Argëzon Sulejmani: BALADA E TIVARIT
(Kanga e martirëve të Masakrës së Tivarit*)
“Atje larg nëpër Tivar
Kam një asht e kam një varr
Vetëm deti e Rumia
I mëkojnë plagët e mia”.
Ishim ba pesë mijë azganë
Për liri e për vatan
U betuam n’diell e n’hanë
Pa e ditë që ka Tivar.
Udhë pa krye, rrugë e gjatë
Na fironin shokët ngat
Për pak ujë e për tro’ bukë
Jeta fikej krejt pa turp.
T’besatumun me shjiptarë
E me tjerë sojnikë të pa farë
Sytë kuptuan lemerinë
Po na e luanin pabesinë.
Në shqip urdhëri ishte marrë
Në gjuhët tjera ma i randë
Me na sosë e me na ç’ba
Si të mos ishim hiç kurrgja.
Për pak ujë na u djeg gurmazi
Na u step zemra nga marazi
Si mor vllazën e nahi
Nuk e kishit pak njerëzi.
Por na merrnit për të lanë
Ikju’ se janë kosovarë.
Ishte rruga e kiametit
I pamë tmerret e miletit
Njerëzia ish’ e rrallë
Degërmi e tirqi të bardhë.
Kur mbërritëm në Tivar
Mbanim frymën për sa gjallë
Lirinë deti na e pat falë
Edhe plumbat n’tana ant’.
U ba deti shkumë e valë
Me qeleshe gjakaradhë
Veç një mali përmbi dete
I besuam amanete.
Na u tha t’i thonë Rumi
Rumí rranjët naltni ti
Çka ke pa me ata sy
Aspak dritë po veç gjakni.
Rrugë e gjatë e pa mbarim
Për n’Tivar te varri im
Varr që detin e ban tumë
Varr që gjakun e ban lum.
Çka nuk kish’ mbi këtë dhé
Odise mbi Odise
Rob që lypin një copë tokë
Dhe si ne një varr për kokë.
Sytë s’na u shterren hala sot
Shohim heshtje, prekim lot
Nëpër tokë gjithë ata horra
Prej nëntoke zâ në kora:
“Atje larg nëpër Tivar
Kam një asht e kam një varr
Vetëm deti e Rumia
I hatrojnë plagët e mia”.
Tivar, prill 2026.
– The Bar massacre (Masakra e Tivarit) was the killings of ethnic Albanians from Kosovo by Yugoslav Partisans in late March or early April 1945 in Bar, a municipality in Montenegro, at the end of World War II. Deaths: 2995 /Wikipedia/
* Rumia (1594m) është mali përballë detit Adriatik dhe ish-Kombinatit të duhanit në Tivar ku ka kulmuar masakra me tipare gjenocidale.
– Ilustrimi nga novela grafike “Dimri i gjatë i vitit 1945: Tivari”, e autorëve Anna Di Lellio dhe Dardan Luta.