Midis arratisë dhe ndërgjegjes në romanin “I arratisuri” të Taip Sulkos
Irena Dragoti
Universi i thyer i lirisë nga Anadelli në Dukagjin!
Romani modern është forma e një bote të braktisur nga totaliteti, ku individi kërkon kuptim në një realitet fragmentar. Pikërisht këtë panoramë mishëron shkrimtari Taip Sulko me romanin e tij “I arratisuri”, subjekt ky që nuk gjen dot një rend të qëndrueshëm moral apo shoqëror. Anadelli, hapësira kryesore e ngjarjeve të romanit “I arratisuri” krejt e thyer e pa harmoni, ku dhuna, frika dhe absurdi bashkëjetojnë pa një unifikim logjik duket se kërkon unitetin në një botë që e ka humbur atë.
Nuk di pse leximi i këtij romani më futi në një dialog të natyrshëm letrar me universin e Ismail Kadaresë në romanin e tij “Prilli i thyer”. Ky krahasim nuk është thjesht tematik, por prek thelbin njerëzor dhe filozofik të të dy veprave për fatin, dhunën dhe pamundësinë e shpëtimit të plotë të individit.
Fati dhe arratisja përballë iluzionit dhe domosdoshmërisë vijnë si shtysë e brendshme, si akte që lindin nga frika, padrejtësia dhe dëshira për një jetë tjetër. Ermiri ikën, por çdo ikje e tij mbart në vetvete edhe kthimin, një lëvizje ciklike kjo që e bën arratinë më shumë ikje nga vetja sesa ikje gjeografike.
Në “Prilli i thyer”, Gjorg Berisha nuk arratiset fizikisht, pasi është i dënuar nga Kanuni , një formë fatalizmi ky por edhe pse arratia e tij fizike është e pamundur pasi individi është i lidhur pazgjidhshmërisht me ligjin e gjakut ai i ikën kufijve të ngujimit me mendje.
Kështu, ndërsa te Sulko kemi një arrati të mundshme, te Kadare kemi një mosarrati të pashmangshme. Por në të dy rastet, e përbashkëta mes tyre mbetet liria si horizont i paarritshëm.
Në të dy romanet, mungesa e lirisë si dhunë nuk është episodike por strukturë.
Te Sulko, dhuna shfaqet spontane dhe e padrejtuar (qeni i tërbuar, I Plotfuqishmi, rrahjet, frika kolektive).
Te Kadare, dhuna është e institucionalizuar përmes Kanunit.
Në thelb, të dy romanet sugjerojnë të njëjtën gjë që dhuna nuk është aksident i historisë, por mekanizëm i brendshëm shoqëror.
Sa metaforike vjen hapësira gjeografike në këto dy romane!
Anadelli i Sulkos dhe malësia e Kadaresë vijnë kaq simbolizuese. Anadelli një sistem plot frikëra dhe tensione të paqarta dhe Rrafshi i Dukagjinit, sistem i kodifikuar, ku çdo veprim ka një kuptim të paracaktuar.
Sulko ndërton një realitet elastik, kurse Kadare një strukturë pothuaj matematikore!
Kjo e vendos Sulkon më pranë modernes, ndërsa Kadarenë pranë epikes së racionalizuar.
Ermiri tek romani i Sulkos është vetëdije. Ai përjeton, reagon, arratiset, dyshon. Ai është ende në kërkim të vetes.
Gjorg Berisha, përkundrazi, është një figurë tragjikisht e përfunduar. Ai thjesht jeton fatin e tij deri në fund.
Ermiri është proces. Gjorgu është fundi i proçesit.
Por gjithnjë ka dritë në fund të tunelit.
Dashuria dhe e bukura janë ajo çarja në errësirën e fateve.
Në “I arratisuri”, dashuria (Anja, ) shfaqet si përvojë që tejkalon realitetin.
Në “Prilli i thyer”, dashuria (Diana dhe vështrimi i saj ndaj Gjorgut) është përpjekje për ta kuptuar tragjedinë, jo për ta shmangur atë.
Të dy romanet përballen me dy rryma të mëdha filozofike, ekzistencializmi te Sulko (liria, ankthi, zgjedhja), tragjedia klasike te Kadare (fati, kodi, sakrifica) që bashkohen në një pikë kur tregojnë se individi kufizohet nga forca shoqërore, apo historike që e tejkalojnë atë.
Kadare ndërton një botë ku fati është ligj.
Sulko ndërton një botë ku pasiguria është ligj.
