Ruzhdi Gole: Laps i thinjur
Skicë
– Ftohtë…
– Dil në diell.
– Përvëlohem.
– Rri në hije ahere,
– Mërzitem, hija më mpak.
– Shkrythu ahere, shkrythu.
– Më dhembin kockat, sikur po krisin.
– Ahere çohu, bëj një hap, ec ngadalë,
– Mos pengohem, më duket vetja çalë.
*
– Ji paksa i shkathët, ji paksa i gjallë!
– S’mundem, kam droje mos këputem.
– Ç’droje? Ti ec’, mos ki frikë, frika diku
po ngrohet me shall e patetikë.
– Nuk mundem pra… më mba!
– Të mbajë veç një gjeth.? Gjeth me pikla
vese e vesa cicërimë.
– Mund të rrokullisesh, then kërcinj e brinjë.
– O, mos pafsha pluhura, mos dëgjofsha ofshamë, zgjomë, mos më lëre të fle, nxitmë, mos më nxit’ për gjamë.
– Jo, jo, s’të lë të mbytesh me rrëmujë!
– Të lutem, një pikë ujë, një rreze diell të lutem, këtu po zverdhen, plas të iki tutje?
– Këtu rrijmë syçel, gatuajmë miell.
– Miell? O ç’më gajase. S’është koha e
kulaçëve, s’është koha e urimit. As çast i
përjetimit.
– S’e paske keq as shtrembër…Ta lemë
mënjanë miellin me pak kripë e ujë.
Gjithçka vërtitet rrethrrotull rreze dhe
rrëmujë, britma plasa-plasa. Mbyllur po
plasim, na vrasin krismat jashta.
– O, jashtë dritares mos nxirr as gishtin,
kurrkujt mos i b’zani, mos i thërrisni.!
Rrini mënjanë. Shtëpia ledhe e ngrohtë
mbushur plot ekranë. Shtëpia e veshur e
gjitha mburojë. Luajnë shah e pijmë
wiski kush të dojë.
– Jashta janë belatë, janë kamxhikët,
jashta lehin qentë, jashta lajnë frikën?
– Si e lajnë frikën? Me se dhe ku?
– E lajnë me pompa uji, e shqepin në dru.
Dhe thonë pastaj se për këtë
rrëmujëbujë edhe fëmija paska faj.
– Ç’faj ka pafajësia? Faj s’ka as hija, as
kjo urë e shembur, as ky lumth i
drithshëm fllad plot cikmë.
– Po frika nuk ka gjunj, ku ecën ku bie në
ç’hendek në ç’rrëmujë?
-Në rrëmujën hendek brohorasin e vriten
të vegj’lit, n’altare bekohen të mëdhenjtë.
*
– Epika duket e vyshkur, e mbytën dhe
lirikën. Për çfarë do këndojmë tani?
Për hajdutin dhe… laviren?
– Ne ende në krye shkruajmë me
shkronjë të vogël, pa shenja pikësimi,
– S’ka faj lapsi i thinjur, as shkrimi. Shih e
dëgjo ekranet, gazetat për wc. dhe
mejhane…
*
– U dogja prej zjarrmie.
– Dil jashta, freskohu, shkunde hijen.
Hija më duhej të freskohem se po
digjem… Ç’hije të shkund?
– Po digjesh nga zjarrmia plumb.
– Jemi brenda a jashta? Ç’është kjo
krakurimë?
– Është njeriu popull, populli jetim…