IRMA KURTI EMËROHET “AKADEMIKE NDERI” E UNIVERSUM ACADEMY NË ZVICËR

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti merr dy vlerësime të rëndësishme në Lugano të Zvicrës. Ajo emërohet “Akademike Nderi” e Universum Academy duke marrë parasysh angazhimin e saj në fushat kulturore, sociale dhe humanitare, me këtë motivacion: “Për promovimin e idealeve të Universum Academy që synojnë lartësimin e vlerave të dashurisë, solidaritetit dhe vëllazërisë midis njerëzve”.
Gjithashtu, në konkursin e organizuar nga Akademia Ndërkombëtare Universum nën patronazhin e lartë të Universitetit Ndërkombëtar të Paqes, Federatës së Shoqatave Kulturore Evropiane dhe Korpusit Ndërkombëtar të Vullnetarëve për Paqen, në edicionin e gjashtë të Konkursit Ndërkombëtar Letrar “Veritatis Splendor” ajo fiton çmimin e tretë për librin me poezi titulluar: “L’alba tinge tutto di luce” (Agimi lyen gjithçka me dritë). Kjo përmbledhje poetike, e shoqëruar nga imazhet e fotografit italian Biagio Fortini, mban logon e Youcanprint Edicioni nën kujdesin e ImagineArte nga Maria Grazia Vai.
Shoqata Kulturore Universum Academy u themelua në Ticino të Zvicrës në vitin 1990, me departamente të saj në shumë vende të botës. Ajo organizon konkurse prestigjoze letrare si dhe ekspozita pikture dhe mbrëmje kulturore me autorë zvicerianë dhe internacionalë. President i Universum Academy është Dr. Valerio Giovanni Ruberto.
IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme letrare në Shqipëri, Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Liban e Kinë. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Sëitzerland në Zvicër. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Irma Kurti ka botuar 119 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Poezitë e saj janë përkthyer në 40 gjuhë. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 24 vende të botës.