë kur unë i ringrita në formë kapitale një autoveturë tip “POBIEDA” që e kishte në dispozicion (organikë shtetërore për kuadrot e larta të Partisë). Unë me të punova edhe disa kohë si shofer deri sa ia sistemova këtë makinë me një shofer të mirë. Kështu që me këtë rastësi u bëra edhe mik i afërt me familjen e tij dhe aty unë njoha dhe të vëllanë Jorgji Shulin, edhe ky funksionar i lartë i Partisë, aty ai e mori vesh se unë isha nipi i Esatit sepse ata njiheshin shumë me njëri – tjetrin, kështu që respekti reciprok u rrit shumë lart në të vërtetë ndërmjet nesh. Kur Niko i bëri dorëzimet Pilos më prezanton edhe mua, duke më lavdëruar me superlativa dhe mbi të gjitha i tha që isha dhe nipi i Esat Dishnicës, atëherë Pilo më dha dorën dhe më pyet se kush isha, i madhi apo i vogli djalë i Asimesë? I vogli – iu përgjigja, atëherë më përqafon dhe tha, mali me malin nuk piqen, por për njerëzit nuku është kështu, ja u takuam prapë. Më pyeti për shumë gjëra, vajtëm në zyrë, pimë nga një kafe dhe më tha që më pëlqeve dhe që sot e tutje do të të mbaj afër se ia vlen, i paske nja dy – grosh mend në kokë dhe qeshi.
Ardhja e Pilos në Uzinë kishte një domethënie sepse ai ishte një nga njerëzit më të vjetër në politikën shqiptare, mbi të gjitha ishte dhe Kandidat i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH dhe njeri i afërt me Enver Hoxhën. Shumë diskutime lindën në atë kohë ndërmjet nesh, punonjësve të kategorive dhe vlerave apo pozitave të ndryshme në uzinë. Mendime të ndryshme qarkullonin për arsyen që pse atë e sollën në bazë? Ndoshta për të eksperimentuar një drejtim të ri në aspektin organizativ që t’i përgjigjej teknologjive të reja e me forma të reja, megjithatë ne shpresuam për mirë. Në ato fillime detyra ime ishte të përgjigjesha për gadishmërinë e reparteve të fonderisë, kovaçanës, kompresorëve dhe garazh – transportin. Këta sektorë me problemet e shumta që kishin, më lidhën shumë me Pilon, kalonim orë të tëra bashkë me diskutime pune nga më të ndryshmet. Kjo situatë e re për mua jo vetëm që nuk më lodhte por më jepte kënaqësi, leksionet e tij që i bënte në formë bisedash me stil shumë shoqëror, ishin të një niveli shumë të lartë, përse të mos themi se arrinin dhe në kufij shkencor, vetëm konceptimi i historisë së zhvillimit të sektorit mekanik sipas tij, kronologjisë kohore apo epokale që ai diskutonte, shpjegonte shumë qartë si ngecjet apo dhe sukseset e arritura në kohë apo në periudha të caktuara.
Shiko Xhavit, – thoshte ai. – Praktika pa teori është njësoj si teoria pa praktikë, – ja pra si do t’i sinkronizojmë këto dy fakte reale apo probleme të vërteta dhe të dukshme që realisht pengojnë prodhimin apo pse të mos themi dhe përparimin, pra është detyrë e mendimtarëve të krijojnë mënyra efiçente lidhjeje të këtyre dy faktorëve se ndryshe s’kemi gjë.
Sjellja e tij njerzore me tërë kolektivin e uzinës apo dhe puna e tij me orë të zgjatura, u bë shkak për një mobilizim masiv të punonjësve të uzinës, ai fitoi pozitën e babait të të gjithëve. Pra shembulli i tij personal, pjekuria e tij politike, ekonomike e shumë cilësi të tjera pozitive dhe për mua u bënë shkak që të hidhja pas krahëve disa paragjykime që rridhnin nga situata e asaj kohe dhe t’i vihesha punës “me mish e shpirt” duke përfituar realisht dhe vlerën që më takonte.
