Arben Iliazi: Yzedin Hima, një poet neoplatonik?
“Çdo ditë humb diçka,
Rrugët e mia të hershme po kthehen në gjarpërinj të bukur
dëshirat e dhunuara janë ornamente në shpinën e tyre…”.
Këto janë vargjet e para të poezisë “Çdo ditë humb diçka”, të poetit Yzedin Hima. Hima duket si një poet i mbijetur vetëm në saje të rastësisë, që shkruan për të lënë pas një trashëgimi fjalësh, kujtimesh, për t’i ardhur në ndihmë historisë, që të mos përsërit më. Miku dhe komshiu im në Tiranë, botuesi i njohur i Shtëpisë Botuese UEGEN, Xhevahir Lleshi, më ka folur shpesh për këtë poet, shkrimtar dhe studiues nga Berati. Kohët e fundit më dha për të lexuar edhe librin e ri poetik “Mars”. Sytë më shkojnë te poezia “Është ditë e diel”:
“Është ditë e diel
të duash është gjithmonë më mirë se të urresh
më thonë sytë kozmikë të një breshke të vogël
teksa përhapnin një dritë qiellore që endej mbi bar
sy të tillë ka vetëm vajza që nuk më deshi kurrë
dhe për fatin tim të keq ajo kurrë nuk më urreu
shihej çdo ditë në sytë e mi si në një qelq të thyer
lumi përpëlitet në sqepin e pulëbardhës në ag
është ditë e diel…”.
Gati e gjithë bota është një arrë bosh nga brenda, por rrallë mund të gjesh ndonjë poet të lexojë “sytë kozmikë të një breshke”, pa patur frikë se gabon. Ky është një rravgim i pashmnagshëm i syve të shpirtit, si pasojë e të cilit, jeta, e vëzhguar nga kreu, duket sikur nuk ka fund, ndërsa e riparë nga fundi i rrugës, rezulton mjaft e shkurtër. Sa më boshe të jenë arsyet e vuajtjeve të tij, aq më tepër poeti ndihet i lumtur.
Poeti Y. Hima parapëlqen dhe ushqen prirjen ndaj veçimit dhe vetmisë, jo si një instikt fillestar, por diçka që zhvillohet tërthorazi, shkallë-shkallë, në luftë kundër shtysës së natyrshme sociale.
Poeti e do me forcë dhe në vazhdimësi vetminë, e zgjedh atë si të keqen më të vogël, dhe jep arsye për të përligjur dëshirën e pjesës më të padenjë të ekzisencës sonë, që “mokrat mbi ne i vërtit”:
VETMI
lumi ha brigjet me mërmërima
kambana ha heshtjen me dridhma
deti i etur pi çdo çast lumenjtë
dhe terri i uritur përpin retë
në natën e gjatë ne pijmë vetminë
në natë tiparet fshehim dhe dobësinë
të dehur ripërtypim kujtesën
teksa qirinjtë hanë terrin dhe veten
koha ha kohën si përbindësh mitik
rrjedha e saj mokrat mbi ne i vërtit
aty bluhet jeta jonë çdo orë e çdo ditë
poshtë del tisi i bardhë dhe hiçi përndrit.
Njeriu e kupton se pak nga pak, me kalimin e viteve, arrin në bindjen se, përveç disa rasteve të rralla, e vetmja zgjidhje e mundshme në botë është pikërisht ajo midis shoqërisë dhe veçimit, sado e vështirë ta pranojmë në botën tonë të “hiçit të përndritur”. Jetojmë në një vetmi si në një element tonin.
Asgjë nuk është plotësisht e lumtur, ka thënë Horaci. Ne kemi faj për çdo fatkeqësi që na bie në pjesë, edhe pse përgjegjësia jonë është relative. Këtë e pohon edhe sjellja e njërëzve që kërkojnë të fshehin sa më shumë palumturinë e tyre, duke u treguar të gëzuar. Ata kanë frikë se nga dhimbja e tyre mund të hamendësohet faji i tyre.
Poeti Y. Hima nuk e mban dot të frenuar fantazinë dhe nuk ndërton kështjella në erë, që pastaj të përmbysen mes lotëve e psherëtimave. Ai duket sikur ka prishur të gjitha urat me botën dhe me qëniet e tjera njerëzore, me një reflektim që është vetë nënvetëdija dhe ku nuk ka asnjë tip digotomie:
Në pellgje kalbej drita
njolla drite mbi gjurmët e tua të freskëta
ikja është demi i zi që shpon ditën në brinjë
dita drithshëm pikon nga streha e muzgut
dhe lag zërin e pikëlluar të bulkthit në bar
në rrëpirën e lotit pejzazhet bien në humnerë
fjalët prej uji thyhen në gurin e moskuptimit
mendimi është ajo gjethja e tharë në shtjellë
mbërthyer fort te drita dhe te tingulli a!
