Macron & Merz: Humbja e Orban, fitore e vlerave evropiane
Presidenti francez, Emmanuel Macron bëri thirrje sot për përpjekje drejt një Evrope më sovrane, pas zgjedhjeve parlamentare të Hungarisë duke përgëzuar udhëheqësin e opozitës Péter Magyar për fitoren e tij ndaj kryeministrit Viktor Orbán.
“Sapo fola me Péter Magyar për ta përgëzuar për fitoren e tij në Hungari”, postoi Macron në X.
Ai tha se Franca mirëpriti “fitoren e pjesëmarrjes demokratike” dhe “angazhimin e popullit hungarez ndaj vlerave të Bashkimit Evropian”.
“Le të ecim përpara së bashku drejt një Evrope më sovrane, për sigurinë e kontinentit tonë, konkurrueshmërinë tonë dhe demokracinë tonë”, shkruan Macron.
Edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz ka përgëzuar pasardhësin e mundshëm të Viktor Orbán si kryeministër i Hungarisë menjëherë pasi populisti i krahut të djathtë pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
“Pres me padurim të punojmë së bashku për një Evropë të fortë, të sigurt dhe, mbi të gjitha, të bashkuar”, shkroi Merz në X drejtuar Peter Magyar, partia e të cilit e qendrës së djathtë Tisza duket se është në rrugën e duhur për të siguruar shumicën në parlament.
Gjatë kohës së tij në detyrë, Orbán është akuzuar për ndërtimin e një sistemi gjysmautoritar, kufizimin e pavarësisë së medias dhe gjyqësorit, goditjen e të drejtave LGBTQ, drejtimin e vendit në konflikt me Bashkimin Evropian dhe afrimin e tij më ngushtë me Rusinë./ atsh
https://ata.gov.al/2026/04/12/fokus-macron-merz-humbja-e-orbanit-fitore-e-vlerave-evropiane