Më befasonte kur tregonte për zhvillimin e teknikës apo mjeteve që realizonin prodhimin mekanik në atë kohë të rinis së tij. Këto tregime karakterizoheshin nga një qartësi dhe objektivitet i habitshëm që nuk i dëgjoje në asnjë vend tjetër. Ai tregonte për pajisjet e kovaçanave ku kish punuar edhe vetë, pikërisht këto kovaçana me prodhimet e tyre plotësonin të gjitha nevojat shqiptare me punime hekuri, si psh. patkojtë e kuajve të cilat ishin mjetet kryesore më të nevojshme të transportit, bashkë me yzengjit apo mbështetëset e këmbëve të shalës për pasagjerët e karvaneve, nomenklatura e prodhimeve s’kish të mbaruar, aty prodhoheshin kazma, sqepar, shata, lopata, etj. deri gozhdë për patkojt e kuajve, por kush ishin mjetet apo makineritë, siç i thoni ju sot, që krijonin mundësitë për realizimin e gjithë këtyre artikujve, një fryrës me dorë apo një çalik lëkure bagëtie për të ndezur dhe djegur eshkën për ngrohjen e detaleve, një mengene (mars) që i hynte bishti gjatë në tokë sepse rriheshin mbi të detale të skuqura me vare, një kudhër dhe pastaj vinin çekiçat e madhësive të ndryshme për rrahje, mashat e kapjes së detaleve të nxehta, gërshërët për prerje, punsonat, etj. Meqënëse atëhernaj nuku kishte aparate saldimi me elekrogjen siç i thoni ju sot, neve copat i tejnxehnim dhe pastaj i farkëtonim me shpejtësi mbi njëra – tjetrën sipas nevojave të porositësit dhe të betohem se ato bëheshin një, më mirë se saldimi i juaj, por ky proçes ishte më delikati në kovaçanë e nuku e bënte gjithkush se dallohej, psh. usta Zeqiri, atëhernaj këtij i binin për ngjitje dhe nga qytete të tjera.
Kjo që shpjegova qe periudha e teknikës artizanale, pastaj përparimi njerëzor pruri mekanizimin dhe kjo bëri që u ul në numër fuqia punëtore, u ul lodhja fizike, u rrit rendimenti dhe u ul kostoja e prodhimit, e tani me ç’po shoh flitet shumë për automatizimin e kushedi ku do shkoj bota më vonë. Eh, eh, kur shoh sot këta gurët zmeril si ai “600” (gjashtqindëshi), më kujtohen gurët që përdoreshin atëhernaj, ishte guri gjysëm metër diametri, i çponim një brim në mes, i futnim një bosht që në një anë kthehesh si manovel, e mbështetnim në dy kërraba anash që ju i thoni “suporte” dhe e rrotullonim me këmbë, ishte e lodhshme se komandohej me një këmbë dhe ishte i rëndë, e kishte gjerësinë jo më pak se 10 cm, kështu mprifnim. Ore se mu kujtua tani, a e di që ne në atë kohë bënim siç i thoni ju sot edhe çimentime, i futnim detalkat nëpër gypa me pluhur qymyri, i taposnim mirë dhe i futnim në zjarr, dhe a e di se çfarë fortësie merrte? shumë të lartë. Të shkuara e të harruara!
Të them të drejtën pa u përfshirë në politikë, Zogu dhe Italia nëpërmjet shoqërive të huaja kryesisht, prunë diçka të kohës, si motorët stacionarë për centrale elektrike, automobilat, ndonjë traktor, ca fabrika tullash si dhe tjegullash, si psh. “Stacioli” – ndërmarrje për ndërtim rrugësh dhe urash, “Tudini Talenti” – fabrika ushqimore si ajo e Birrës në Korçë apo ajo e “Sinalkos” (aranxhatave) në Tiranë, ca ofiçina për riparimin e automobilave, etj, por këto nuku ishin të mjaftueshme që të binin një zhvillim bashkëkohor për Shqipërinë që t’u afroheshim së paku shteteve që ishin kufitarë me ne. Këtu sundonte parmenda e tërhequr nga qetë apo kuajt, ky qe mekanizimi në bujqësi, por ama popullsia po rritej nga dita në ditë. Shqipëria po e kalonte meleonin, po të shihje atë pak inteligjencë që kish mbaruar jashtë Shqipërisë në vënde shumë të përparuara të asaj kohe, kur vinin në Shqipëri nuku e gjenin veten në ato llojë punësh që i ofroheshin, ata nuku arrinin së paku të kontrollonin aftësitë e tyre vetjake në sensin praktik që kishin fituar pas përfundimit të studimeve universitare, pa folur pastaj t’u krijoheshin kushtet për të zgjeruar apo dhe progresuar aftësitë e tyre, kështu që gradualisht vlerat e tyre binin apo edhe digjeshin.