Megjithatë, të dy arrijnë në të njëjtën të vërtetë se njeriu është gjithnjë në kufi, midis lirisë dhe detyrimit, midis dëshirës për të ikur dhe pamundësisë për të shpëtuar plotësisht.
Në këtë kuptim, romani i Sulkos nuk është thjesht rrëfim për arratisjen, por reflektim modern mbi fatin, një jehonë bashkëkohore e tragjedisë që Kadare e ka gdhendur me kohë në gurin e letërsisë shqiptare.
Në Anadell nuk ekziston një zë i vetëm autoritar, përkundrazi, kemi disa zëra dhe këndvështrime si fëmija, i rrituri, kujtesa kolektive, figura si Lalë Rrapi dhe Mentar Shelgu që përfaqësojnë filozofi të kundërta të jetës dhe e vërteta vjen nga përplasja e perspektivave.
Në këtë prizëm, Lalë Rrapi dhe Mentar Shelgu nuk janë thjesht personazhe, por “ideologji”, secili me botëkuptimin e vet.
Sulko nuk shkruan në vakuum, por dialogon me traditën, me Kadarenë, me romanin modern evropian, me narrativat e kujtesës pa mbetur nën hijen e tyre por duke krijuar një hapësirë të vetën imagjinare.
Fuqia e romanit “I arratisuri” qëndron te mënyra si ai e transformon ankthin në vizion, frika e fëmijës, dhuna kolektive, nuk mbeten thjesht përvoja, por shndërrohen në imazhe poetike si”gëmushë flake në erë”, një metaforë që sintetizon gjithë filozofinë e romanit.
Romanin mund ta lexosh edhe si reflektim mbi pasigurinë e brendshme të njeriut modern. Ndryshe nga romanet klasike ku individi përballet me një rend të qartë moral apo tragjik, te narrativa e Sulkos rendi është gati arbitrar.
Kjo e afron narrativën e Sulkos me filozofinë ekzistenciale, ku njeriu është i hedhur në një botë pa garanci dhe duhet t’ia krijojë vetë kuptimin. Arratitë e Ermirit nuk janë zgjidhja, por simptomat si përpjekje për t’i shpëtuar anarshisë.
Një element që meriton vëmendje të veçantë në roman është mënyra si shkrimtari trajton kujtesën duke e ndërtuar si proces traumash. “I arratisuri” më dha bindjen se ai nuk jep një përgjigje përfundimtare por mbetet një tekst i hapur, ku arratisja nuk është shpëtim, por mënyra më e thellë për të hyrë në labirintin e vetvetes. Dhe pikërisht në këtë pasiguri qëndron forca e tij më e madhe estetike dhe filozofike.
Romani “I arratisuri” i Taip Sulko shfaqet si një ndërmjetësi mes rrëfimit autobiografik, alegorisë dhe filozofisë mbi natyrën e njeriut. Ai dhe pse i ka zhvilluar ngjarjet në një univers të mbyllur si Anadelli, ku individit i duhet të përballet vazhdimisht me kufijtë e lirisë së tij duke i dhënë dimension dramatik dhe kolektiv, tepria e përvojës na bën që të kuptojmë se individi nuk arrin t’i përpunojë dot të gjitha këto përvoja, në dobi të tij.
Një nga arritjet më të rëndësishme artistike të romanit është ndërtimi i personazheve që përfaqësojnë dy mënyra themelore të të jetuarit në këtë botë: Lalë Rrapi si morali absolut, frika nga e keqja dhe Mentar Shelgu si pragmatist, e përzierje e së mirës me të keqen.
Në këtë pikë, romani afrohet me letërsinë alegorike evropiane ku personazhet nuk janë vetëm individë, por mishërim idesh. Njëjtë si tek Dostojevski, konflikti nuk zhvillohet vetëm në realitetin përreth, por edhe brenda vetë ndërgjegjes njerëzore e cila në këtë narrativë i ka rrënjët në kujtesën kolektive dhe në traumën ballkanike.
Rrëfimi i Taip Sulkos e shndërron kujtesën në një instrument të dhimbshëm, më afër një katarsisi sesa një ngushëllimi.
“I arratisuri” për mendimin tim, dhe pse një roman i ndërtuar mbi tensione ka dëshmuar se arratisja më e madhe e njeriut nuk është largimi fizik, por përballja me vetveten. Dhe pikërisht këtu shkrimtari Taip Sulko dialogon deri me letërsinë e përtej atdheut si një zë përfaqësues universal i njeriut modern.