Albspirit

Media/News/Publishing

Julika Prifti: 135-vjetori i Carnegie Hall dhe mesazhi i tingujve të kujtesës

Në Carnegie Hall koha nuk rrjedh si në vende të tjera. Ajo nuk kalon, ajo shtresohet. Në mbrëmjen e 5 majit 2026, salla Stern Auditorium u ndie si një arkiv i gjallë: 135 vite histori u vendosën përkrah 50 vjetorit të Koncertit të Shekullit (Concert of the Century) duke krijuar jo një festë, por një reflektim mbi vetë idenë e trashëgimisë kulturore.

E para gjë që më përshëndeti në faqen ballore të skenës ishte një thënie nga Andrew Carnegie, themeluesi, me emrin e të cilit është pagëzuar kompleksi me famë botërore. ”Kjo nuk është një strukturë e zakonshme. Nuk është ndërtuar për përfitim, por për të bërë një të mirë të madhe për komunitetin.” Nën drejtimin e Yannick Nezet-Seguin dhe praninë e Renee Fleming, në skenë dolën talente të rrallë: Joyce DiDonato, Isabel Leonard, Audra Mcdonald, Michael Feinstein, pianistja Emanuel As Evgeny Kissin (që për fat të keq nuk mundi të luante se ishte i sëmurë), Lang Lang dhe Daniil Trifonov, Oratorio Society of New York nën Kent Tritle, e bëri mbrëmjen të ndihej si një dialog mes brezash, jo si një mbledhje artistësh të mëdhenj.

Veç nivelit të përsosur artistik, koncerti gala u përjetua si një histori e prekshme nga spektatorët pavarësisht moshës, shkollimit apo kombësisë. Pjesë të kësaj historie janë edhe koncertet e shumë artistëve shqiptarë të komunitetit dhe programe të veçanta të yjeve nga vendlindja. Në ekranet e sallës u shfaqën figura që kanë formësuar jo vetëm muzikën, por vetë kulturën moderne; Pete Seeger, Ella Fitzgerald, Judy Garland, The Beatles dhe Martin Luther King Jr. Arkiva, biletat e vjetra dhe fotografitë nuk u paraqitën si nostalgji, por si provë se kjo skenë ka qenë gjithmonë një pikë takimi mes artit dhe jetës publike.

Programi u hap me kompozimin e veprës “Candide” të Leonard Bernstein. Në një moment, Imazhi i Berstein u shfaq në ekran duke rikthyer pyetjen volteriane që rezonon fort sot në Amerikë: “A është kjo bota më e mirë e mundshme? Pyetja nuk kërkonte përgjigje. Ajo kërkonte vëmendje. Dhe atë e mori plotësisht. Në këtë kontekst, repertori nga Mozart, Chopin, Mahler, Gershwin, Ellington, Tchaikovsly dhe Rossini nuk funksionoi si një listë veprash, por si një hartë e ndërthurur e modernitetit muzikor. Në mënyrë më të heshtur, por ndoshta më domethënëse, mbrëmja sugjeroi diçka tjetër: se kultura klasike, shpesh e parë si e ndarë sipas kombeve dhe traditave në praktikë, ekziston si një sistem i ndërlidhur i vendeve, gjuhëve dhe historive të botës. Lind një koherence që nuk është homogjene por është e përbashkët.

Kompozimet nuk ishin me objekte të veçuara. Ato u shfaqën si pika lidhëse dhe ndarja gjeografike e kulturës u zbut nga dëgjimi. Dritat e vogla, në nivelin e dytë e të tretë të sallës, që ndryshonin ngadalë nga e kuqja në blu dhe në të bardhe – e përforconin këtë ndjesi uniteti dhe afërsie.

Pesëdhjetë vjet pas Isaac Stern, i cili e shpëtoi ndërtesën nga rrafshimi, dhe më shumë se një shekull pas hapjes së saj me muzikën e Tchaikovski-t nën dirigjimin e Damrosch, Carnegie Hall është një institucion që nuk i përket vetëm historisë së muzikës, por edhe mënyrës sesi shoqëria kujton vetveten. Koncerti (Sold Out) u dha pa pauzë në sallën me 2,800 spektatorët. Dolëm nga shfaqja me një ndjenjë optimiste jo vetëm për Carnegie Hall por edhe për të ardhmen tonë të përbashkët.