Neve këtu në Shqipëri pas çlirimit të vendit, ç’është e vërteta bëmë shumë dhe nuku mund t’i hedh baltë njeri punës tonë. Vështirësitë ishin të shumta dhe të pallogaritshme, madje të shkonte mendja të thoshe gjëra të pamundura për tu realizuar, sigurisht duke u bazuar në atë nivel zhvillimi industrial që kishim, sidomos për ne të mekanikës. Por ç’është e vërteta Partia na e shtroi për detyrë të fillonim urgjentisht nga puna se s’kishte rrugë tjetër dhe atdheu kish nevojë. Mbi të gjitha neve pothuaj nuku kishim traditë teknike në nivel industrie, ne siç e thamë edhe më lart ishim në nivel artizanal, pra duhesh filluar nga e para dhe ky qe urdhër i prerë dhe s’kishte gëk – mëk. Kjo lloj pune në një farë mënyre filloi të marrë udhë me hapjen e uzinës “Enver” me ca makineri që i përfituam si dëm – shpërblim lufte ose “riparacioneve”, siç i thoshin atëhernaj mbas shkatërrimeve që na pruri lufta, por kush i zgjodhi ato, apo kush ishte specialisti që i diskutoi ato makineri apo pajisje që na nevojiteshin? Ihsan Budoja, ku merrte vesh ai nga ajo punë, por ç’ti bëje, ai ishte më i përshtatshmi.
Halli tjetër ishte se për t’i vënë në shfrytëzim këto makineri duheshin punëtorë specialistë dhe ku t’i gjenim ne ata? Atëhere dërguam për të mësuar apo specializuar siç i thonë sot punëtorët tanë, në Jugosllavi, hapëm dhe shkollën e rezervave të punës apo shkollën industriale, siç i thonin atëhernaj dhe filluam punë, imagjino sot se ç’nivel kuadri kishim. Koço Çaçin ti e njeh, e vumë në rolin e kryeinxhinierit dhe qeshi, më vonë na mësuan apo dhe na ndihmuan për një drejtim modern të punëve. Rusët fillimisht na ndihmuan me një Tepelenas të lindur atje, Artion Spartak quhej, i cili ishte me shkollë F.Z.O (i thonin shkollës së rezervave), që më vonë e bëmë edhe Zv. Ministër të Industrisë, pastaj ardhën inxhinierët tanë të rinj nga Rusia, Bullgaria, etj. dhe ata në të vërtetë prunë diçka të re në administrimin teknik të prodhimit, u krijuan grupet teknologjike apo byrotë teknologjike, zyra konstruktive dhe tashmë qarkullimi i prodhimit bëhej me skica dhe jo me “yrnek” kampionaturë, filloi gjithashtu të përdorej dhe një “kartë” ku përshkruhej radha e operacioneve ose si i thonë sot, biçim proçesi teknologjik dhe sikur u qetësuan pak shqetësimet e rritjes së prodhimit për mirë, por shumë shpejt në Shqipëri hyri masivisht teknika e re kineze, në të vërtetë ajo qe e një shkalle më të lartë se aftësitë apo niveli inxhinierik egzistues, por kjo e keqe ndodhi edhe me administrimin ekonomik të prodhimit, lëre pastaj detyrat për një progres të vazhdueshëm që ishte në bazën e politikës, kështu tani na lindën probleme edhe më të vështira se ato që folëm më sipër. Ja psh. sot Partia na bëri peshqesh këtë uzinë moderne, kemi makineri të tilla si Bareno – kordinative që vetëm ajo kushton 1 meleon dollar, lëre pastaj të tjera si termikët, galvanizimet, llaboratorët, etj. Tani drejtimi i prodhimit duhet të bëhet me mend e jo me sy, siç jemi mësuar ne deri më sot, si do t’i përgjigjemi shtetit po nuk realizuam treguesit tekniko – ekonomik të projektuar nga ata verdhacukët kinezë, të cilët i arritën këtu për 6 – muaj kur e drejtuan vetë prodhimin në fazën e dorëzimit të uzinës? Ja mo ty, që të kam nga më të mënçurit, të të bëjë një pyetje ku dhe ti nuku di të përgjigjesh: Ç’është Teknollogjia? Filloi të qesh dhe tha: a e di more budalla si thonë ata lart?
