Albspirit

Media/News/Publishing

Trump propozon Eric Wendt si ambasador në Shqipëri

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka propozuar Eric Wendt për postin e ambasadorit amerikan në Shqipëri.

Në një njoftim për shtyp të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, në kuadër të nominimeve dhe tërheqjeve të dërguara në Senat, bëhet e ditur se Wendt është përzgjedhur për të përfaqësuar SHBA-në në Tiranë.

“Eric Wendt, nga Kalifornia, propozohet të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Eric Wendt është një figurë e njohur e ushtrisë amerikane, me mbi tre dekada shërbim aktiv. Ai ka përfunduar detyrën e tij të fundit si komandanti i pestë i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s, nga ku u largua më 29 janar 2021.

Wendt ka mbajtur një sërë pozicionesh të rëndësishme në strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes së SHBA-ve. Ai ka shërbyer si Koordinator i Sigurisë i SHBA-ve për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez në periudhën nëntor 2017 – tetor 2019.

Më herët, ai ka qenë shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA-ve, komandant i Qendrës dhe Shkollës së Luftës Speciale “John F. Kennedy”, si dhe komandant i Operacioneve Speciale në Kore. Gjithashtu, ka mbajtur detyrën e zëvendëskomandantit në Komandën Rajonale Veri të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan.

Wendt është emëruar oficer në ushtrinë amerikane në vitin 1986 përmes programit ROTC në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara, ku u diplomua në drejtësi dhe shoqëri. Ai ka vijuar studimet pasuniversitare në Shkollën Pasuniversitare Detare, duke marrë një diplomë master në çështjet e sigurisë kombëtare./atsh