Albspirit

Media/News/Publishing

Testamenti i Papa Franceskut në përvjetorin e parë të largimit në amshim

Rafaela Prifti

Në përvjetorin e parë të amshimit të Hirësisë së tij Papa Franceskut, bariut që e drejtoi Papatin me devizën e modestisë dhe mbështetjes për më të cenuarit, vizioni i tij i mëshirës, përuljes dhe afërsisë me të vobektët ndrit edhe më fort. 12 vjet shërbese në Krye të Selisë së Shenjtë, ashtu si jeta dhe vepra e tij të udhërrëfyera nga thjeshtësia dhe dhembshuria, siç tha Papa Leo XIV në fjalën e tij përkujtimore, janë mesazhe shumë të fuqishme sot. Ndërsa gjurma e tij ndihet anë e mbanë botës, lidhja e Papa Françeskut me shqiptarët është një kapitull prekës i trashëgimisë së tij.

Kur zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë të turit papal evropian në 2014, ai tha se nuk e bëri këtë për shkak të madhësisë apo politikës, por për shkak se aty gjente shembujt e martirizimit të fesë dhe bukurisë së bashkëekzistencës, për tu ndjekur nga vendet e mbarë botës. Kur pa portretet e priftërinjve, famullitarëve dhe besimtarëve të masakruar në kohën e komunizmit, Papa u mallëngjye deri në lot, teksa dëgjonte dëshminë e Imzot Ernest Simoni, i mbijetuar i kampeve të punës. Për të, Shqipëria nuk ishte vetëm shembull i vuajtjes dhe ngadhënjimit të besimit tek zoti kundrejt përpjekjeve për ta shfarosur fenë. Papa Francesku shikonte një model ardhmërie tek bashkëjetesa e Katolikëve shqiptare, Myslimanë dhe Ortodoksë. Ai shpesh fliste për faktin se diversiteti fetar mund të kthehet në forcë në vend që të bëhet burim konflikti.

Shenjtërimi i Nënës Terezë nga Papa Francisko e bëri edhe më solide lidhjen e fort-qëndrueshme midis tyre në filozofinë shërbestare të Kishës për të varfërit. Ai ishte Papa që pa tek Shqiptarët frymën e Ungjillit, në mosmposhtjen ndaj sfidave dhe zemërbardhësinë ndaj fqinjit.

Në 21 Prill 2025 Vatra shprehu ngushëllimet e saj Selisë së Shenjtë, Kishës Katolike të Shqipërisë dhe besimtarëve katolikë për largimin në amshim të Atit të Shenjtë Papa Françeskut. Në mesazh Kryetari Elmi Berisha shprehte falënderimet, në emër të Vatrës, për pritjen në Vatikan më 25 tetor 2023. Dita e sotme më ktheu pak në sheshin e Shën Pjetrit ku motra ime, Julika dhe unë ishim pjesë e grupit të madh të Vatranëve dhe shoqatave në audiencën e madhe në Vatikan. Kur folësja e Vatikanit përshëndeti Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra ndjemë një rrëqethje të lehtë, teksa ishim vetëm pak muaj pas fjetjes së babait, Naum Prifti, ish-Sekretar i Vatrës për 15 vjet. Në takimin me të, si Vatranë dhe shqiptar-amerikanë, Kryetari i dhuroi një bust miniaturë të shenjtores shqiptare Shën Nënë Tereza. https://gazetadielli.com/vatra-shpreh-ngushellime-per…/