Teknollogjia është Kushtetuta e Prodhimit. Po a shkelet Kushtetuta? – Jo. Por a jemi të zotë ne të mos e shkelim? – Jo…! Kjo është belaja sot për ne. Megjithatë neve përpjekjet po i bëjmë por nuku jam i kënaqur plotësisht, morëm njerëzit më të mirë nga uzina “Enver” dhe i prumë këtu, i vumë pranë kinezëve që të shihnin të renë më të fundit apo atë më të përparuarën, çuam gjithashtu dhe një grup inxhiniero – teknik për specializim në uzinën “mëmë” në Kinë, por në fund të fundit rezultatet e punës lanë shumë për të dëshiruar, vërej një fakt që më bënë çudi, mendoj shumë por s’po i jap zgjidhje, ja psh. inxhinierët zakonisht janë me detyra superiore karshi teknikëve të vjetër, por ja që këtyre teknikëve të vjetër që faktikisht janë zotër të vërtetë të punës, kjo pozitë e atyre nuku ju pëlqen dhe i ha brenda në shpirt, nuku i duan mbi vete dhe në fakt inxhinierëve ju mungon në mënyrë absolute praktika në prodhim. Ata pa këta nuku bëjnë dot gjë. Kështu që teknikët i përçmojnë inxhinierët se ju duket se i ushqejnë këta të fundit, por ama është një gjë tjetër se, zakonisht teknikët kanë pozita më të larta partie dhe në shumë raste dhe në ato shtetëroret. Marrëdhëniet mund të jenë dhe të mira ndërmjet palëve kur egziston një shoqëri e veçantë, por kjo në fakt është një arsye që ngec shpesh për të keq, lëre kur e lëftojnë hapur njëri – tjetrin dhe ky është me të vërtetë një hall i madh. Shiko Xhavit, së shpejti do të shkoj një grup për specializim në Kinë. Mendoj të çoj inxhinierët që duken se janë më të aftit e më me perspektivë, si dhe teknikët më të zotë. Ç’është e vërteta shpresoj tek ky grup dhe përbërjen e këtij grupi e kam menduar mbi të gjitha me element që më duket se janë të imunizuar, jo indiferentë ndaj të këqijave që thamë më lart. Në këtë grup të kam përfshirë edhe ty sepse shpresoj shumë prej teje dhe prandaj diskutoj vazhdimisht me ty që ti ta njohësh situatën e përgjithshme të uzinës dhe mendimet e mia gjithashtu. Unë prej teje kërkoj këto gjëra kryesore:

– Të vëresh si kontrollohet disiplina për zbatim të përpiktë të proçesit teknollogjik gjatë gjithë zinxhirit të fazave të prodhimit, biles deri në futjen e prodhimeve në magazinë.

– Si i kanë ndërtuar marrdhëniet në prodhim: teknologët me mjeshtrat e prodhimit, punëtorë prodhimi – kuadër dhe me punonjësit e grupeve apo byrove teknologjike.

Një porosi tjetër e veçantë: – Ti projektet e uzinës së re i ke parë dhe mundohu të bësh një krahasim të zinxhirit të fazave të prodhimit që do të realizohen këtu tek ne, me ato të tyret atje sepse thuhet se është një analogji totalisht e ngjashme, natyrisht ndryshon vetëm sasia e prodhimit, ta bëj këtë kërkesë që të di a është e njëjta bazë mekanike në tipe makinash, vendosje etj. që garanton, meqë kemi analogji prodhimi apo të njëjtën cilësi. Ti i di nevojat tona të rritjes të cilat do të arrihen me forcat tona si në fushën e ndërtimeve të reja apo rikonstruksione etj, dmth ç’përfshijnë nevojat e progresit, por ama duhet të kesh parasysh dhe mundësitë tona ekonomike, prandaj këtu tregohu objektiv dhe realist, merr ato që mund t’i bëjmë ne si linja, makina e deri tek fabrika. Ti ndoshta nuk e di të vërtetën reale se kemi herë pas here reklamime për prodhimet tona me cilësi të dobët nga përdoruesit si për fasho-llastikat, pllakat e zinxhirit, këmisha testato, etj. Shih me vëmendje të madhe se mos dallon apo zbulon ndonjë gjë të re për këtë diversitet të pashpjegueshëm cilësor, mos vallë ka ndonjë arsye objektive dhe ç’duhet të bëjmë ne këtu? Të lutem shiko se çfarë mekanizimi ka linja e montimit të nyjeve, grupeve, agregateve të traktorit, deri dhe banko – prova, dhe si ata e trajtojnë proçesin e shtrimit e deri në dorëzimin e traktorit në magazinë. Edhe një gjë tjetër, shiko dhe konsultohu me ta si proçedojnë për të materializuar rikonstruktimet e makinave egzistuese në sensin e rritjes së aftësisë prodhuese të makinës apo rritjes së cilësisë së prodhimeve e deri tek prodhimi i makinave të reja që ne i themi “shpikje”… dhe qeshi. Shiko Xhavit, këto që po të shpjegoj janë detyra për ty, e di dhe jam shumë i sigurtë që do t’i realizosh, se je “dobiç”.