Pantera e zezë lëpin gishtat e mi prej qelqi
gjurmët e tua mbi dritën e kalbur të ditës
pikojnë mbi barin e kuq tingullin O, ku qyqja
këndon përvajshëm: ku-ku! ku-ku! ku-ku!
shiu i penduar e njomi shkrumbin e muzgut
nata ka veshur mbathje të zeza me penj drite
teksa shtrihet mbi rënkime gjethesh të rëna
dhe dielli pikëzon dritëdhimbjeje – ti ike
***
Në poezinë e Y. Himës nuk bëhet fjalë për iluzione, që t’i gëzohemi një realiteti ndryshe, duke interpretuar ëndërrën. Fantazia e poetit nuk luan me fantazma të tilla, nuk krijon imazhe që prekin shpirtin më kot dhe shpesh rezultojnë tepër të dhimbshme. Ndërkohë që ëndërrat e bukura mjafton realiteti për t’i hedhur poshtë, duke lënë si gjurmë të vetme një shpresë të dobët të një realizimi të ri të mundshëm. Poeti e lë veten në dorën e fantazive të zymta, që lexuesi të mos mbetet në kthetrat e ankthit, por të arsyes, dhe të shohë vetëm me syrin e arsyes.
Autori duket sikur gjykon si neoplatonik, ku në një turmë shumëformëshe, edhe individi më fisnik, sipas natyrës së tij, merr pjesë te poshtërsitë dhe vulgaritetin e përbashkët të natyrës njerëzore, duke vizatuar këtë realitet përtej së arsyeshmes.
Kuptimi leksikor konvencional në poezinë e Y. Himës krijon zona komplekse kuptimi, që rrëfen për një mjeshtëri të rrallë në punën me tekstin poetik, gjë që e dallon këtë poet nga shumë ë tjerë.
Pamje
blirët e rinj kanë çelur kanarina
anës rrugës vrapojnë zbathur në agim
këpucët e vjetra pinë kafenë e mëngjesit
rruga nxiton në takimin e lënë në kryqëzim
ngjethet fustani mbi format shpërthyese
ti u shfaqe në pëlhurën e ajrit nderur kah drita
tingujt puthen me tinguj te harku i buzëve
pikë – pikë të pikon dritë nga sytë e zinj
nën këmbët delikate psherëtin asfalti
strukur te gjoksi dy zogj ende flenë gjumë
muret e qullur kollen në ngjyrë portokalli
peshku i kuq ha fjalët e hedhura në akuarium
manekinët s’e kanë emrin në lista për votim
në heshtje protestojnë në butikët e bllokut
dita ikën mbi kuaj të bardhë me nxitim
ndërsa nata lehtë- lehtë të zbret prej flokut…
BIOGRAFIA
Dr.Yzedin Hima është diplomuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti Filologjik, dega gjuhë-letërsi.
“Master në letërsi” – Universiteti i Tiranës, Fakulteti Filologjik, Departamenti i Letërsisë.
“Doktor në fushën e studimeve letrare” – Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Prej vitit 2014, bëhet pjese e stafit të shkollës ku vijon të japi kontributin e tij të çmuar prej shumë vitesh duke u bërë një nga shtyllat ku mbështetet shkolla jonë duke rrëmbyer shumë olimpiada në nivel lokal dhe 3 në nivel kombëtar.
Në vitet 2014-2018 ka qenë në pozicionit të drejtorit të Gjimnazit Jopublik “I. Ngjeqari” në Berat.
Nga 2018 – e në vazhdim – mësues i letërsisë dhe i gjuhës.
Po cila është përvoja profesionale e Dr.Yzedin Hima?
1987 – 1989- mësues në shkollën e mesme të përgjithshme Kutalli- Berat, drejtues i kësaj shkolle.
1989-1992 – specialist për programet e reja të gjuhës dhe letërsisë në kabinetin pedagogjiktë Seksionit të Arsimit të Beratit.
1992-1996- ka punuar drejtor i Qendrës Kulturore të Beratit.
Në vitin 1997 – drejtor i Drejtorisë Arsimore të rrethit të Beratit.
Në vitin 1997 deri 2000 ka qënë punonjës në Teatrin e Beratit.
Nga viti 2000 deri në vitin 2005 – mësues i letërsisë në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” dhe gjimnazin “Kristaq Capo”.
Në vitin 2005 -2010- drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut të Beratit.
2010- 2013 – drejtor i Drejtorise Rajonale te Punesimit per Qarkun e Beratit.
2011 – 2015 – pedagog i jashtëm i Albanian University, dega e Beratit.
2003 – 2007 – botues dhe drejtues i gazetes së pavarur “Lajmëtari i Beratit
Libra artistikë të botuar
-“Homazh Erës”- poezi, 1994, Uegen.
-“Duart”- poezi, 1996, Uegen.
-“Trill”- poezi, 1999, Jonalda.
-“Pak kohë mbaj në duar”- poezi, 2002, Toena
Libra publicistikë
-“Kënga e nepërkës”, ese dhe shkrime të tjera, 2006, Uegen.
“Të mallkuarit me art”
Libra me studime
-“Vexhi Buharaja- pa mite e mjegull”- monografi – 2009
– “Letërsia e penguar dhe mitet e saj”- monografi – 2016- ISKK
– Libri me poezi “Mars” – 2025- Uegen