Pilo Peristeri kishte aftësi të rralla për vlerësimin e njerëzve sidomos për bashkpunëtorët e tij, ai kurrë nuk u gabua me ata që i mbështeti. Që nga çasti kur të jepte detyrën, ai ishte bërë një me ty në tërë problematikën e detyrës, nuk kishte orar pune për të, natën – natën, ditën – ditën, mjafton të arrihej objektivi, kështu ai ishte një shembull konkret frymëzimi për ne. Pilo mendonte që nuk mjaftonin vetëm masat që merrte për rritjen e aftësisë prodhuese apo edhe ato në aspektin cilësor të cilat përputheshin me rekomandimet që përcaktonte Partia në rrugën ekonomike, por ai e ndjente që duhej mbështetur dhe një përpunim i ri shpirtëror për të gjithë punonjësit, që ata me të vërtetë ta ndjenin veten “Zot malli”, ai për këto probleme ishte shumë idealist.
Ai pasi u mendua shumë vendosi të bënte edhe një intervenim të dobishëm në jetën familjare të punonjësve, që realisht ishin baza e punëve në uzinë. Pilo mendonte për fatin e uzinës jo vetëm sot për sot por edhe për të ardhmen, prandaj brezi që do të rritej duhet të ishte i brumosur me një ndjenjë të lartë vlerësimi për punën e etërve të tyre dhe prandaj ai mendonte që zanatin e prindërve duhet t’i lihej trashëgimi fëmijëve pasardhës. Lidhja e afërt e tij me punonjësit realizoi apo mëshiroi atë fjalë që thuhej asokohe “shkrirja me masën”, e prandaj me ndërgjegje çdo punonjës i uzinës e thërriste atë “Xha Pilo” dhe ai kaq dëshironte.
Ai mendimet e tij i materializoi duke ndërtuar një koloni të posaçme me vila njëkatëshe dhe me oborre për çdo vilë, banesa të cilat ja u shpërndau inxhinierëve, mjeshtrave dhe punëtorëve më të dalluar të punës. Mendimi i tij ishte shumë fisnik kur thoshte se zakonisht këta lindin shumë fëmijë dhe nevoja do t’i bëjë që t’i punojnë oborret, sepse do të kenë leverdi, por në këto oborre do të ketë prodhime frutash, lule, gjelbërim, etj. Kështu që do mblidhet e tërë familja pas punëve të ditës dhe do të fillojnë diskutimet, do tregoj kovaçi që sot rraha apo farkëtova një detal interesant, po kështu do tregoj edhe fonditori që derdha një detal të rrallë, edhe mekaniku etj. rrjedhimisht fëmijëve do t’ju induktohet një njohje e vazhdueshme e problemeve të punës. Kjo do të rrjedhojë një dashuri për profesionin e etërve dhe kështu që do të lind tradita familjare e trashëguar, kovaçi plak do të bëj kovaçë të rinj, kështu dhe për profesionet e tjera.
Për ç’ka thamë më lart ai çdo gjë e materializoi ashtu si e mendoi. Pilo ishte brumosur dhe formuar si punëtor i formës klasike dhe deri diku ishte dhe pak romantik, por ja që bota kish ndryshuar së bashku me shumë gjëra të jetës. Kur bënim biseda së bashku edhe konfidenciale unë si më “I mënçuri”, i thosha se Pavëll Vllasovët e sotëm “nuku” e marrin bukën nën sqetull dhe të kalojnë në atë rrugë të keqe poshtë oxhaqeve të fabrikave, ata sot janë bërë deputet të Kuvendit Popullor apo me poste të larta shtetërore dhe, “nuku” pëlqejnë të rrojnë më pranë Shkozës, por duan qendrën e Tiranës se i kanë gratë mjeke, profesoresha, etj. kanë këpucë me taka të larta, janë me “zhapone” etj, dhe kështu në këtë lagje mbetëm vetëm ne më “budallenjtë”. Ai më kthehet: Jo mor jo, ju që keni mbetur aty s’jeni më budallenjtë por jeni më të mënçurit, e me të vërtetë kështu erdhi koha dhe nuk i pashë të realizuara mendimet e mia, por nuku jam pishman se në fund të fundit bëra një të mirë. Por ti qerrata i madh je, më gjuan tamam aty ku më dhemb. Meritë e tij e veçantë ishte kontributi i madh dhe shumë mjeshtëror që dha ai në atë kolektiv të madh në lidhje me zbutjen e luftës së klasave. Këtë mjet kriminal të asaj kohe ai e çoi pothuaj drejt zeros, por ama i gjithë ai kontigjent njerëzish që sipas ligjeve të pashkruara të asaj kohe, duhej të prekeshin nga ky llojë genocidi shtetëror, ja shpërblenin “Xha Pilos” me mirënjohje, punë e respekt, dhe pikërisht këtë donin të dy palët, si ai edhe ata të “mjerët”. Po përmend disa raste dhe po e filloj me veten:

  • I shkoj njëherë në zyrë dhe i lutem të më heqi nga roli drejtues që unë mbaja dhe ai më thotë: “Mjaft llomotite, ç’plasje ke”? I them: -Ditën drejtoj dhe në darkë më bëjnë rezil në Organizatën e Partisë.
    Ai thërret në prezencën time Sekretarin e Organizatës – Godo Bajramin, ish-oficer i lartë i Ministrisë së Punëve të Brëndshme dhe i thotë: – Godo ma ke mërzitur Xhavitin me ato përralla që ju diskutoni në organizatë, ç’bëni mor kështu? Keni lojtur nga mendtë? Ndëgjo këtu: Përpara se ne të fitonim luftën, ne njerëzit e thjeshtë si ti dhe unë, kujtonim se vuajtjet dhe fukarallëkun e kishim risk nga Zoti, ndërsa soji i Xhavitit ishin në majë të fikut, por miqësia e tyre me ne ishte një ndihmë e atillë për të cilën kemi vlerësimet më të mëdha që nga Enver Hoxha e deri poshtë tek unë, prandaj po të porosis për të fundit herë si ty dhe ata, të mos griceni më me të, ndëgjove? – ndëgjova thuaj dhe m’u hiq sysh se tani kemi punë.
    Por pasi doli Godo, mu drejtua mua duke më thënë: – Hajt qërrohu dhe ti se e mbaruam edhe punën tënde.
    Po si puna ime më kujtohet se isha për punë tek Pilo ndërkohë sekretarja e tij i thotë se ka ardhur Eqrem Kuka, ish – Sekretar i Partisë së uzinës dhe i thotë që të vij? I them: – Të dal unë? – Jo mos luaj, – më thotë. – Shiko Eqrem, shko e thuaj atyre budallenjve të organizatës së repartit mekanik se Adhurim Jegeni vërtet është nga familje të pushkatuarish, por ai vetë e ka treguar me punë dhe zotësi, që është një mjeshtër i atillë që ia vlen t’i japim shtëpi dhe do ta nderojmë dhe vlerësojmë gjithnjë për kontributin e tij…
    Mund të përmend shumë raste të tilla. Kjo qe për pjesën e të deklasuarve, lëre pastaj sa mirë i trajtonte komunistët apo bijtë e tyre që Partia i kishte flakur jashtë rradhëve të veta dhe i kishte sjellë për “riedukim” në uzinë. Pilo me mua bënte ca biseda që më mahniste, zakonisht ai pushonte në orët e vona pas orarit të punës në dy – pika që i kishte ndërtuar në vreshtin e fermës ndërmjet fonderisë së çelikut dhe uzinës së re, si dhe në ballkonin e zyrës së vet. Larmia e këtyre bisedave ishte e pasur, natyrisht bisedat e tij që ishin në nivel konfidencial unë nuk mund t’i bëja asgjëkund, sepse në shumë raste ato fërkoheshin ose dhe binin në kundërshtim me vijën e Partisë, në raste të veçanta sigurisht, por këto biseda për mua ishin të rëndësishme sepse unë bëja pjesë apo edhe përfshihesha në ambiente të rëndësishme që trajtonin zhvillimin perspektiv të teknikës së vendit, si në nivele ministrash e deri Zv.kryeministri, kështu që shumë pjesë të bisedave me të i “përvetësoja” dhe i bëja si pjesë të diskutimeve të mia. Kjo më rriti shumë vlerën sepse thuhej se Xhaviti është me shumë mënd, ka mendime origjinale dhe shumë të dobishme, pavarësisht të ndonjë gabimi të vogël deri dhe ideologjik. Kjo rrjedh se ai nuk është komunist, por ama ai ka “besim” të madh tek Partia, se e hap zemrën dhe gojën pa ndrojtje. Ja pra edhe unë “e vodha” Pilon.
    Po tregoj një bisedë të Pilos që si zakonisht e paraqita si mendimin tim, në një darkë në shtëpinë time ku kisha vizitor Llambi Gegpriftin dhe disa kuadro të tjerë të Kombinatit. Gjatë bisedave të tyre doli qartë se duhej përkrahur më shumë grupi im i rikonstruksioneve, sepse po fusim një nomenklaturë të re që ka kërkesa shumë më të larta se nomenklatura egzistuese. Ata e kishin fjalën pothuaj indirekt se kishin dështuar me prodhimin e Fiatit, në fakt dhe ne po e shohim cilësin shumë të dobët të pjesëve për Fiatin. – Lëre, lëre – thotë Llambi, -u turpëruam karshi qeverisë.
    Ndërkohë ndërhyj unë komplet me bisedat e Pilos, por sigurisht në emrin tim si mendime personale të miat. Ata u befasuan nga “logjika ime” shumë e kualifikuar dhe më bënë vlerësimet më të larta të cilat mua më interesonin, sepse siguronin vazhdimësi të mëtejshme për grupet e mia të punëve të rikonstruksioneve. Ne në atë kohë ishim të privilegjuar në drejtim të pagave sepse merrnim deri në 20 mijë lek të vjetra në muaj për punëtor dhe kishim varësi direkte nga Drejtor & Kryeinxhinier duke mos patur varësi të rëndomta nga reparti etj. Kur fillova të flas i thashë vetes, meqë po citon Pilon, kujdes mos harro ndonjë gjë dhe shqiptimin bëje si ai, dhe ju them atyre, nuk e diskutoj vërtetësinë e hallit që ju shtruat dhe propozimet për rikonstruksionet që duhet të bëjmë, por të them të drejtën më çudit një gjë. – Çfarë të çudit? – pyeti Llambi.
    I them se e dimë të gjithë që Lufta e I – rë – Botërore është bërë në vitin 1914 dhe biles me aeroplan “kaçatorr”, por ama ky aeroplan kishte një motor aviacioni me kërkesa shumë më të larta se i Fiatit tonë sot, si në aspektin teknologjik ashtu dhe në atë konstruktiv. Ai motor ishte i tëri në alumin dhe biles dhe me ftohje me ajër e jo si Fiati ynë me ftohje uji, a thua që ata atëherë kishin makinë për derdhje alumini me presion siç i kemi ne sot, apo furra shkrirje me induksion me hark apo bareno kordinative, glison, llaborator, etj. Ata besoj, në atë kohë kishin ca torno primitive me trasmesion me rrypa lart, kovaçana me fryrje me çalik për fryrjen e eshkës, etj. Ore u them – e kam seriozisht, mos vallë është më mirë apo më racionale që ne rikonstruksionet t’i bëjmë e të imitojmë primitivitetin e tyre, dmth, t’i bëjmë tornot me pulexha në tavan që rrotullohen me rrypa të lidhura me grapeta? Si i habitur vazhdova, vallahi – bilahi këtë realitet nuku e kuptoj, flas sinqerisht si novator i shquar e me “Çmim Republike”. Hidhet një nga shokët dhe thotë: – Leri ironitë se ato i ke të natyrës tënde dhe mos na e zër në grykë këtë darkë speciale që na ke bërë. I kthehem unë me të qeshur: – A e di ti që pse të pëlqejnë këto gatime? Sepse janë gatuar me teknologjinë e vjetër orientale, tamam si të kohës së kaçatorëve. U bë pak si nervoz dhe tha “mbylle atë të shkretën” dhe kështu i vumë pikë bisedës.
    Pilo ishte realist dhe thoshte vazhdimisht që t’i “shtrijmë këmbët sa kemi jorganin”. Ishte kundërshtari më i madh dhe nuku pranonte në asnjë mënyrë, që të vinte në Kombinatin tonë grupi i “shkencëtarëve shqiptarë” që të eksperimentonte fillimin e prodhimit të Fiatit, mirpo kjo gjë ishte propozuar nga vetë Kryeministri Mehmet Shehu i cili e hiqte veten si njohës i thellë i mekanikës bujqësore. Ky propozim që do të na “çonte përpara”, ishte pranuar pa rezerva nga një “rryp” tjetër, Dekani i Inxhinierisë, Fehmi Shehu, Doktor – Profesor. Mirëpo unë them që insistimi i vendosur i Pilos për të ndaluar me çdo kusht hyrjen e Fiatit në Kombinat, qëlloi në kohën e sëmundjes së Enver Hoxhës që nuku e lejonte atë të merrej me këto “vogëlima” dhe ata e motivuan zëvendësimin e Pilos me Llambin, sepse Pilua tashmë në moshë, të merrej vetëm me detyrën e Revizionimit të Partisë.
    Më kujtohet që edhe mua në atë kohë më pati thirrur Pilo për të diskutuar për Fiatin dhe më thotë: kam dëgjuar lart e poshtë që edhe ti je kundërshtar që ne të marrim Fiatin për prodhim, mendimi jot është tamam si i imi, edhe unë nuku dua, pse dhe ti nuku do? Është e vërtetë – i them, dhe ja pse dhe mua nuk më pëlqen: – Perfeksioni konstruktiv dhe teknologjik i Fiatit rrjedhon që Fiati përkarshi DT_s tonë të jetë 5 – 6 herë më i lehtë në peshë për të njëjtën njësi fuqie, Fiati karshi DT_s, është si ora e dorës me orën e tavolinës, të dyja kohën japin, biles njësoj. Më kthehet Pilo: Aahh more ti, “Dobiç i madh je, me kë të ka Asimeja (për nënën time) por kështu si ty e mendoja dhe unë por nuku e përmblodha dot si ty.
    Atëherë i përgjigjem unë: – Ne shoku Pilo, Fiatin nuku do ta prodhojmë dot kurrë, maksimumi mund të prodhojmë Fuatin, nuku shkohet nga fillorja në Universitet pa bërë shpenzime që arrijnë miliona dollarë, dhe qeshëm prap të dy. Ironia e fatit bëri që neve të grupit të rikonstruksioneve të ngarkoheshim që motorin Fiat të prodhuar në Kombinat, ta montonim me modifikimet e nevojshme në kamionin ZIS 4 ton. Bëmë nja 4 – vendosje dhe unë si specialist edhe në automjete dhe mbi të gjitha dhe shofer e kolaudator me përvojë, arrita të çoja dhe një egzemplar ZIS me motor Fiati në Shkodër. Mirëpo Shkodra ka specialistë të mirë për këto gjëra dhe në fakt ata nuk e pëlqyen, por nuk ja mbante ta përflisnin sepse kështu qe koha e megjithatë një koleg shkodran më pyet kush e ka ba këtë motor? I them: – Fehmi Shehu, Doktor – Profesor. Ai mu përgjigj: Fe Mi? – nuk kam dëgjuar ndonjëherë, por Fe Qen, po. Kur ia thash Llambit këtë batutë të shkodranit, ai më tha që e ke nxjerrë vetë se je “bejtexhi i dalluar”.
    Ikja e Pilos nga Kombinati lejoi që kjo marrëzi të merrte përmasa groteske. Për Pilo Peristerin mund të flasësh shumë, ai jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë patur të bëjnë me të, mbetet një baba i mirë e shëmbullor, një Mjeshtër i fjalës së mirë, një Dashamirës i të gjithëve, një Vizionar me horizont të madh, një Udhëheqës sa popullor po aq edhe klasik. Elasticiteti i tij në jetë dhe natyra e tij e lindur e pajisën atë me një koefiçient përshtatshmërie të atillë, sa i krijoi atij mundësinë për ti shërbyer këtij populli në maksimum.
    Shumë respekt e dashuri të përjetshme për të nderuarin Pilo Peristeri nga Xhavit Delvina.